Të drejtosh si “babi i Zenit”

0
55

Nga Mero Baze, 27 Mars 2013

Nëse i kalon në skaner gjithë aktet e fundit të Sali Berishës, përfshi ato policore, ligjore, politike apo sociale, shikon se shumica e tyre diktohen nga epshi i fëmijëve të tij për larje hesapesh apo mbyllje të problemeve që kanë krijuar gjatë dy mandateve në pushtet. Veprimet në tërësi tregojnë pasigurinë e tyre për të qëndruar në pushtet dhe nxitimin për të mbrojtur krahët në të ardhmen ose për të larë hesape me njerëz që i kanë kundërshtarë të fortë.

Gjesti më poshtërues ishte vendimi i Sali Berishës për t’i dhënë 100 mijë euro Bashkisë së Vorës për t’ua ndarë familjeve të viktimave të Gërdecit tre muaj para zgjedhjeve. Tani që procesin e mbylli, tani që ortakët në biznesin e të birit i shpëtoi, tani që u sigurua se askush nuk do të flasë më për atë që ndodhi, e ka kuptuar se nuk ka mbaruar punë me viktimat. Ato janë të zemëruara, të dobëta dhe të uritura. Pikërisht tani gjen kohë për t’u marrë me to dhe nxjerr nga xhepat tanë lekët e fundit për të blerë gjakun që i biri u ka borxh atyre njerëzve.

Edhe pse ka pasur kohë pesë vite t’i dëmshpërblejë financiarisht, por mbi të gjitha t’i qetësojë shpirtërisht duke nxjerrë para drejtësisë fajtorët, ai ka bërë të kundërtën. Në fillim shpëtoi fajtorët dhe tani po përpiqet të blejë viktimat. E gjithë kjo për të qëndruar i fshehur identiteti i të birit si pronari real i atij biznesi vdekjeprurës ku vranë njerëz për para.

Në këtë kuadër janë dhe tre emërimet e fundit në drejtësi. Dy prej tyre, ata që vijnë nga Gjykata e Lartë, janë bërë simbol i gjyqtarëve që konsoliduan pandëshkueshmërinë e zyrtareve të lartë në Shqipëri. Ata janë gjyqtarët që shpëtuan Fatmir Mediun, Lulëzim Bashën dhe Ilir Metën, një treshe besnike dhe luajale e fëmijëve të Sali Berishës në procesin e zhvatjes së këtij vendi. I pari nuk u gjykua fare edhe pse akuzohej për 220 milion euro, i dyti po ashtu nuk u gjykua duke u mbrojtur me imunitet, vetëm pse ishte partneri real i Shkëlzenit në Gërdec, i treti shpalli provën e pavlefshme pasi kërcënoi Berishën t’i dilte në krah, ndryshe do t’i denonconte fëmijët.

Për këtë shkak “antikomunisti” Sali Berisha, që po na shurdhon veshët me hetuesit e diktaturës, ka marrë bash tre më të mirët e diktaturës dhe po na i bën sërish gjykatës, jo se i çmon si komunistë, por si njerëz që i kanë shërbyer fëmijëve të tij.

Prokuroria ka shpallur sot se babi i Saimir Tahirit duhet të lirohet menjëherë pasi për të nuk ekziston asnjë provë se ka përvetësuar një fitim prej 300 dollarësh, sikurse e akuzoi policia e Sali Berishës. Nuk di ç’do bëjë gjykata, por shihet qartë se ai është në pranga thjesht se është babai i denoncuesit më të ashpër të vajzës dhe djalit të Sali Berishës. Babai i Shkëlzenit, ai që ka vrarë 26 në Gërdec dhe katër në bulevard për të mbrojtur pushtetin, ai që zhduk çdo vit 1 miliard euro jashtë Shqipërisë, ai që nuk numëron dot më pasuritë e luajtshme e paluajtshme që ka vënë nga pushteti më korruptiv i historisë së këtij vendi, është i lirë, kurse babi i Saimirit, vetëm pse i biri i ka përmendur këto gjëra, është në burg.

E gjithë kjo vetëm për faktin se ka prekur fëmijët e Familjes në pushtet, tek të cilët duket se Sali Berisha nuk duron dot. Liri Berisha, e cila komandon listën e ilaçeve të rimbursueshme në vend, ndalon liberalizimin e listës së Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe na detyron të marrim ilaçe nga India dhe nuk arrestohet, por arrestohen disa farmacistë, që për nevoja të familjeve shqiptare detyrohen të fusin barna që monopolistët e Sali Berishës nuk të lejojnë t’i fusësh në Shqipëri. Të gjithë që kanë të sëmurë në Shqipëri, detyrohen të blejnë ilaçe në Perëndim dhe t’i sjellin ato në Shqipëri dhe këta janë kontrabandistë, ndërsa mafia e ilaçeve, në krye të së cilës qëndron gruaja e Familjes Berisha, jo vetëm që nuk merr gjemb në këmbë, por e përdor këtë monopol dhe për gjueti shtrigash mbi opozitarët.

Dhe si për ta bërë më të plotë hakmarrjen në emër të fëmijëve, kolegët tanë të Top Channel, nëse e keni vënë re, po bëjnë emisione në studio të improvizuara, në kapanone pa xhama e drita, vetëm se e bija e Sali Berishës urdhëroi trupën gjykuese si një togë ushtarësh gjysmë ore para gjyqit, të kthenin vendimin kundër televizionit që i ka prishur rehatinë e Sali Berishës. Kaq mjaftoi dhe ata u zbuan si çifutët nga zyrat brenda 24 orëve me forca të mëdha policie. Sërish në emër të fëmijëve të Familjes në pushtet, të cilët nuk duan që askush t’u prishë qetësinë në këto muaj kur ata po përgatiten për betejën finale për të qenë pronarë të përjetshëm të këtij vendi, apo refugjatët e radhës që do të gëzojnë miliardat e vjedhura si azilantë nëpër botë.

Po ashtu fëmijët e tij janë negociatorë koalicionesh, ofertuesit më të mëdhenj për korruptimin e opozitës dhe më agresivët ndaj atyre që i pengojnë në projektet e tyre për të mbijetuar politikisht.

Faktet tregojnë se gjithçka që po bën këto kohë Sali Berisha po e bën jo si kryeministër, por si babi i Zenit. Dhe ashtu ka për t’u mbajtur mend dhe pas 23 qershorit.