Të harruar nga Bashkimi Evropian

0
14

Nga Tema

Viti 2009 po mbyllet, ndërsa në kancelaritë perëndimore Shqipëria duket se është shënjestruar si vendi më problematik në rajon. Duke mbajtur konferencën e fundit në krye të presidencës së BE, ministri i Jashtëm suedez, Karl Bildt, nuk ka preferuar që të flasë fare për vendin tonë. Edhe pse pikërisht gjatë kësaj presidence aplikimi i Shqipërisë kaloi në Komisionin Evropian dhe na u dorëzua dhe pyetësori që duhet të përgatitet për anëtarësimin, një gjë e tillë nuk është renditur ndër sukseset e politikës së jashtme të presidencës suedeze.

Bildt ka folur në konferencën e tij dhe në lidhje me dështimin për vizat, por ka thënë se e gjithë përgjegjësia është e vendeve që kanë pasur të qartë reformat që duhej të kryenin. Bildt iu referua gjatë Bosnjës në fjalën e tij, pa cekur Shqipërinë. Bosnja, e cila vuan nga probleme shumë të forta politike dhe rrezikon një krizë që mund të çojë në ndarjen e saj, nuk arriti të përfitojë nga liberalizimi i vizave. BE u tregua korrekte në qëndrimin e saj, megjithëse pati shumë thirrje që Bosnja të lëvizë lirshëm, çka mund të shmangte dhe krizën në vend. Shqipëria, e cila nuk ka pasur kurrë probleme të tilla, nuk u kualifikua, duke shënuar një rast të turpshëm në historinë e vendeve që aspirojnë integrimin në BE.

Serbia

Aplikimi që do të dorëzohet nga Serbia ditën e sotme, për të përfituar anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ka marrë përgëzime të shumta nga zyrtarët evropianë. Presidenca e Bashkimit Evropian e ka quajtur një hap historik dhe ka deklaruar se dorëzimi i këtij aplikimi është i mirëpritur.

Në kontrast me këtë ngjarje, të gjithë kujtojnë periudhën parazgjedhore të Shqipërisë, kur kryeministri, Sali Berisha, shpalli se do të dorëzonte aplikimin për anëtarësim në BE. Diplomatët e huaj e kundërshtuan hapur këtë nismë, duke e cilësuar si një truk elektoral. Megjithatë, kryeministri e përdori rëndshëm këtë ngjarje, siç përdori dhe anëtarësimin në NATO, duke terrorizuar madje dhe zyrtarët e kësaj organizate, që thanë se në fushatë NATO dukej si një parti politike.

Pasi kjo kërkesë u mbajt ndër sirtarë për shumë muaj, ajo vendosi që të çohej përpara, në një nivel tjetër. Deri më tani Shqipëria ka plotësuar një fazë, atë të hyrjes në provim. Marrja e tij dihet që është shumë e rëndësishme.

Kapacitetet administrative

Ndërsa Shqipëria e ka marrë provimin me shumë gëzim, kancelari të huaja e shohin me skepticizëm aftësinë e saj për të përparuar drejt BE. Fillimisht ata nuk besojnë se Shqipëria ka kapacitetet administrative për të çuar përpara procesin. Ndër vendet që kanë shprehur më shumë dyshime për këtë gjë, dhe që kanë kërkuar nga Shqipëria që të punojë më shumë, janë Holanda dhe Gjermania.

Një raport i para disa muajve i BE theksonte se Serbia mund të ishte një ndër vendet që kishte kapacitetet e duhura për të çuar përpara integrimin. Ndaj dhe aplikimi i saj quhet historik.

Kriza politike

Është sërish Gjermania dhe ambasadori i saj në Tiranë që kërkojnë që kriza politike të përfundojë sa më shpejt, sepse vendi po rrezikon integrimin.

Në një moment kur kryeministri ka gjetur fajtore opozitën për integrimin, ambasadori Bernd Borchardt është i qartë në mesazhin e tij: “Pas pranimit të vendit tuaj në NATO, prisja që koha e toneve të hidhura në përballjet politike, e gjuhës së ashpër, e fyerjeve personale dhe kërcënimeve politike në politikë, tashmë të kishte marrë fund. Por, fatkeqësisht, jam gabuar. Tanimë të dy kampet më të mëdha politike në Shqipëri duhet të gjejnë një zgjidhje. Para pak ditësh ministrat e Jashtëm të BE – të gjithë së bashku – i kërkuan partive politike në Shqipëri të zhvillojnë një dialog politik konstruktiv, edhe në parlament. Në një dialog politik konstruktiv nuk ka vend për sulme ndaj individëve ose kërcënime dhune dykuptimëshe. Veç kësaj, më lejoni të sjell në kujtesë që Bashkimi Evropian në vitin 1993 ka përcaktuar të ashtuquajturat “Kritere të Kopenhagës” si një parakusht për një pranim në BE. Stabiliteti politik dhe pjekuria demokratike bëjnë pjesë ndër kushtet veçanërisht të rëndësishme.”

Spanja

Viti 2010 fillon me presidencën spanjolle të Bashkimit Evropian. Kësaj radhe ata nuk do kenë rol shumë të fuqishëm në fushën e politikave të jashtme, për shkak të rolit që do ketë Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme, Katerinë Ashton. Megjithatë, edhe spanjollët duket se nuk i kanë sytë nga Shqipëria. Të lodhur nga qeverisja pa krye, ata tanimë thjesht i thonë gjërat troç, si në rastin kur i bënë të ditur kryeministrit se po gënjente publikisht për vizat.