TE JETOJME NJE VIT SI DRITAN PRIFTI

1
26

nga Sokol Pepushaj, 03.09.2010

Dje, tek mejhana e bashkise Shkodër, lypësi i përditshëm, pasi nuk po i jepte kush lekë, bërtiste: Poshtë komunistët, nuk do votoj kurrë më për ta, dhe rendiste emra politikanësh, Skënder Gjinushi, Bashkim Fino, Ilir Meta, Gramoz Ruçi, Sali Berisha…

Ky burrë që flet vërtet rrjedhshëm dhe i njeh nga afër këta e shumë të tjerë, mesohet se ka nëntë vjet që nuk firmos më në bordoro, pasi në 2001-shin thotë se e larguan politikisht nga puna komunistët e Nanos. Ai është shumë krenar që ka marrë pjesë në vitin 1997 në rrugëzënien e kryeministrit të atëhershëm Bashkim Fino, në Bushat. Ai është shumë krenar që ka fotografi me thuajse gjithë qeveritarët e pushtetarët e sotëm. Por fotografi të para shumë viteve ama, të cilat nuk i japin bukë. Bile edhe Dekoratën e lartë të Urdhërit të Trimërisë, akorduar nga ish presidenti Sali Berisha, ai sot ta jep për 100 lekë.

Ky nuk u ngjason lypsarëve të tjerë që shtrijnë shaminë e zgjasin dorën, por ti vajton në cep të shamisë gjithë vitet e tranzicionit të stërgjatur dhe të “mençurit” maje Olimpit. Gjithsesi kësaj, ky burrë, kjo kafe, shumë njerëz, gjithë Shkodra, janë dëshmi kur u thye e u grabit në mes të ditës thesari i Shkodrës, kur këtu në mejhanë hartoheshin lista për të privatizuar tokë në bregdet, sipas meritave partiake, kur mbusheshin me shkrim dore plot gabime ortografike fletë të bardha, për të marrë diploma në Universitetin e qytetit, kur shahej me rop shtëpie Ilir Meta e gjuhej me domate e vezë Fatos Nano, kur merrej peng prefekti e detyrohej nën tyta armësh politikani të deklaronte përmes televizionit degjenerimin e partisë së vet, kur në emër të demokracisë shitësve ambulantë u merreshin gazetat e u digjeshin publikisht, kur thyheshin bankat, kur qëllohej gjyqtari se nuk kishte liruar tri orë më parë një kriminel, pasi nuk kishin kohë ta presin shumë se donin të drekojnë peshk në Shirokë…

Këtij lypësi, sot i ka shkuar për lesh edhe dekorata edhe diploma. Por zëmërimi i madh i tij nuk është ky, pasi meqë nuk ka deftesë të shkollës fillore e te mesme, ka fituar aq kulturë në një kurs tek Plepat në Durrës, sa e njeh veten. Atij i vjen për të plasur per shokët e tij me më pak dije e kulturë dhe që thotë se janë në poste drejtuese, madje edhe deputetë. Gjyqtarë e avokatë, policë e këshilltarë bashkie ka shumë asish. Madje edhe me raporta mjekësore si skicofrene që nëse godasin ndokënd, nëse plagosin apo vrasin, nuk i zë ligji.

Tek kjo kafene e bashkisë së Shkodrës dëgjon shumë çudira. Një arkitekt të tregon se edhe godina e bashkisë së Shkodrës është e pa regjistruar në hipoteke. Madje edhe ajo e Prefekturës. Ato para ca muajve bënë një ndërrim portash. Prefektura bëhet bashki e bashkia prefekturë. Ambientet. Punonjësit e bashkisë e këshilltarët e zgjedhur me votë nuk bëzajnë. As ata të prefekturës. Këto dy institucione nuk varen si dikur nga Partia. Ligji përcakton qartë pozicionet. Njera, Bashkia, është në administrim të pushtetit lokal, tjetra, Prefektura, i takon pushtetit qëndror. Edhe këshilltarët e punonjësit nuk janë të një partie. Po ç`i hyn ndokujt në hesap ligji në Shkodër?

Si njerëzit, si godinat, duken një, si forcat politike, të majta a djathta, të epërme a të poshtme. Në këtë rast po, në qoftë kështu. Se ligji është i qartë. Ndërrimi i pronësisë kërkon ca dokumenta dhe ca tarifa monetare që duhet të derdhen në arkën e shtetit, sipas vlerës së objektit. Në këtë rast, një zyrtayr i lartë i shtetit, shpjegon privatisht se për këmbim pronash publike, mjafton nje shkresë qeveritare. Kaq.

Në qoftë kështu, atëherë pushteti vëndor, ku e ka pavarësinë nga pushteti qendror, apo politik? Edhe ekonomike, themi.

Por le të kjthehemi tek lypsari, modeli perfekt i politikbërjes në Shkodër. Ai nuk kërkon shumë si merhumët që kanë bërë milionat e eurove nga asgjëja apo grabitja e thesarit dhe bankave. Shtrin dorën për 100 lekë për duhan dhe mallkon fatin për padrejtësi që nuk është pronar i një televizoni, pasi vetëm rrotull kësaj kafeje janë tre copë të tillë. Ai don edhe 50 leke për kafe dhe sërish mallkon fatin e keq qe nuk ka nje hotel të madh me të paktën pesë yje. Nuk kërkon pra pamundësi, pasi kanë ndodhur paradokse si këto. Shumë madje.

