“Të ecësh vetikalisht nëpër oqean!”

0
35

Pierre-Pandeli Simsia

Nga Pierre-Pandeli Simsia

Poet! Sa fjalë e bukur dhe tingëlluese kur e dëgjon dhe e lexon!
Sa nder dhe vlerësim i jep ky emër poetit të vërtetë!
Sa thjesht është të shkruash vargje, vargje të thjeshta, të rimuara, vargje të lira, të komplikuara, vargje shumërokëshe dhe, shpeshherë, mundohemi që çdo varg të shkruar ta quajmë poezi dhe vetë vargjeshkruesin e të gjitha llojeve mundohemi ta quajmë poet, pavarësisht, nëse i afrohet ndopak poezisë apo vetë krijuesit poet që i thurr ato vargje.
Në kohën që po jetojmë, poezinë e kanë marrë dhe e kanë ulur këmbëkryq cilido krijues në vargjet e tij dhe të duket se poezia është aq e thjeshtë për ta krijuar, sa, ç’donjeri nga ne mund ta krijojë atë shumë thjeshtë, mjafton të hedhë vargje në letër.

Rita Saliu - Ecje vertikalisht neper oqean

Të bëhesh poet, të krijosh poezi, është shumë e vështirë, sepse, vetë poezia si zhanër, është po aq e vështirë për ta krijuar, sa edhe ajo vetë nuk të lejon ta shpërdorosh emrin e saj.
Ndryshe nga proza, që të lejon të hysh në të gjitha hapësirat e saja për t’i trajtuar ngjarjet, personazhet, dialogët, monologët… poezia dhe poeti vetë kanë sekretin e tyre për të hyrë në ato porta kaq të vështira, sikur edhe në katër vargje të shkruara, të përmbledhë atë, që një prozator mund ta përmbledhë në tregimin, novelën, romanin e tij. Kjo është mjeshtëria e poetit për të krijuar poezinë e tij…
Merr në dorë një libër me poezi për ta lexuar me një truk të jashtëm për ta patur zili dhe shfleton fletët, lexon vargjet që janë shkruar në të dhe… menjëherë e mbyll, i zhgënjyer…

Sot, emrat e “poetëve” janë shtuar aq shumë, sa është e vështirë të dallosh poetin e vërtetë me krijuesin e thjeshtë. E megjithatë, ne vetë kënaqemi, por edhe gënjejmë veten tonë dhe krijuesin bashkë, kur ia ngrejmë vlerat e tij krijuese edhe pse ndoshta nuk janë në nivelin e duhur…
Këto ditët e fundit, më ra në dorë një libër me poezi nga një autore krejt e panjohur.
Vetë titulli i librit: “Ecje vertikalisht nëpër oqean” më shtyti ta shfletoja, se si mund të ketë “ecur” autorja vertikalisht nëpër oqean.

Dhe ishin vargjet e para të poezisë në libër, që më tërhoqën, për t’i ndjekur njëra pas tjetrës të 44 poezitë e përmbledhura në libër nga autorja Rita Saliu, që të mos e ndërprisja leximin e tyre.
“Ditën kur u shpall Pavarësia” është poezia e parë në libër.
E kush nuk e ndjeu atë gëzim, ëndrrën e shumëpritur për ta parë Kosovën e robëruar për vite me radhë, të lirë e të pavarur!

Atë gëzim e shpreh edhe vetë autorja Saliu, kur këmba bëri qetësinë e parë kur shkeli në tokën e vet. E mes atij gëzimi, autorja ka një brengë…, brengë, që e ngacmon dhe pyet veten. Shqiponja! Ah Shqiponja… bukuria e skalitur në gjoks dhe e vulosur në shpirt…!
Autorja nuk e rri e qetë; kërkon të gjejë spjegimin, por… si duket ia kanë vrarë shqiponjën, të plasurit, të krisurit… përdhosën tokën e përgjakur shekujve, hienat…
Është ajo shqiponjë, me të cilën janë përcjellë trimat e rrënë për Liri.

Autorja e ndjen nevojën të ketë pranë një hartë të vjetër, të shohi shtetin që ishte shtet dhe, në krye të shqiponjës, do të vazhdojë miqësinë e vjetër…
Varg pas vargu e poezi pas poezie, autorja të tërheq në ato ç’farë ka shkruar dhe të bën të mendosh, se vërtet po lexon poezi dhe s’ke se si mund të mos i shkosh deri në fund fletëve të librit…
Ngrohtësia dashurore! Sa herë e kërkojmë atë ngrohtësi, duke u përplasur me gjykimet që bëjnë të paaftët, për t’i bërë ballë sulmeve të jetës dhe, përsëri nuk dorëzohen. Dhe për këtë shkruan poetja në vargjet e saja.

