Të gjithë të përgjuar

0
46

Besiana Xharra, 24.03.2014

Të gjitha bisedat, komunikimet elektronike të kosovarëve do të mundë të përgjohen nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI) edhe pa urdhrin paraprak të Gjykatës.

Kjo gjë po mundësohet me Projektligjin për Përgjimin e Komunikimeve Elektronike, i cili është hartuar nga Qeveria e Kosovës, pavarësisht kundërshtimeve të institucioneve ndërkombëtare.

Sipas këtij projektligji, një kopje të të cilit e posedon edhe gazeta “Zëri”, Qeveria e Kosovës planifikon që AKI-ja të jetë njëri nga “institucionet e autorizuara”, i cili përveç që mund të kërkojë nga operatorët e rrjetit të ketë qasje në të gjitha komunikimet elektronike të transmetuara pandërprerë, asaj i mundësohet edhe të ketë një qendër lidhëse brenda operatorit operues, që nënkupton mundësinë e përgjimit të kujtdo, pa dijen e operatorit.

Si i tillë, projektligji konsiderohet që shkel të drejtat e qytetarëve, duke i dhënë shumë kompetenca AKI-së, si institucion që nuk siguron që të gjitha përgjimet që i bën mund të mos keqpërdoren. Planifikohet që institucioni i autorizuar për administrimin në qendrën monitoruese ka autoritet të kërkojë nga operatorët e rrjetit apo nga ofruesi i shërbimeve t’i mundësohet qasja në të gjitha komunikimet elektronike.

Përgjimet pas aferës “Pronto”

Rexhep Selimi, zëvendëskryetar i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme e Siguri, thotë se insistimi i Qeverisë për ta kaluar një projektligj të tillë ka nisur qysh në fillim të vitit 2011.

“Drafti i parë i prezantuar në këtë komision është vlerësuar si një ligj jo demokratik dhe si i tillë është refuzuar”, pohon Selimi, duke shtuar se Qeveria në vitin 2012 e ka sjellë një draft tjetër me disa përmirësime, por që prapë nuk ka kaluar, dhe më pas vjen deri te drafti i tretë pas aferës së njohur “Pronto”.

“Kur doli afera ‘Pronto’, në frymën e atij zemërimi, qeveria ka sjellë për të tretën herë një draft, por ai draft ka qenë i herës së parë, pra ka përsëritur të njëjtin draft, të cilin prapë ia kemi kthyer”, thotë Selimi.

Sidoqoftë, Qeveria shqyrtimin e këtij projektligji e ka kaluar te Komisioni Parlamentar për Integrime Evropiane në muajin qershor, sipas programit të punës së Kuvendit të Kosovës për vitin 2014.

“Projektligji është refuzuar nga Komisioni për Siguri, por ka pasur vërejtje të mëdha edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Megjithatë qeveria ka insistuar në aprovimin e projektligjit, i cili tani ka kaluar te Komisioni për i Integrime Evropiane, që nuk është në rregull”, tha më tej Selimi.

Kontroll mbi gjithçka elektronike

Deputeti, Rexhep Selimi, thotë se pas mosmiratimit nga Komisioni Parlamentar për Siguri, shpresat janë që as Komisioni për Integrime Evropiane të mos e miratojë një projektligj të tillë.

”Mbase shpresat e qeverisë janë që ky komision ta miratojë, dhe unë këtu shoh një tendencë të qeverisë për të pasur një kontroll të plotë mbi përgjimet elektronike. E këtu kemi të bëjmë jo vetëm me telefonatat, por me e-mailat, SMS, rrjetet sociale e madje edhe ‘free call’ siç janë ‘Viber’ e të tjerat”, tha Selimi.

Ai shton se ekzekutivit të vendit nuk duhet t’i ngutet me miratimin e këtij projektligji, por tash për tash të mbetet kjo çështje ashtu siç e rregullon Kodi Penal, i cili përgjimin e lejon me urdhër të prokurorit.

