Të gjitha pushtetet, sundimtarit!

0
59

Nga: KIÇO BLUSHI

Tash që shyqyr Zotit (d.m.th Amerikës!) na ndihmoi FBI-ja të hetojmë e të zbulojmë vrasjet që u bëjnë shqiptarët shqiptarëve, zyrtarët votuesve, udhëheqësit demokratë qytetarëve demokratë, duke perifrazuar parullën e famshme “Të gjitha pushtetet, sovjetëve”, ose “Pushtetin e morëm me gjak e me gjak mund ta dorëzojmë”,… nuk gaboj po të them se sundimtarët e sotëm, hapur e pa pikë droje po kërkojnë (në fakt, po rikërkojnë) të zbatohet e njëjta maksimë staliniste, e trashëguar nga format e edukimit dhe e përditësuar jo pa sukses: Të gjitha pushtetet duhet të vihen nën hyqmin jo vetëm të një partie, si dikur, po të një udhëheqësi, konkretisht të Berishës. Tanimë kjo direktivë kanunore po shqiptohet hapur, si një atribut i padiskutueshëm e normal i demokracisë funksionale (shqiptare).

Kështu, brenda një jave dy ish-ministra Drejtësie të telekomanduar dolën nëpër ekrane dhe deklaruan zëplotë, -njëri për Presidentin Topi e tjetri për Spahiun e KLD-së, (të dy plëngprishës të PD-së), se kjo “mazhorancë legjitime” paska të drejtë ligjore e morale të shkarkojë/emërojë/denigrojë/poshtërojë/kontrollojë/përgjojë me ose pa komisione hetimore të Kuvendit, cilindo nga krerët e pushteteve të pavarura që nuk zbatojnë “programet e partisë”, (kupto: të Berishës), duke nisur që nga Presidenti i Republikës, gjykatat, KLSH, KLD, RTSH, KKKRT, agjencitë e privatizimeve, tenderat, financat etj…për të mbaruar me pastrueset e minibashkive. Në tehun e thikës së larjes së hesapeve tash është vënë sidomos kryeprokurorja Ina Rama.

Kjo sepse,- gjithnjë sipas të njëjtëve altoparlantë,- populli i paskësh votuar, i ka mandatuar dhe ata/këta uzurpatorë, me logjikën e shumicës, d.m.th të fuqisë ndaj duhet të “mbajnë përgjegjësi” për votën që u ka dhënë populli që i ka bërë “mazhorancë legjitime”… “Përgjegjësia” në fakt nga e gjithë hierarkia shtetërore duhet të deshifrohet kështu: Kush del kundër Berishës është armik, ndërsa kush vret, vjedh, denigron, shpif, përbalt në emër të tij e të “mazhorancës legjitime”, ka të drejtë, është patriot, i ndershëm dhe …i paprekshëm. Kjo do të thotë që, edhe nëse me protesta “të dhunshme” do të kërkohet rrëzimi i qeverisë “legjitime” (kupto: i Berishës!), atëherë Garda ka të drejtë “legjitime” të të vrasë mu përpara kangjellave të Kryeministrisë!

A nuk vepron kësisoj çdo qeveri pushtuese kundër atyre që kërkojnë ta shporrin në emër të lirisë? A nuk vepruan kështu të gjitha qeveritë pushtuese të Gadafit, Mubarakut e Salehit, edhe pse flisnin natë e ditë në emër të një mazhorance të presupozuar, të cilën ata dhe mercenarët e tyre mediatikë ndryshe e quajnë ‘popull’? A nuk u bënë këta udhëheqës vendorë, këta superpatriotë, këta prijës legjendarë, të cilëve u vete pas historia, më të urryer edhe se kolonizatorët e djeshëm? E pra, kur të vret, të vjedh, të poshtëron, të shtyp, të nëpërkëmb i yti, ai të cilin ti e ke votuar dhe nderuar, se ke shpresuar për më mirë, qenka pa dyshim ku e ku më e dhimbshme e më e padurueshme se kur të shtyp e të shkel i huaji. Këtë mësim-pësim na dhuroi falas ky tranzicion i pafund!

* * *

Në të gjitha regjimet autoritare gjenden përherë me shumicë mercenarë mediatikë e partiakë, të cilët janë aq të pagdhendur dhe arrogantë, sa nuk janë të aftë të kuptojnë se nuk është e kapërdishme kollaj kur vetëdemaskohesh historikisht e publikisht për hir të udhëheqësit. Jo sepse nuk kanë aq tru, cipë të ballit e turp, jo se janë të gjithë pa emër e mbiemër vetjak, që të sillen më shumë si pushtues të pushteteve se sa si përfaqësues të denjë, por ngaqë ngulmojnë të bëjnë “plaçkë” sa më shpejt e sa më shumë, pranojnë të bëhen vegla qorre apo pisqolla mediatike me popullin e vet.

