Mero Baze, 01.12.2009
M’u duk gabim deklarata e djeshme e Arta Dades, që i bën thirrje Sali Berishës të reflektojë për baltën që hedh mbi kryetarin e opozitës. Është gabim të ndalësh këtë dhunim publik të njerëzve të Sali Berishës prej Sali Berishës, pasi kjo është një histori që ka shumë pak shanse të përsëritet në mënyrë kaq diskredituese. Ky është mes të tjerash një moment, që prodhon një detaj të rëndësishëm të jetës së tyre politike dhe karrierës në parti.
Kjo është një provë zjarri që duhet ta kalojnë, jo vetëm ata, por dhe aleati i tij, Ilir Meta, i cili në këtë rast jep 20 për qind të pushtetit të tij (në këtë rast një grua me mbiemrin Kodra), për t’u dhunuar bashkë me tufën. Raste të tilla nuk të jepen gjithmonë në atë parti, përveç rasteve kur Familja e Berishës ka rënë në hall dhe duhet shpëtuar. Kishte disa raste të tilla vitin e kaluar, kur sekseri i vajzës së tij, Fazlliç, ishte në hall dhe të gjithë ata që e mbrojtën, u bënë deputetë. Kishte disa momente vjet, kur djali i Sali Berishës u kap me duar në fishekë dhe barut në Gërdec dhe ata që e mbrojtën, u bënë udhëheqës në PD. Tashmë ka ardhur një moment tjetër i artë, kur vetë kreu i Familjes u kap në një moment çmendurie, që turpëroi gjithë shoqërinë shqiptare dhe ky turp duhet mbuluar, duke thënë që është nder ta kesh atë për kryetar.
E gjitha kjo paradë treditore po ndodh, se ata njerëz që po ndëshkohen duke u nxjerrë në ekrane si mbrojtës të Berishës, ishin njerëzit që janë pikasur prej kryeministrit si njerëzit që nuk pranuan fjalimin e tij. Berisha konstatoi i tmerruar se shpërthimi i tij në Kuvend tejkaloi kufijtë e normales dhe ai u bë befas njeri qesharak. Ai konstatoi se gjithë burrat dhe gratë e PD e dënuan atë akt në tavolinat e tyre, në kafe dhe në shtëpi. Të gjithë e pamë Jozefinën e pikëlluar, ndërsa kryetari i saj fliste ato që fliste. Dhe të nesërmen nuk vonoi hakmarrja e tij. Ai ka tri ditë që nuk hakmerret më ndaj Edi Ramës, por ndaj të vetëve. Ka tri ditë që po nxjerr në ekrane gjithë ata që ai mendon se nuk ia miratuan fjalimin.
Çdo përpjekje për ta ndalur këtë ndëshkim të kryeministrit, është e dëmshme për të gjithë, për opozitën, për pozitën dhe për shoqërinë në përgjithësi, pasi minimumi u fshehim atyre kryeministrin e vërtetë. Këta njerëz, jo vetëm duhen lënë të flasin, por në dramën e tyre si njerëz të dhunuar dhe me mungesë të plotë lirie, ata kanë vetëm një shans të ndjehen paksa më mirë, të ndjehen sikur kanë të drejtë të flasin. Ndaj ka shumë rëndësi që ata duhen lënë të flasin.
Shikoni nga e nisi përdhunimin e tij publik!
Së pari nga zonja Topalli, pamja e së cilës në ekran rrezatonte haptazi mosaprovimin e saj për ato që ai burrë po nxirrte nga goja. Pastaj për drejtuesit e tjerë të partisë Patozi dhe Bode, të cilët, dhe për shkak të jetës së tyre të re, nuk kanë arsye t’i pranojnë atë fjalor Sali Berishës. Pastaj hakmarrja e tij shkoi tek Edi Paloka, i njohur për jetën e tij liberale dhe natyrisht te më liberali ndër të rinjtë që ka afruar në parti, deputeti Fatbardh Kadilli. Edhe pak dyshime që ka pasur për një djalë të ri simpatik nga Elbasani, deputeti Luçiano Boçi, për ndonjë fjalë që mund t’i jetë hapur në fakultet si pedagog, dhe atë e nxori të dhunuar para ekranit ta shikonte me sytë e vet se si nuk mund të tallet me rrëshqitjen e kryetarit.
Nuk kurseu as Mesila Doden të fliste për vlerat familjare dhe as Albana Vokshin të fliste për rëndësinë e familjes. Për çdokënd që kishte dyshime në atë grup, që ishte kundër fjalimit të tij, ai nisi një fushatë të përdhunimit publik. Nuk dua ta zgjas më me emra, se ata i panë shqiptarët vetë në ekran, por dua të them se, ata që dolën publikisht, janë njerëzit që realisht nuk aprovuan në sallë rrëshqitjen psikike të Sali Berishës. Tashmë ndëshkimi i tyre publik është të dalin dhe të mbrojnë atë që nuk u pëlqeu. Genc Ruli apo Genc Pollo, që duartrokitën kur foli Berisha, duket se nuk janë të ndëshkuar, megjithëse jeta e tyre private është e mbushur me anekdota nga ato që nuk rrëfehen një natë dimri.
Kjo mungesë e madhe lirie, qoftë dhe për të menduar në heshtje kundër liderit të partisë apo për të bërë ndonjë grimasë instiktive, kur thotë diçka që të skuq, është jeta e vërtetë politike me Sali Berishën. Sot Shqipëria nuk ka asnjë hapësirë më të dhunuar se ajo copë toke, ajri dhe drite që është nën hijen e tij. Dhe s’ka njerëz më të dhunuar se sa ata që janë të dënuar të rrinë me të, të mendojnë si ai dhe të përpiqen të bëjnë sikur kanë kaluar në ekstazë nga fjalimet e tij, edhe pse shpesh u vjen për të vjellë. Ne duhet t’i lëmë ata në fatin e tyre, derisa të përpiqen ta ndryshojnë atë vetë.