Për të, të gjithë janë lapera, kurse veten e njeh si demokrat i ndershëm. I është mbushur mëndja se komunistët si Ilir Meta i kanë prishur punë me Berishën.

E ky burrë se pse të duket vërtet një hero i politikës në Shkodër, një model i qytetërimit, pasi ka guxim të kërkojë, ndryshe nga ata që ecin si normalë rrugëve të qytetit, të ngushtuara nga pijetoret, pasi ka logjikë të të japë edhe titull shkrimi. Kur lypësi flet kështu, ti e ke të gatshme temën dhe thua:

Çfarë ka më shumë se të tjeret jo një kapacitet i madh i shkencës, por një Dritan Prift që brënda një viti vetëm në një biznes, pa rrogë e të ardhura të tjera, shton në llogarinë e vet bankare 1 800 000 euro?! Ai është thjesht një shqiptar si gjithë të tjerët, baba i tre fëmijëve, i ngarkuar me nje përgjegjësi si ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës t’u shërbejë si shërbëtor i mirë shqiptarëve. Askush nuk ka asgjë me pasuritë e tjetrit se jemi në demokraci, në këtë sistem që gjeneza e këtij ministri nuk e honeps askund në fakt.

Njeriu mesatar e lart e di që presidenti i SHBA-së ka një rrogë vjetore 400 000 USD, ose rreth 320 000 euro. Zbritu këtyre parave atë që parasheh ligji në banka apo ca shpenzime të tjera dhe në fund të vitit ka të ardhura dhjetë herë më pak se Dritan Prifti në një biznes të vetëm.
Po ç`është Barack Obama, George Bush, Bill Clinton, apo ç`ishin John Fitzgerald Cennedy, Abraham Lincoln, George Washington, para një ministri si Dritan Prifti?!

Prandaj ky lypësi në Shkodër është model i politikës dhe qeverisjes tek ne, jo vetëm në kryeqëndrën e veriut, por deri në Konispol, prandaj ky lypësi ka të drejtë në pretendime, për stacione televizive, hotele me shumë yje, ndertime e tendera. Thjeshtë fillimisht kërkon të mbushë barkun me bukë, pas pak minutash të kujtojë kohë të ndritura dhe pas pak kohe të ketë ca pasuri, si ata që e bënë nga askundi.

Kur Dritan Prifti t’i lë në bisht të rrugëtimit ekonomik edhe baballarët e kombit amerikan, George Washington-in po se po, por edhe këta të sotmit, shqiptarët të gjithë mund të kenë pretendime, të paktën sa dhjetë fishi i amerikanëve. Vetëm një vit të vetëm pergjatë gjithë jetës të jetonin si Dritan Prifti, duhet të shumzojmë 1 800 000 euro me 4 200 000 shqiptarët dhe të matet pastaj me ne Amerika po deshi. Këtë mund ta bëjnë të gjithë ata që dinë të shumëzojnë. Normalisht atëherë edhe lypësi do i kishte televizorët e pallatet, hotelet dhe pishinat.

Një vit pra, vetëm një vit, të jetonin shqiptarët si Dritan Prifti, pa pretenduar si më të medhenjtë se ai. Dritani është i vockël përballë me të tjerët. Thjeshte maja e Ajsbergut.

1 COMMENT

  1. Me bere qe te me kujtohen fjalet e nje shkencetari te madh, Albert Einshtein(Anshtajni): “Bota eshte kjo katastrofe qe shikoni, jo me shume nga fatkeqesite e krijuara nga keqberesit, sesa nga inercia e te drejteve qe e kuptojne situaten dhe rrine e shikojne.”

    Eshte e vertete dhe e drejte qe populli t’ja delegoje vullnetin e tij perfaqsuesve, por duhet te jete gjithmonë i lire qe t’i modifikoje rregullat e delegimit.
    Eshte shteti qe ekziston per t’u sherbyer qytetareve, dhe jo qytetaret per t’i sherbyer shtetit.
    Çdo dite paraqitet “Teatri i politikes” dhe Pushteti vihet ne skene ne nje çfaqje pa rite apo thellesi shenjash.

    Nuk e dime se çfare ka pregatitur keto dite “Teatri i politikes”, çfare pjese do te veri ne skene?
    Pasi shijuam ne periudhen Maj-Qershor 2010 çfaqjen e “Greves se Urise” me protagoniste “aktore” te famshem dhe kengetare fitues,kurioziteti ne keto dite te fundit eshte shtuar shume.

    Regjizori kete radhe eshte sekret,nuk dime as “piktorin qe do te beje dekorin, sfondet, skenat.
    Perveç “aktoreve”, qe tashme njihen nga publiku, pritet dalja ne skene e nje “aktori” te ri, nuk dihet nese do te luajë ndonje rol kryesor, apo te dores dyte, por thone qe ne kete çfaqje do te kemi nje protagonist te ri, ne moshe?, ne skene?, i paaktivizuar kohet e fundit?, vetem regjizori dhe aktoret qe po bejne provat e dine.

    Ka per te qene nje çfaqje e vertete, ku te gjithe “aktoret” e skenes politike, do te jene ne veprim: ne kembë, te ulur, te trukuar, te rrethuar nga sfonde te ndryshme, si psh. kengetare, lojtare futbolli, aktor teatri, etj.

    Kujtoni nje gje: Gjeja me e frikeshme e pushtetit nuk eshte kur vihet ne skene, por kur mbyllet dhe nuk jep shenja.

Comments are closed.