TE GJITHA RRUGICAT TE ÇOJNE NE ZGJEDHJE

0
80

Andrea Stefani

Andrea Stefani

Ashtu sikundër të gjitha rrugicat të çojnë në bulevard, ashtu edhe të gjitha opsionet e ofruara nga PD dhe PS për zgjidhjen e krizës politike, të çojnë drejt zgjedhjeve të parakohshme. Ky është përfundimi që rezulton nga qëndrimet e mbajtura prej të dyja palëve në tryezën e dialogut për zgjidhjen e krizës, të organizuar nga Presidenti i Republikës. Kryeministri Sali Berisha deklaroi se është i gatshëm për të gjitha kompromiset e nevojshme, por se “nuk mund t’i trajtojë problemet me gjykatat”. Ndërkaq lideri i PS, Edi Rama, deklaroi se “nuk lëvizim nga parimi i transparencës për të çliruar zgjedhjet nga mekanizmi i korrupsionit elektoral”. Më troç, këto deklarata duan të thonë se PD nuk do të tërhiqet nga pozicioni për moshapjen e kutive, ndërsa PS nuk do të tërhiqet nga pozicioni i hapjes së kutive. Por po ta shqyrtosh më në thellësi dinamikën e secilit prej këtyre opsioneve në rast realizmi, kupton se zgjedhjet e parakohshme bëhen të pashmangshme.

* * *

Duket se palët në tryezë, pasi janë larguar pa lëshuar fare “pe”, i kanë lënë Presidentit Topi misionin që të gjejë pikën e konvergimit mes tyre. Megjithëse detyra bart një tingëllim të ëmbël konstruktiv, duket se kemi të bëjmë me një mision të pamundur, sepse një pikë e tillë konvertimi, nuk shihet gjëkundi. Edhe deklarimet e të dy liderëve pas takimit të japin të kuptosh se ata nuk mund të tërhiqen as edhe një milimetër nga pozicionet e tyre, që janë të kundërta pa dëmtuar rëndë vetveten. Rama tha se nuk mundet të tradhtojnë misionin për të çliruar me anë të transparencës zgjedhjet nga mekanizmi i korrupsionit elektoral. Kjo do të thotë se nuk do të ketë në asnjë rast dhe në asnjë masë, heqje dorë nga kërkesa për hapjen e kutive. Nga ana e tij, Berisha dha të kuptohet se nuk mund ta pranojë hapjen e kutive sepse, për të, kjo do të thotë që të vërë në diskutim vendimin e gjykatave. Pika e takimit mes këtyre pozicioneve nuk ekziston. E vetmja pikëtakimi e të dyja palëve, janë zgjedhjet e parakohshme që po i imponohen të gjithëve si një domosdoshmëri. Madje ato bëhen të pashmangshme edhe po të hapen edhe po të mos hapen kutitë. Të paktën këtë sugjeron domethënia e qëndrimit të palëve, kuptimi i këtyre qëndrimeve.

* * *

Nëse kutitë nuk do të hapen, opozita do të vazhdojë të bojkotojë Parlamentin dhe një gjë të tillë nuk mund ta obstruktojnë as kërcënimet e Jozefina Topallit për heqjen e mandateve të deputetëve socialistë. Këta të fundit mund ta zhvleftësojnë fare thjeshtë një kërcënim të tillë, duke bërë një hyrje formale në Kuvend sa për të bërë betimin dhe për të dalë më pas prej tij, duke vazhduar bojkotin. Komentet dhe propagandat e shumicës rreth këtij veprimi taktik, tentativat për ta denigruar si një veprim për të marrë rrogat, nuk do të pinë ujë. Ndërkohë bojkoti do vazhdojë të pengojë reforma të rëndësishme dhe thellimi i krizës politike, do të rrisë edhe më shumë shqetësimin dhe përfshirjen më të vendosur të ndërkombëtarëve për t’i dhënë fund asaj. Por meqenëse kriza nuk mund të zgjidhet, duke e eksbërë apo neglizhuar opozitën (ky qe gabimi fillestar i Berishës që nuk arriti të kuptojë peshën e 65 deputetëve) atëherë ndërkombëtarët do të tregohen më të vëmendshëm në atë se çfarë kërkon ajo. Dhe do të zbulojnë se opozita nuk kërkon asgjë më shumë se transparencë, një gjë aspak të tmerrshme për demokracinë dhe esencialisht jo në kundërshtim me Kushtetutën apo vendimet e gjykatave. Në një rast të tillë do të kishim edhe një rritje të presionit ndërkombëtar për hapjen e kutive dhe Berisha do të mund ta refuzonte një gjë të tillë, vetëm duke ofruar si konsensus zgjedhjet e parakohshme.

