Të kesh frikë në demokraci?!

0
65

Nga Izet Shehu

Kjo ditë e bukur vjeshte të grish dhe të mbështjell me dritë qiellore. Edhe pse në rrugët e metropolit lëvrijnë plot zhurmë e nëpër smog makina të bukura, njeriu gjen rastin të shohë e të meditojë. Madje, në heshtje sjell ndërmend çaste të së djeshmes dhe së sotmes, i përzien dhe i spërkat ato me një ndjenjë të hollë njerëzore. Sheh postera e portrete kandidatësh gjysmë të grisur e të qullur, që janë vendosur vend e pavend. Edhe ata të shohin të gëzuar e të trishtuar. KQZ tashmë i ka përcaktuar kandidatët që do të zënë vendet në parlamentin e ri. Ata ende të shohin dhe të premtojnë me solemnitet për liri e begati.

O Zot sa premtime, sa buzëqeshje, sa shtirje! Njeriu i thjeshtë me naivitetin e tij i ka ngrënë ose s’i ka ngrënë gjithë ato petulla premtimesh. Po e zëmë se i ka ngrënë, por tashmë pas zgjedhjeve është tepër vonë. Votimet kanë mbaruar. Ti kërkon të shkosh në këtë botë duarbosh, me një qiell premtimesh mbi shpinë, me male akuzash, fjalësh e dritëzash të blerta shpresash. S’je i pari dha as i fundit që mashtrohesh me kësi broçkullash. Ti ç’pate për të bërë, e bëre: vure një “iks” në fletën e votimit, pa e kuptuar mirë në kryqëzove në të veten apo premtuesin. Gjithsesi, ti e bëre zgjedhjen tënde. Ec më tej me hapa të matura e mendime të qarta. Pllakat në trotuaret e zhveshura dhe të përcëlluara ktheji në bukë.

Në heshtje, me vete, ti kundërshton: “Njeriu, – thua, – nuk rron vetëm me bukë”. Po tashmë është vonë. Një fjalë të mençur po ta them ty dhe ndërkohë edhe vetes: “Mos u gëzo, o i gëzuar, mos u trishto, o i trishtuar!” Fundja, s’kemi lindur për të qenë fitimtarë dhe as humbës. Njeriu duhet të mësohet me të dyja. Rëndësi ka që jetojmë në liri (Dikush të qorton: në anarki). Para Librit Universitar, befas, ty të del përpara një njeri, që t’i kurrë s’e ke dashur, por as ai s’të ka dashur. Përkundrazi, njeriu i beftë të ka ndjekur gjithë jetën si hije e zezë. Madje dhe të ka bërë gjëmën me stisjet e tij. Ti vërtet e mbaje larg fytyrën e tij të neveritshme, por shpesh të shfaqej nëpër ëndrra si një korb i zi, që të krraurriste dhe të çukiste me sqepin e përgjakur kokën dhe ëndrrën. Ti u shpërfytyrove, sapo e pe. Ai, kohët e fundit, të kalonte pranë kokulur, por këtë radhë të doli ndryshe: si fitimtar i përjetshëm.

– I fituam zgjedhjet, – të tha.

– E pastaj? Po ti me cilën parti je?

– Me të dyja, – u përgjigj me krenari. – Ndaj po të porosis për të fundit herë: emrin tim mos e zër askund në gojë! Kuptove! Fitimtarë jemi ne merimangorët.

Ty sikur të ranë në kokë tulla e pllaka, që pak më parë në mënyrë të pavullnetshme i ktheve në bukë. Në çast u përndeze.

– Kriminel i Sigurimit të Shtetit! – thirre.

Si guxon mor egërsirë? Dhe iu vërsule.

Sakaq, turma e njerëzve u grumbullua rreth teje. Në fillim të morën për të marrë, se në këto ditë të nxehta ndesh në rrugë shumë gra e burra, që flasin me vete. Po ai, tjetri, fitimtari, operativi i dikurshëm i Sigurimit, i çelur si meneksheja e gjirizit, ta turbulloi gjakun dhe iku me hapa komode drejt lulishtes së vogël në anën e rrugës. Iku si mi i vetëkënaqur. Tani vendos vetë: cili kish të drejtë, ti apo ai që ta preu rrugën dhe ta turbulloi gjakun? Këtu qëndro pak: ku kërkon të shkosh në këtë botë të mbarsur me mëkate e krime, të cilat njeriu i ndershëm, idealisti, i moralshmi, patrioti nuk gjen as guximin për t’i denoncuar me zërin e ngritur monstra të tilla, që hiqen si shenjtorë, por në fakt përsëri bredhin rrugëve, si dikur me çantën e operativit të Sigurimit në sup dhe shpifin, sajojnë, turbullojnë, trazojnë.

Asnjë gjemb s’u ka hyrë në këmbë. Asnjë pështymë në fytyrë. Ti thërret me të madhe: Njerëz, ky është njëri nga ata që më sakatoi jetën për një fjalë, për një ide, për një ëndërr! Turma të dëgjoi, të dha të drejtë, por heshti. Atëherë ti dhe mijëra të tjerë si ti duhen bashkuar në një zë: të denonconi menekshetë e gjirizit që krekosen, që kërcënojnë, operativët e Sigurimit të Shtetit monist që ende punojnë në administratën “e reformuar”, madje dhe atje ku kanë punuar para nëntëdhjetës. Ata s’heqin dorë kurrë nga shpifja dhe kërcënimi. Kurrë. Ai, dëshmitar i skenës, që sapo përshkrova, e bashkoi zërin me ty dhe thirri: “Mos shkel mbi trotuaret e metropolit zëshuar, mos u mashtro vetëm me premtimin solemn për liri, premtim, të cilin njerëzit, që s’i provuan tmerret e tua, me naivitetin e tyre as që i përfytyrojnë dot, madje u trembën, sepse për shoqërinë njerëzore në përgjithësi dhe për shqiptarin në veçanti nuk ka gjë më të padurueshme sesa frika në demokraci.”