Të gjithë kundër Berishës!

0
34

Nga Andi Bushati, 23 Prill 2013

Megjithëse opozita socialiste nuk arriti të ngjallë një frymë shprese dhe ndryshimi, diçka përtej saj, më e madhe po aq sa më amorfe, po bën që në këto zgjedhje të ngrihet një furtunë anti- Berishë. Ndoshta fakti që Edi Rama e pranoi kokulur, që as nuk mund ta mundte kundërshtarin e tij, as mund ta kapërcente modelin që ai përfaqëson, ka bërë që tani, në prag të formimit të koalicioneve, një mekanizëm i çuditshëm korrigjues të bëjë atë që nuk bënë dot socialistët. Si rezultat i kësaj sot Berisha është më i vetëm se kurrë i braktisur dhe pa aleatë seriozë.

Sot, si për ironi të fatit, Berisha ka kundër LSI-në, ish- partnerin kryesor të koalicionit, që papritmas gjendet në të majtë. Pavarësisht se e mbajti për katër vite në pushtet, e ndihmoi të rrëmbente të gjitha institucionet, të ndante si plaçkë tregu gjithçka që gjendej brenda dhe jashtë bllokut të famshëm, të manipulonte procese gjyqësore e të vriste protestën në Shqipëri, tani Ilir Meta ka dalë në fushë për “t’i dhënë fund sistemit të partisë-shtet”.

Pavarësisht se pranoi të zgjidhej me vota të grabitura, se në kohën e muajit të mjaltit ia ndërroi Prokurorin e Përgjithshëm sipas dëshirës dhe i fali implikimin e familjarëve të tij në Gërdec, sot Bamir Topi ka hyrë në garën elektorale vetëm me një qëllim, largimin e kryeministrit nga pushteti. Ai po tregon se është i gatshëm që ta shndërrojë FRD-në në një sekt kamikazësh, për të arritur objektivin që i ka vënë vetes, “nxjerrjen e ish-komunistit në pension politik”.

Pavarësisht se po joshet me të gjitha mënyrat nga familjarët dhe nga kontrabandistët e pushtetit për të dale i vetëm në zgjedhje duke gërryer kështu votat e opozitës, me shpresën se do të krijojë një alterego politike të Topit në të majtë, edhe Kreshnik Spahiu nuk i shërben dot Berishës. Edhe nëse kryeministri ia blen shtrenjtë rolin e përsëritur të komunistit të ndjerë, Hysni Milloshi, sërish atij ky rol do t’i jepet për të kërkuar “burgosjen e Berishës” dhe telendisjen e tij politike në fushatë.

Edhe pse i thane burrë shteti dhe e mbështetën deri në 8 maj 2011, sot përfaqësuesit e ndërkombëtarëve që mbikëqyrin Shqipërinë, po i dërgojnë vetëm ultimatume kryeministrit. Tani së fundi BE-ja i bëri edhe një herë të qartë të mos guxonte të prekte institucionet zgjedhore, ndërsa Uashingtoni e kërcënoi duke i thënë se për këtë ai po “futej në një kurs përplasjeje me Shtetet e Bashkuara”.

Më keq se kaq Sali Berisha nuk ka qenë kurrë në këto tetë vite. I vetëm dhe i braktisur. Pa aleatë seriozë dhe pa mbështetës publikë, me përjashtim të ndonjë mercenari apo hallexhiu të mbetur pa punë.

E vetmja rrugë që kish për të hyrë me një kartë në këto zgjedhje ishte ajo e një konvertimi moral. Të bënte viktimën. Të luante të tradhtuarin. Të denonconte të gjithë ata që po bashkoheshin kundër tij, pa asnjë princip dhe pa asnjë parim. Por, dëshira për të qëndruar me çdo kusht në pushtet dhe e shkuara që e mban peng, nuk e lanë dot ta realizonte as këtë. Sepse për të vepruar kështu, do duhej të sillej ndryshe nga kundërshtarët e tij, por ai vajti e njësoj si ata, u ra në gjunjë tre socialistëve për të zgjatur edhe disa javë qeverisjen e tij.

Sepse për të bërë këtë, duhet të fillonte luftën kundër tradhtarit me bllok në dorë, por ai nuk pati fuqi ta bëjë (gojët e liga thonë se po aq dosje sa ka ai për njerëzit e Metës, po me aq dosje për fëmijët e tij ka dalë edhe LSI-a nga zyrat e shtetit). Sepse kjo rrugë kërkonte që mos t’i lutej për koalicion në emër të së djathtës Bamir Topit, duke e lejuar ish-presidentin t’i japë edhe shpullën e fundit: daljen më vete në zgjedhje. Sepse për këtë, ai nuk do të çonte njerëz për ta joshur Kreshnik Spahiun, qoftë kjo edhe me çmimin e mbajtjes së një fryme kundër tij në zgjedhje.

Të gjitha këto episode të ditëve të fundit treguan se Sali Berisha nuk pati guximin të sillej dinjitoz me vetminë e tij. Prandaj ai sot po shkon drejt zgjedhjeve me të njëjtën njollë imoraliteti, që mbajnë në shpinë edhe kundërshtarët e tij. Por, në këtë garë të barabartësh ka një hendek të madh. Sepse në ndryshim prej tyre, ai, kësaj radhe, është krejtësisht i braktisur.