Të gjitha rrugët të çojnë në zgjedhje

0
19

Lorenc Vangjeli

Shkruan : Lorenc Vangjeli, 31 Maj 2010

Dikur thuhej se të gjitha rrugët të çojnë në Romë. Tani, të gjitha rrugët që mund të ndjekë Shqipëria, të çojnë në Bruksel. Pavarësisht të gjithave, në mos sot, nesër, një gjë e tillë, do të ndodhë. Edhe me liberalizimin e vizave, edhe me emancipimin e mëtejshëm të shoqërisë shqiptare apo dhe të politikës së ditës, edhe me plotësim standartesh evropiane. Më herët u anëtarësuam në NATO. Një ditë, kjo gjë do të ndodhë dhe me Brukselin. Vite e vite më pas, fakti i hidhur, pyetja normale që mund të bëhet: “Pse kaq vonë, pse me kaq dhembje”?, do të ketë vlerë vetëm për kuriozët.

Do të ketë vlerë për historianët që do të gjykojnë për fajet e qeverive që kanë drejtuar zakonisht keq dhe shumë keq këtë vend, por do të ketë një vlerë të padiskutueshme edhe për politikanët e të nesërmes. Të cilët, në shumicën dërmuese të paraardhësve të tyre, do të gjejnë një shembull jashtëzakonisht të rëndësishëm, shembullin dhe modelin më të keq të mundshëm për të mos e ndjekur. Por dhe kjo është një histori tjetër. Historia aktuale ka të bëjë me një tjetër udhëkryq rrugor në të cilin ndodhet Shqipëria.

Plot 11 muaj mbas përfundimit të zgjedhjeve të qershorit të vitit të kaluar, vendi ka kaluar nga një shkallë në tjetrën në përshkallëzimin e paqartësive që kanë të bëjnë pikërisht me zgjedhjet. Nga dyshimet e para, tek provat, nga provat e para, tek prova e një kryeneçësie të pandryshuar për të lejuar kontrollin në provat reale të asaj çfarë ka ndodhur në 28 qershor.

Duke u ngjitur nga një shkallë në tjetrën, Shqipëria ka kaluar nga kriza politike, në një krizë shumëdimensionale që i ka brenda të gjitha; deri dhe krizën morale të një shoqërie e cila nuk di më kë të besojë: njërën palë që tregon me gisht palën tjetër si hajdut votash, apo të kundërtën, njërën palë që përdor të njëjtin gisht për të fshehur fytyrën dhe rrënjët e pushtetit.

Prej plot 11 muajsh, njëra palë është derdhur rrugëve të protestës dhe konsumoi në mënyrën më sublime të mundshme edhe një grevë tërësisht të pazakontë urie në mes të kryeqytetit, kurse pala tjetër, vazhdon të pretendojë ndershmërinë e të akuzuarit si hajdut, por me xhepat plot me kuti votimi.

Falë këtij kolapsi, falë kësaj paqartësie në kufinj ekstremë, falë një angazhimi të fortë të faktorit ndërkombëtar që kërkon zgjidhjen sa më të shpejtë të krizës, ka megjithatë një pamje të thjeshtë të skakierës politike në vend. Një ekuacion, që i reduktuar në minimumin e fjalive të mundshme, mund të përkthehet: të gjithë po rendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Berisha i pari me mendjen e tij e ka zgjedhur këtë rrugë, edhe pse nuk ja ka treguar as Aldos dhe as Bumçit. Berisha, mbasi pa se PS ka mundur të sigurojë me shumë diferencë forcën e numrave në rrugë, e numëron një gjë të tillë si një plagë të vërtetë jo vetëm morale për pushtetin e tij. Protestat e PS-së dhe antimitingjet e tij festive kanë të njëjtin kurs këmbimi që aktualisht ka euroja me lekun.

Kryeministri di më mirë se kushdo tjetër se çfarë fshihet në kutitë e votimit. Di atë mekanizëm, i cili, që nga huri i vitit 1996 u përkrye në kompiuterat e vitit 2009; di që një hapje kutish do të prodhojë në të gjitha zonat e votimit, në 140 mandatet e deputetëve, probleme të cilat do t´i bënin qesharake zgjedhjet e shkuara.

Dhe nëse nuk lëshon kutitë dhe dinjitetin, nëse llogarit dhe një pafundësi elementësh të tjerë që fundojnë në pikën: sa më vonë zgjedhjet, aq më pak vota marr në një opozitë eventuale, mjeshtri i shkollës së vjetër të politikës, duket se do të shkojë vetë i pari tek kutitë e votimit. Për të rivotuar. Pret vetëm kartën e tij të re të “identitetit”, liberalizimin e vizave. Nga ana tjetër, i dyti Rama, pret që forca që ka marrë si kurrë më parë nga rruga, do t´i japë mundësinë e rrallë të gurit tek që vret dy zogj: zgjedhjet e parakohshme në pranverën e vitit të ardhshëm.

Kjo është një histori shumë e thjeshtë, që pesë shekuj më parë, Kolombi e zgjidhi në një mënyrë të veçantë: lundroi drejt perëndimit për të mbërritur në lindje. Dhe zbuloi Amerikën. Sot do të ndodhë e njëjta gjë: për të vajtur në Amerikë apo në Bruksel, më shumë se transparenca e zgjedhjeve të shkuara, rrugën e shkurtojnë zgjedhjet e reja të parakohshme. Një rrugë që Lindja e ka zgjedhur pa hezitim disa herë duke mbërritur në Perëndim përpara Shqipërisë.