Nga Jeton Kelmendi*, Bruksel
Çështja e të studiuarit jashtë vendit ose më saksish në vendet perëndimore është tepër e me interes dhe atë jo vetëm studentet shqiptar. Në fakt pas rënies së komunizmit, të gjitha vendet e ish bllokut lindor u përballën me një fazë transitore. Pothuajse i tere sistemi u desh të ndryshoj dhe ti përshtatet kushteve të reja të tregut dhe të bëj të përshtatshëm edhe arsimin në nivelin e pranueshëm me vendet perëndimore. Që nga fillimi i viteve të nëntëdhjeta, njerëzit e këtyre vendeve, që kanë mbaruar studimet neper vendet e perëndimit janë konsideruar si njerëz profesionist dhe kanë gazuar autoritet në vendet e tyre.
Populli shqiptar e pati fatin e keq që ti përkiste bllokut të vendeve komuniste, qoftë populli që jetonte në shtetin e pavarur – Shqipërinë, qofshin ata shqiptarë që jetuan në trojet e tyre të okupuara nga Ish-Jugosllavia. Thjeshtë shqiptarëve ju deshi ta ndërrojnë sistemin dhe të rifillojnë organizimin e jetës dhe mekanizmave jetësor, sipas standardeve të botës perëndimore. Në fakt, sistemi i shkollimit në vendet e Evropës Perëndimore çmohej edhe më herët, e sidomos që nga periudhës së Rilindjes Tonë Kombëtare.
Kohët kanë evoluar dhe shoqëria njerëzore ka përjetuar një zhvillim të madh, kurse ne shqiptaret sidomos në dekadën e fundit kemi bërë hapa të mirë drejt një shoqërie moderne, sidomos nëse e shikojmë pozitën ku kemi qenë. Por si është të jesh student sot në një vend perëndimor me një demokraci të konsoliduar dhe me një traditë qindra vjeçare ne fushën e dijes dhe studimeve, ku rezultatet janë të dukshme si të suksesshme. Ndonëse kushtet e këqija të jetës dhe situata e vështirë për jetë, përfshirë këtu të gjitha veshtërsitë me të cilat u përball njeriu shqiptar, bënë që vendin ta lëshojnë një numër i madh i qytetarëve.
Për fatin jo të mirë, në mesin e atyre që emigruan, kishte jo-pak njerëz që nuk ishin të arsimuar dhe me sjelljet e tyre, bënë që shqiptaret mos të kenë imazh edhe aq të mirë. Sido qe të jetë kjo ishte një fazë kalimtare dhe sot gjerat kanë ndryshuar deri në mas të caktuar. Kështu sot nëpër universitet e njohura të SHBA-ve dhe vendeve të Evropës Perëndimore janë të shumët studentet shqiptare, madje janë edhe student që po shkëlqejnë me rezultatet e tyre të shkëlqyeshme.
Nuk është i vogël, as numri i atyre që tashmë i kanë mbaruar studimet e tyre, qoftë themelore, master apo edhe doktorature. Në ketë kontekst duhet përmendur se është në synimin e shumicës së të rinjve shqiptar, që të bëjnë studime nëpër këto vende. Natyrisht se mundësitë janë faktor që përcaktojnë të vërtetën e profesionalizimit të tyre dhe aspiratat për të ardhmen premtuese.
Duke marrë parasysh të gjitha anët e kësaj medalje, si është të jesh student sot në një universitet prestigjioz të perëndimit. Fillimisht, duhet pranuar dhe potencuar se është një ndjenjë e bukur dhe shpresëdhënëse, së pari për veten e pastaj edhe familjen, miqtë dhe gjithashtu edhe për kombin, sepse një ditë do ta kesh mundësinë ti shërbesh vendit dhe popullit tënd, me një përvojë dhe dije më të mirë. Ti kthehemi pak realitetit të sotëm ne Shqipëri e Kosovë. Siç thotë populli këngën po e di por zëri s’po më shkon.
He pra, tani këtu ka dy mundësi. E para është grupi që studion me forcat e veta ose familjare ekonomike, qe në fakt është grupi absolutisht më i madhi dhe grupi i dytë që mbështetën nga qeveritë e shteteve shqiptare, gjegjësisht Shqipërisë dhe Kosovës. Në ketë kategorinë e dytë len për të dëshiruar përzgjedhja e drejt e kandidateve që vijnë për të studiuar nëpër vendet perëndimore. Nga ana tjetër, kategoria e parë ose studentet që vetëfinancohen e të cilët mbarojnë me suksese të mira studimet e tyre, më pas fillojnë të mendojnë se si, kur dhe ku do ta shfrytëzojnë atë dije që kanë përfituar gjatë studimeve.