A ka më bukur që të shprehësh në vargje kërkimin e ngrohtësisë dashurore? Ato ngrohtësi, që herë na vijnë të shtirura, për të rënë, jo pak herë viktima të pafajshëm ndaj sulmeve të jetës që bëjnë të paaftët; ata, që me vetëdije mundojnë të shtrembërojnë realitetin edhe pse e kanë përpara syve të shkruar për ta lexuar…
Dhe, të gjitha këto, përgjigjen shumë bukur na i jep autorja, kur shkruan: “Nuk dorëzohem me plotësinë time, vuaj nga zbrazëtia njerëzore…”
Pikërisht, nga ai episod i gjatë, lind vlerësimi i hidhur me trupat e kufizuar, folës me sy gllabërues, që me majën e penës në dorën e tyre, harxhojnë ngjyrën e durimit të tyre…”

Rita Saliu, në vëllimin e saj të parë me poezi, nuk mundohet të ngrejë zërin e saj, siç ndodh rëndom me reklama, parathënie dhe pasthënie, herë të arrira, herë të lodhshme e herë të mërzitshme. Ta hajë dreqi këtë punë. Pse duhet të bisedoj rreth kësaj teme, kjo s’është që s’e njoh, natyrisht, që më kupton që jam në korrent të çështjes. Ç’farë të fsheh? Mendimet drejt së vërtetës…” Autorja të jep librin, krijimtarinë e saj poetike për ta lexuar dhe për ta vlerësuar dhe janë po këta, që flasin më shumë se një parathënie apo një pasthënie e librit, është vetë lexuesi që flet më shumë se parathënia apo reklama…

Do të më duket e tepërt të bëj komentet e mija personale si lexues i çdo vargu apo poezie, sepse janë vetë krijimet e Saliut, që flasin më shumë se komenti. Por dua të theksoj se, ajo që e bën më të bukur, më të plotë, më tërheqës dhe që e lartëson vëllimin poetik “Ecje vertikalisht nëpër oqean” dhe vetë poeten, është ajo ç’farë është shkruar në pasathënien e librit shkruar nga Isak Havolli, të cilën Rita Saliu nuk ka nguruar t’ia japi lexuesit për ta gjykuar vetë. Jo ç’do gjë është e përkryer në krijimtarinë letrare në librin e botuar: “… Megjithatë, mund të thuhet, se ka edhe ndonjë motiv, temë apo detaj, që nuk është realizuar në shkallën e vlerave të përgjithshme që sjell ky libër, i cili fakt, mund të arsyetohet me mendimin, se asgjë nuk është e përsosur, ndaj, as mjeshtëria poetike e Ritës nuk është e përkryer…”

E kush krijues-poet tjetër do të mud ta pranonte kët fakt të shkruar për t’ia dhënë lexuesit? Përkundrazi, shkruesi mendimdhënës, do të quhej xheloz, njeri me cmirë, sulm ndaj poetes…
Edhe pse Rita Saliu është lindur në Prizren, në një familje me tradita patriotike dhe i shkruan bukur vargje Kosovës, ajo nuk mund të heshtë edhe për një plagë tjetër të vjetër, që ende kullon gjak, Çamërisë. “… Deri kur me me litarë të shpresës do t’i lidhim qepallat e syve të blertë, që nuk mbyllen dot, pa e parë Çamërinë nuse, me ngjyrat e ylberit stolisur gërshetin, kur do të mund ta mundi frikën që të kam motër, deri kur më duhet ta ruaj emrin, mbi rrasat e moçme të varreve të rrafshuara nga stuhitë elene. Tash të ruaj në kujtimet e mallit që përvëlon dhe besoj si në Zotin, se, që të dyja jemi tokë arbërore”

Edhe pse “Ecje vertikalisht nëpër oqean” është libri i parë i autores Rita Saliu, ajo del para lexuesit si një poete e formuar dhe e kompletuar…
Libri ka 88 faqe dhe është botuar në Shtypshkronjën “TRENDY” Prishtinë.
Redaktorë janë: Enver Morina dhe Bedri Neziri.
Recenzent, Isak Havolli.
Lektor dhe radhitja kompjuterike: Isak Havolli.
Dizajni i ballinës: Visar Lutolli.
Botues: Klubi letrar “Fahri Fazlliu” – Kastrioti.
Urime autores Rita Saliu për këtë vëllim poetik që na ka dhënë.

Kush është Rita Saliu:

Rita Saliu

U lind në një familje me traditë të gjatë atdhetare në Prizren. U shkollua në Prishtinë, ndërsa të shumtën e kohës e kaloi midis Kosovës dhe Amerikës, ku kjo e fundit i krijoi të gjitha parakushtet të merrej më denjësisht me çështjen e Kosovës, për të cilën, nuk u ndal asnjëherë, sidomos, pas vitit 1981, kur kuçedra ballkanike i ishte sulur edhe njëherë Kosovës dhe po ia zinte frymën gjithnjë e më shumë, Rita nuk pushoi së vepruari, fillimisht në Kosovë e pastaj në Amerikë…
Në Amerikë, ajo shkroi shumë shkrime për Kosovën, të cilat u botuan në shtypin e lirë në Sh.B.A.
Rita arriti edhe sukseset e para në letërsi, pasi përvoja që fitoi e mbushi me frymëzim, ndërsa ngjarjet që kishte përjetuar vetë, nuk duheshin harruar.
Krahas shkrimeve gazetareske për Kosovën, Rita botoi edhe shumë poezi në shtypin e këtushëm, për të cilat morri edhe shpërblime të veçanta nga ato poezi.