Nga Lorenc Vangjeli
Në Shqipëri mund të numërohen tre Republika. E para, e Ahmet Zogut. Ra sepse Zogu fluturoi në monarki duke u bërë Zogu i Parë dhe i fundit. E dyta, e komunistëve të Enver Hoxhës. U shndërrua në regjim diktatorial, një monarki e pashpallur dhe Hoxha u kurrorëzua Mbret me emrin Sekretar i Parë. E treta, e pluralizmit shqiptar të fillimviteve 90´. Me shumë Princa feudalë që zëvendësonin njëri-tjetrin dhe mbanin njëri-tjetrin. U shkërmoq përfundimisht këtë javë, moralisht, deri në gurin e fundit të ngrehinës, nga e vërteta amerikane për Shqipërinë.
Republika e Tretë e Shqipërisë nuk është demokratike. E thonë edhe amerikanët. Që nga viti i largët 1996, institucioni i zgjedhjeve ka vdekur. Klasa e saj politike, rrjedhojë dhe derivat i deformimit të përhershëm të votës, është e kriminalizuar, e korruptuar dhe e pandëshkuar. Të vjetrit e politikës, fatkeqësisht dhe të rinjtë e saj njëlloj si të vjetrit, i kanë sjellë këtij vendi vetëm helm, pezm dhe halle. Ata janë thjesht të papërshtatshëm për standartet minimale të qytetarit të zgjedhur, janë sozitë qesharake apo klonet e shumicës së regjimeve të Afrikës Veriore apo të Lindjes së Mesme. Të cilët, më së paku, shoqëria shqiptare thjesht nuk i meriton.
Edhe pse nuk ndodhet gjeografikisht as në Afrikën e Veriut dhe as në Lindjen e Mesme. Kjo është një e vërtetë që është sendërtuar ditë mbas dite në këto 20 vjet pluralizëm, por siç ndodh befas në një tragjedi – ndërhyrja Deus ex Machina – tregoi të vërtetën e hidhur për shqiptarët: Klasa politike e vendit, ndodhet e ulur në një karusel çmendurak dhe secili nga pjestarët e xhiros, i shërben organit të “kolegut” ngjitur në një masturbim gjigant mbi shpinën e qytetarëve. E thonë amerikanët sërish amerikanët.
Në Tiranë, për shumë e shumë arsye, amerikanët janë konsideruar si Guvernatorë të pashpallur të këtij vendi apo minimalisht, si arbitri suprem dhe Ati i madh i vendit të vogël balkanas. Publikimi i telegrameve sekrete, konfidenciale apo të paklasifikuara, të hedhura në treg nga botimet ilegale të Wikileaks-it, ishin skaneri përfundimtar mbi elitën politike në vend, por dhe vetë dobësitë e shoqërisë shqiptare. Ishte dëshmia se ata që shiten si ëngjëjt lokalë në ekranet e televizioneve dhe në jetën e lumtur virtuale të vendit, janë djajtë e realitetit që kanë helmuar këtë vend. Kryeministra dhe ministra, deputetë dhe gjykatës, shumëkush që ka pasur një rol në këtë vend, nuk i ka pasur mangët brirët e krijesës së ferrit.
Botimet e telegrameve amerikane nuk tregojnë pothuaj asgjë të re dhe të panjohur më parë në këtë vend. Ato thjesht tashmë marrin vulën e produktit Made in USA, që i bën thjesht të vërteta për sytë e çdo shqiptari lajmet e liga të prodhuara nga klasa shqiptare.
Ata duhet të ikin! Po si? Ky është komplikimi i madh i kësaj historie sa shqiptare, po aq dhe libiane, siriane apo egjiptiane. Nuk ka vend për revolucion, por edhe evolucioni ka kosto, kryesisht në kohë dhe shpërdorimi i kohës në këtë rast, është tejzgjatje e ciklit të së Ligës, ndoshta deri në pikën e të mësuarit përfundimtar me të Ligën.
Për shembull, zoti Berisha, premton se do të qëndrojë në pushtet deri sa të ketë frymë dhe se vetëm i Plotfuqishmi mund ta largojë nga politika. Ai është nyja e parë e lëmshit politik në vend. Gjithë të tjerët, janë ose rrjedhojë direkte e tij, ose kërkimi i dëshpëruar për ekuilibër dhe reaksion ndaj tij. Edi Rama premton politikë dhe kurs të ri, por si, në çfarë mënyre dhe me çfarë mjetesh, mund të pyetet edhe në anglisht me gishta të kryqëzuar.
Duhet të ikë kjo klasë politike, por me çfarë mjetesh? Me zgjedhje? Gjithkush e di tashmë sesi janë zgjedhjet në Shqipëri, në çfarë mënyre numërohen votat dhe mbi të gjitha, si përzgjidhen ata që do të garojnë. Në këtë rast, nuk ka rëndësi as ngjyra politike sepse nuk ka shumë diferencë. Me ndëshkimin e fajtorëve? Prej kujt? Nga hetimet e Prokurorisë së Përgjithshme apo me vendimet e Gjykatave shqiptare, në të cilat konkurron edhe paaftësia profesionale, edhe tkurrja përpara presionit politik, edhe korrupsioni edhe morali i Sashenkave? Media?
Edhe ajo më shumë se interesin e publikut, kontrollon interesat e saj. Askush nuk mund të japë një recetë kundër dëshpërimit që mbretëron si e vetmja gjë tërësisht legale në këtë vend pothuajse tërësisht informal. Mënyra sesi na shohin amerikanët dhe zgjimi i dhunshëm brenda këtij pusi të errët që njihej ndërkohë në Tiranë, japin të drejtë vetëm për një gjysmë të vërtete: fillimisht duhet mohuar kjo klasë politike, më pas duhet pohuar se çfarë vjen mbas saj. Republika e Tretë e Shqipërisë ka vdekur.
Funerali ishte Made in USA! Ata, edhe pa vullnetin e tyre dhe kundër vullnetit të tyre, e thanë të vërtetën që e njohin pa emocion njëlloj siç njihet e vërteta edhe në Tiranë. Njëlloj si në një spital amerikan ku Doktorët i tregojnë gjithë të vërtetën pacientit për gjendjen e tij shëndetësore. Në Tiranë ata thanë se politika shqiptare ka kancer. Dhe kanceri nuk shërohet me aspirina, por me operacion sepse metastazat që kanë prekur zemrën e shoqërisë, politikën, rrezikojnë të çojnë në varr edhe të nesërmen e saj. Sot, ka vdekur klasa politike shqiptare.
Sot ka vdekur Republika e Tretë e Shqipërisë. I qoftë e lehtë rruga për në harrim dhe turp, qoftë dhe pa ndëshkim!