
Mustafa Nano
Zululand
Ka javë që ka nisur një aksion për prishjen e ndërtimeve pa leje, dhe të krijohet përshtypja se kreu i Inspektoratit Kombëtar Ndërtimor, Gjergj Bojaxhi, po përdoret për të bërë ca punë me spec, me të cilat vetë pushteti nuk dëshiron të përballet. Përkundrazi, ngjan se pushteti po bën çmos që viktimat e kësaj fushate prishjesh ta shohin si dorëjashtë në këtë meselé. Dhe merret vesh pse. Është fjala për ndjeshmërira, që të shkrehin e të çarmatosin: vihuni pak në rolin e një personi, a një familjeje, teksa bëjnë sehir fadromat që ua shndërrojnë në hiç, sa hap e mbyll sytë, të gjithë pasurinë e vënë në vite me mund e sakrifica?
Mua më dhemb koka thjesht kur e përfytyroj, e jo më të më ndodhte në vetë të parë. Përveç kësaj – kjo shpjegon më së shumti sjelljen e pushtetit – janë në lojë interesat e një numri të madh njerëzish (janë me mijëra ndërtimet pa leje në këtë vend), të cilët, për shkak të influencës së tyre në zonat e banimit, mund të shndërrohen në agjentë të frikshëm elektoralë kundër kësaj mazhorance.
Dhe kështu, Gjergj Bojaxhi ndodhet vetëm. Asnjë fjalë nuk ka thënë Kryeministri; as ministri i Jashtëm nga pozitat e kryetarit të partisë së vet, as ndonjë zë tjetër i rëndësishëm nga radhët e mazhorancës. As ministri i Brendshëm nuk e ka marrë mundimin të mbështesë, jo inspektoratin, por policët e vet, që janë nën agresionin e turmave. Ministri me siguri do ta kish thënë një fjalë në mbrojtje të policëve, nëse këta të fundit do të ishin duke ndjekur të relax-uar ndonjë protestë festive të opozitës. Ndërsa pas ngjarjeve në Hamallaj nuk u bë i gjallë.
Pushteti po sillet si Ponc Pilati. Punën e ndyrë po ia lë në derë “autoritetit hebraik”. Ndërsa vetë lan duart. Mirëpo duart nuk mund të lahen. Për shumë arsye. Së pari, inspektorati po prish ndërtime të bëra pas vitit 2007, gjë që do të thotë se të gjitha ndërtimet që po prishen janë ngritur me miratimin e heshtur e nën vëzhgimin inkurajues të këtij pushteti.
Së dyti, banorët kanë nevojë t’u thuhet diçka në emër të një transparence minimale, në mënyrë që askush të mos ketë argument të shprehet (si dikush nga Hamallaj), se “pas fadromave fshihen interesa”. Së treti, duhet të dalë dikush e t’ua bëjë të qartë se pse shtëpitë e ngritura pa leje në Bathore e kanë bërë këtë të fundit qytetin më të bukur të botës (kështu është shprehur Kryeministri), ndërsa shtëpitë e tyre e paskan shëmtuar Hamallajn, Ksamilin etj. Së katërti, është një pyetje e rëndësishme që mund të bëhet në këtë situatë: Ndërkohë që inspektorati po prish, a ka bathorexhinj të tjerë që po ndërtojnë, si gjithmonë “me miratimin e heshtur e nën vëzhgimin inkurajues” të pushtetit?
Këto katër pika shpjegojnë pse është kjo gjendje, pse pushteti hesht, e pse Bojaxhiu ka mbetur i vetëm, me qysqi e vare në dorë, përballë mijëra shqiptarëve transgresivë të inkurajuar gjatë viteve nga pushtete gjithashtu transgresive.