Deputeti tjetër i Kuvendit të Kosovës, Haxhi Shala, i cili nga PDK-ja ka kaluar në subjektin më të ri politik në vend, “Nisma për Kosovën”, thotë se një projektligj i tillë nuk duhet të miratohet në Kuvend.

“Nëse lejohet përfshirja e AKI-së në përgjim të komunikimeve elektronike pa ndonjë urdhër, leje paraprake të gjyqësorit, përbën shkelje të të drejtave të njeriut dhe si i tillë nuk guxon të ndodhë”, tha Shala.

Ndërsa deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti, thotë se projektligji i dedikohet një fushe që rregullohet sipas direktivave të BE-së, dhe, sipas tij, pjesa dërmuese e neneve në këtë projektligj është përshkrim i këtyre direktivave.

Deputeti i LDK-së, Anton Çuni, thotë se edhe vetë ndërkombëtarët e kanë kritikuar një projektligj të tillë.

“Projektligji ka vërejtje të shumta edhe nga Komisioni për Siguri, por ka pasur reagime edhe nga vetë ndërkombëtarët. Nuk është që ne i mohojmë kompetencat e AKI-së për të bërë përgjimet, por shqetësimi më i madh është që këtij Agjencioni të i lejohet një qendër brenda e autoriteteve operuese”, tha Çuni.

Sipas tij, kjo formë e pamundëson për të pasur nën mbikëqyrje AKI-në, nëse po nuk po i keqpërdor informatat që i merr për qytetarët

Maloku: AKI-ja të mos e keqpërdorë autorizimin

Analisti për çështje të sigurisë, Naim Maloku, vlerëson se zhvillimet dhe ngjarjet që po ndodhin në botë dhe rreziqet nga krimi i organizuar, terrorizmi, po u japin më shumë rëndësi agjencive apo shërbimeve inteligjentë në të gjithë botën.

“Është pak problematike të vlerësohet nëse ky ligj është i mirë apo i keq. Por nuk mund të mohojmë se Kosova gjendet në një kryqëzim të shumë gjërave që po ndodhin në afërsi të Kosovës dhe brenda saj”, tha Maloku.

Ai përmendi, shkuarjen e shqiptarëve në Siri, trafikimet me qeniet njerëzore për shkak mosliberalizimit të vizave, pastaj vend që përdoret për transit të drogës, prandaj, siç thotë ai, më shumë kompetenca po i jepen AKI-së. Duke folur për gjykatat, ai tha se ato përkundrazi nuk janë treguar të besueshme, duke dalë në opinion shumë përgjime, ende pa u ngritur aktakuzat, përfshirë këtu edhe emrat e dëshmitarëve të mbrojtur.

“Unë e shoh të nevojshme aprovimin e ligjit, duke e pasur parasysh që gjykatat e prokurorët nuk janë treguar të besueshëm në Kosovë. Megjithatë ligji si i tillë nuk bën të miratohet pa pasur një debat të gjerë paraprakisht mbi të, sepse kemi të bëjmë me diçka shumë të ndjeshme”, tha Maloku.

E nëse miratohet si i tillë, atëherë përqendrimi duhet të jetë te mbikëqyrja e AKI-së, që ajo të mos e keqpërdor këtë autorizim.

Sidoqoftë, ligji deri në qershor të këtij viti mbetet i pashqyrtuar, kur edhe do të kalojë në Komisionin për Integrime. Pjesëtarët të këtij komisioni thonë se arsyeja pse do të kalojë tek ta, është për të parë nëse përkon me ligjet ndërkombëtare.

“Çdo ligj kalon te ne, për shkak integrimeve evropiane, për të vlerësuar nëse përputhen, përshtaten me ligjet e BE-së”, thotë Suzana Novobërdali nga ky komision.

Shefja e grupit parlamentar të KKR-së, Myzejene Selmani, thotë se askujt nuk guxon t’i përgjohet telefoni pa urdhër paraprak të Gjykatës.