“Qeveria ime” dhe përfaqësuesit e saj më të lartë jo vetëm në Gërdec, në faljen e detit Greqisë, më 21 janar e tëhu janë sjellë me popullin e vet si një qeveri e mirëfilltë pushtuese, e cila nuk ka as turp e as frikë nga ndëshkimi i nesërm, le më të ndjejë ndonjë lloj përgjegjësie, pasi, vini re, nuk le rast pa i dhënë të drejtë vetes me mjetet e propagandës dhe të dhunës verbale që të mbulojë me suksese virtuale fajet, mëkatet, paudhësitë, mjerimin, vjedhjet, abuzimet, padrejtësitë, shkeljet e ligjit dhe krimet e saj… Të gjithë pushtuesit, diktatorë e demokratë, janë të prirur të besojnë verbërisht te propaganda, iu pëlqen ajo, sado e gënjeshtërt qoftë e pavarësisht nëse është provuar me mijëra herë, se nga të gjitha magjitë njerëzore propaganda e tepruar dhe mashtruese qeveritare bën boomerang, kthehet lehtësisht dhe egërsisht kundër të zotit…

Qëndrimi ndaj pronës dhe pasurive kombëtare, arroganca dhe papërgjegjësia, përçarjet e mbjella e të stimuluara pa reshtur në këto 21 vjet, mbetja e Shqipërisë e fundit në proceset e integrimit, problemet e rënda me Drejtësinë, ringjallja e vetëgjyqësisë dhe e Kanunit, hedhjet në erë me tritol, vrasjet në qendër të qyteteve, etj., etj., janë ana më e dukshme e mendësisë së një pushtuesi, i cili gjykon kësisoj: Ne e morëm pushtetin me votë dhe tani binduni, nënshtrohuni, se ne (“mazhoranca legjitime”) mund të bëjmë ç’të duam! Besohet se katër vjet mjaftojnë për t’u bërë i pasur, i famshëm, i shquar, publik, i paprekshëm, lider,- daha më mirë po të jesh në listë edhe për katër vjet të tjera,- por nëse jep prova besnikërie dhe i shërben si mercenar i bindur Njëshit të partisë, kreut të “mazhorancës legjitime”, atëherë mund të bëhesh edhe i përhershëm, edhe i paprekshëm, edhe i pushtetshëm!

Po të ndjekësh cilindo debat televiziv mes analistëve të varur e të pavarur, mes gazetarëve dhe deputetëve, atëherë mund ta kuptosh kollaj se është pikërisht kjo racë mercenarësh që u shërbejnë pushtuesve të pushteteve pa iu bërë syri tërr nga opinioni publik, ama të gjithë së toku si një hordhi karkalecash i drejtojnë energjitë, idetë, grindjet dhe sherret përherë në dobi të vetes dhe përherë në kundërshti të interesit publik e kombëtar. Shqipëria po bëhet një vend djerrë, si ish-këneta e Durrësit, në të gjitha llojet e kuptimit të kësaj fjale, kulturor e material… Akoma më zi: Sundimtarët e sotëm, përditë e më tepër i shohim të veprojnë mercenarisht, më keq se çdo pushtues; lapërdharë me ambasadorët e huaj dhe harbutë të pacipë me ne, qytetarët. Ata sillen antikombëtarisht jo vetëm kundër atyre që nuk i kanë votuar, por edhe kundër interesave të gjysmës së popullit votues që presupozohet se i ka votuar e i ka sjellë në pushtet.

Janë aq të dehur me vetveten, sa nuk kanë asnjë ndjenjë përgjegjësie, nëse po e vrasin demokracinë dhe aspiratën e saj; janë aq trushkulur, sa ia kalojnë edhe zullumeve të një pushtuesi të huaj, teksa nuk duan t’ia dijnë jo vetëm për shkatërrimin e aseteve kombëtare, mjedisit, kulturës, historisë, gjuhës kombëtare, por nuk janë në gjendje ta kuptojnë se kur nuk funksionon normalisht e për së mbari sistemi demokratik në një shoqëri, atëherë edhe ata vetë, pra të gjitha palët do të jenë njëlloj të kërcënuara e të pasigurta, madje edhe ata që sot për sot e kanë mirë me pushtetin, n’daç të PD-së, n’daç të LSI-së…. Nuk ka pasur shoqëria shqiptare në këto 100 vjet, klasë politike më të papërgjegjshme e më zullumsjellëse!

Mjaftojnë, besoj, vitet ’97-98-të për ta kuptuar e mos harruar këtë.

* * *

Sot ka jo pak naivë, që dalin në publik e thonë se pushtimi italian, madje edhe ai gjerman, nuk ishin pushtime të këqija, – le më pastaj ai osman!- se pushtuesit “na bashkuan me Kosovën”, se vërtet ishim të pushtuar, po ama ishim vilajete e i patëm dhuruar Perandorisë shumë vezirë e gjeneralë, se kishim më shumë pavarësi se vendet e tjera të pushtuara, se u bëmë me rrugë e me kulturë dhe se, turqit, gjermanët dhe më pas edhe italianët na kanë trajtuar si popull i zgjedhur, si arianë, etj etj… Por e vërteta është akoma më e hidhët në kahjen tjetër: Në këto pushtime, mjedisi, pronat publike, pyjet, detet, lumenjtë, monumentet, kalatë, kishat, gjuha, kultura kombëtare dhe uniteti kombëtar nuk janë goditur më rëndë e më keq se në këto 21 vjet! Dëshpërimisht kjo është tepër e vështirë të mohohet sot…