* * *

Por përse Berisha do të refuzojë deri në fund hapjen e kutive? Së pari, sepse i duhet të mbrojë një pozicion parimor, atë të mosdhunimit të Kushtetutës. Sepse ka deklaruar që të hapësh kutitë do të thotë të dhunosh vendimin e një gjykate. Nuk ka rëndësi nëse kjo që pretendon Berisha dhe mbështetësit e tij është e vërtetë apo jo. Rëndësi ka që ai e ka ekspozuar këtë pretendim si një besim të tijin, si një parim që nuk mund ta shkelë. Në të vërtetë na duket se janë shkaqe të tjera, aspak parimore, ato që e bëjnë Berishën të refuzojë hapjen e kutive nën maskën e moscenimit të vendimit të Kolegjit Zgjedhor. Dyshimet janë se kutitë mbajnë brenda shumë surpriza të pakëndshme. Ndryshe, përse e gjithë kjo këmbëngulje për të mos i hapur ato? Që të mos preket Kushtetuta? E kush mund ta besojë që Berisha është i pajisur me një ekzigjencë të tillë ndaj ligjit themelor të shtetit, në një kohë kur Gjykata Kushtetuese sapo hodhi poshtë si antikushtetues një tjetër nga projektligjet e shumta të Berishës, që ajo ka prapësuar vitet e fundit? E gjithë praktika politike e Berishës, të gjitha dhunimet dhe injorimet që ai i ka bërë Kushtetutës, tregojnë se jo respekti për Kushtetutën, por halli i demaskimit të një pushteti jolegjitim e detyron të kundërshtojë me forcë hapjen e kutive. Një analizë e tillë të bën të besosh se edhe sikur kutitë të hapen, masakra e votave që me shumë gjasa do të zbulohet para syve të publikut, do t’i bënte zgjedhjet e parakohshme një domosdoshmëri.

Shumë gjëra kanë ndryshuar që nga koha kur opozita vendosi të bojkotojë Kuvendin. Nga një Berishë që e injoronte totalisht aksionin e opozitës, që deklaronte se nuk ka krizë, sot kemi një Berishë që detyrohet të ulet në tavolinë për të negociuar me opozitën zgjidhjen e një krize të njohur zyrtarisht edhe nga Asambleja e Këshillit të Europës. Ndërkaq, qeveria “Berisha”, ka humbur ekskluzivitetin e mbështetjes europiane. Nga një opozitë që zhvillonte një bojkot të anatemuar thuajse në bllok nga të gjithë, sot kemi një opozitë të mbështetur hapur në kërkesën e saj edhe nga e majta e Parlamentit Europian. Bojkoti i opozitës rezultoi në një sukses për të. Dhe nuk mund të mos vësh re që politika europiane është po aq e ndarë lidhur me krizën në Shqipëri, sa edhe politika shqiptare. Ndërsa e majta europiane po mbron të majtën shqiptare, e djathta europiane po mbron të djathtën shqiptare. As vetë parlamentarët europianë nuk po gjejnë dot një pikë të përbashkët (konvergimi) lidhur me krizën në Shqipëri. Prandaj do të jetë e vështirë që atë ta gjejë Presidenti Topi, nëse është i vendosur të mos bëhet palë. Ajo që Presidenti mund të sugjeronte si zgjidhje, pa cenuar pa anshmërinë e institucionit që përfaqëson dhe në kushtet e dhëna të inelasticitetit thuajse antagonist të palëve, janë zgjedhjet e parakohshme. Prandaj themi se kriza e kutive i shtyn detyrimisht të gjithë përsëri drejt kutive. Në kuptimin e zgjedhjeve të reja. Dhe a nuk janë këto të fundit jo një kiamet, por mjeti klasik me të cilin demokracia i zgjidh krizat e veta?