E këtu fillon të thyhet pak ai vullneti që ishte gjatë studimeve. Duke u bazuar në raste që kanë ndodhur, studentet që janë kthyer në atdhe, pas përpjekjeve të tyre për ta zënë vendin e tyre që meritojnë dhe vendin që i kërkon ata, e vërteta jo rrallë ka ndodhur ndryshe. Do me thënë se njeriu që ka mbaruar master ose doktoraturë nuk ka mundur të punoj, sigurisht në fushën e tyre për të cilën ata ose ato janë diplomuar, por në vend të tyre edhe sot punojnë rivalet e tyre pa diploma relevante dhe pa dije të duhur.
Zhgënjimi është i pritshëm, prandaj mendo ose bëj si të duash, fundja ky është vendi yt, që kështu të pret dhe punë e madhe se çka mendon ti. Atëherë ngelen dy mundësi: njëra është që të aderosh në një parti të madhe politike dhe të përdoresh mjete çfarë të mundesh dhe të lavdërosh e trumbetosh kryetarin e asaj parti, se ai është ashtu e kështu, pra me epitete deri te njeriut të përkryer, e pastaj nëse ai mund të shfrytëzoj ty për kusure elektorale, ndoshta do të mund ta gjesh një vend pune. Madje nëse pavarësisht gradës që ke marr, je shumë populist dhe militant, ndoshta edhe ministër mund të arrish të bëhesh. Këtu për profesionalizëm nuk po bëhet fjale më.
Kështu pra përformojnë ata që janë të “suksesshëm” edhe pse numri i tyre nuk është aq i madh. Për këso rastesh, besoj se nuk duhet shumë vështërsi, që ti shohësh, këtë e arrin edhe ai që përcjell lajmet jo më shpesh se një here ne muaj. E nëse nuk i ke këto aftësi të bëhesh i “suksesshëm”, atëherë automatikisht je radhitur në kategorinë e dytë. Për ketë kategori, besa nuk është aq e lehtë të flasësh, pasi që kjo kategori është shumëfish më e madhe dhe natyra e saj është e gjerë dhe shumë shqetësuese. Si profesionist tanimë, kur i sheh gjërat se si shkojnë, nevrikosesh dhe të dhimbset populli yt, sado pak që mund ta duash.
Pas edhe do ditësh fillon edhe një krizë tjetër, ajo financiare. Pa harruar koston e studimeve që ke bërë, jeta ka shumë kthesa e hile. Vërtet do të dalësh nëpër “rrugë”, duke kërkuar punë, por tani thuajse e ke të gatshme një përgjigje, më vjen keçë por tani nuk jeni pranuar. Miqtë fillojnë të rrallohen. Ata që të kanë rival fillojnë të flasin dhe shpifin kundër teje, në at mënyrë që ti të jesh i munduri i kësaj beteje që ti nuk e sheh e të zhvillohen nën këmbë. Telashet tjera janë të shumta, por kësaj radhe nuk po vazhdoj më për ketë kategori….
Të jesh student tani duhet që të mendosh mirë për të ardhmen tënde. Mirëpo gjithsesi është mirë dhe ndjenjë e bukur, të studiosh dhe të përgatitesh për sfidat e jetës në vendet që kanë traditë në fushën e jetës profesionale. Së pari nuk duhet frikësuar jetës, sepse me ketë diplomë që merr në këto vende, ke siguruar një pagë dhe një punë në venet ku jeta çmohet dhe respektohet, pra vendet perëndimore. Këtu duhet shtuar se shqiptaret sot kanë arritur të punojnë dhe po punojnë në institucione prestigjioze ndërkombëtare, kështu edhe imazhi ynë po bëhet më i mirë.
Ana tjetër e kësaj medalje është se duke u rritur numri i atyre që përgatiten jashtë vendit dhe fatmirësisht ky numër po rritet vit pas viti, bënë që edhe logjika e paarsyeshme të ndryshoj. Shkurt e shqip, kjo kategori e qytetareve është e nesërmja e mbarë, ngase këta njerëz do të ndikojnë që, çdo gjë ta ketë arsyen dhe atdheu të jetë siç e ka hije një vendi demokratik, ku dija e ka vendin në ballë të vendit. Dija do të jetë në ballë të kombit, ketë dua ta besoj.
Autori është magjistrant në politikat ndërkombëtare dhe çështjet e sigurisë ndërkombëtare