Shqipëria ka mbetur pa pyje, jo se banorët e saj ngrohen me dru, se kështu janë ngrohur tejemot, por se firma të licencuara nga qeveria po i qethin pyjet me leje, me motosharra dhe me maune, të cilat nuk vijnë fshehur, po ditën për diell, për t’i shitur drutë e zjarrit në Itali dhe Greqi…Kështu edhe detet, lumenjtë, tokat bujqësore, kalatë, minierat, ish-uzinat dhe kombinatet që përfunduan në skrap, të gjitha të dhëna me licencë apo me tender nga qeveria, për mercenarët partiakë… Asnjë qeveri, e majtë dhe e djathtë, nuk bëri një ligj për shpërndarjen e pasurisë kombëtare në mënyrë të drejtë e të barabartë… Letrat me vlerë ishin gënjeshtra më e ndyrë që u shpik në fillimet e tranzicionit, për t’u hedhur hi syve shqiptarëve.

Shumë shpejt nuk ka për të mbetur asgjë nga privatizimet e pronave publike. Ne që tani jemi shteti që ka më pak prona publike, edhe pse, nëse do t’u ktheheshin me ligj pronat e tokat pronarëve të ligjshëm, shifra nuk do të ishte më shumë se katër ose pesë për qind e gjithë territorit dhe pasurisë kombëtare….Po kush është bërë pronar sot? Kjo pyetje retorike i jep përgjigje dilemës: A kemi një qeveri të shqiptarëve apo një qeveri pushtuese? Në dallim nga diktatura staliniste, që ligjëronte dhe stimulonte luftën e klasave dhe sundimin e bolshevikëve (shumicës) ndaj menshevikëve (pakicës), demokracitë kuptohen e pranohen nëse përnjëmend janë të tilla, vetëm atëherë kur ato dinë të respektojnë pakicën, natyrisht jo vetëm atë politike, e cila ka humbur zgjedhjet, po edhe ato fetare, etnike, racore apo kulturore…

Nuk është tepri po të thuhet, se tek ne asnjëherë, as në kohën e pushtimeve nga të huajt, shqiptarët dhe Shqipëria, pasuritë natyrore, historia dhe bashkëjetesa, vlerat morale e njerëzore, si dhe ndjesia e të qenit një komb, nuk kanë qenë kaq të rrënuar, të përçarë, të hallakatur e të hapërdarë sa sot. Fakti që në këto vite çereku i popullit ka ikur nga sytë këmbët, e provon këtë rropamë ndjellakeqe, pa qenë e nevojshme të sillen shembuj të tjerë. “Mazhoranca legjitime” e sotme, teksa flet në emër të shumicës, të cilën aq shpesh e quan popull, në të vërtetë nuk vepron as në interes të shumicës, po të një pakice, të një familjeje, të një rrethi të ngushtë mafioz.

Shumëkush ndër ne ka kujtuar e besuar, se pushtues i një vendi, i një populli, mund të jenë vetëm të huajt, ata që vijnë me ushtri e më pas, për ta bërë sundimin e tyre më jetëgjatë, instalohen edhe me një qeveri kuislinge. Nuk e kemi ditur se ka raste akoma më të zezonta, kur më keq edhe se pushtuesit e huaj mund të sillen bashkëkombësit, d.m.th liderët partiakë, ata që me gjasë votohen prej nesh “në mënyrë të lirë dhe demokratike”…. E pra, si mund të largohen të zgjedhurit tanë të dashur, kur transformohen në pushtues, kur sillen si uzurpatorë të të gjitha pushteteve dhe të pasurive, kur me votën tonë bëhen rrënimtarë të palodhur të kombit? Të presim edhe disa vjet të tjera sa të vijnë zgjedhjet e radhës? Po mbushim një çerek shekulli me këtë gënjeshtër!

Pyetjes së mësipërme, pas 21 Janarit, është e vështirë t’i përgjigjesh, aq më tepër që shumëkush ndër ne beson e dyshon, jo pa të drejtë, se kjo “mazhorancë legjitime”, këta pushtues të panginjur të të gjitha pushteteve, këta pasunarë e të dehur si rrallëkush me lavdi të pamerituar, do të bëjnë të pabërën e të pamundurën që të mos e lëshojnë pushtetin, duke luftuar të fitojnë përsëri me “vota të ndershme e të lira”… Si çdo qeveri me mendësi pushtuese, edhe kjo do ta ketë tepër të vështirë ta lëshojë pushtetin! E pra, përveç ikjes me kuç e me maç nga ky vend, përveç indiferencës, përbuzjes, abstenimit, besimit gjithëpërfshirës se “të gjithë derrat kanë një turi”, a ka ndonjë zgjidhje tjetër?
Sigurisht që për këtë, nuk na ndihmon dot as ambasadori Arvizu, as FBI-ja!

(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)