Edi Rama, 16.01.2010
Ndërkohë që ka mbytur Veriun me ujin e keqqeverisjes, (vetëm si sasi uji e dalë jashtë kontrollit ishte një vlerë e humbur plot 35 milionë dollarë nga pasuria e përbashkët e shqiptarëve), pushteti i korruptuar i Sali Berishës, jo vetëm ka gënjyer në mënyrën më skandaloze shqiptarët për të gjitha faktet e shifrat që lidhen me digat e përmbytjes, por edhe po vazhdon të akuzojë, shpifë e madje bëjë diversion të përditshëm me forma sa vulgare, aq edhe qesharake, ndaj Partisë Socialiste.
PS nuk do ta ndryshojë qëndrimin e saj, të prerë e të qartë, për të mos u bërë fasada demokratike e një parlamenti që s’ka kurajën të hetojë zgjedhjet nga ka dalë, duke hapur kutitë e votimeve, mbi ta cilat rri.
Nëse katastrofa e shkaktuar në Veri dhe emergjenca e jashtëzakonshme ku u ndodhën mijëra familje motrash e vëllezërish shkodranë, ishin një forcë madhore, e cila diktoi shtyrjen e përkohshme të axhendës së betejës sonë opozitare, duke na detyruar të shtyjmë një javë edhe mbledhjen e planifikuar të Asamblesë Kombëtare për krizën e demokracisë e të shtetit të së drejtës, kjo do të thotë vetëm se ne besojmë tek një politikë e re që radhën e punëve e përcakton në bazë të interesave e nevojave të njerëzve e të vendit tonë.
U bëj një apel të gjithë atyre që janë përfshirë në Gërdecin e Veriut. Po përpiqeni të zhdukni provat që tregojnë se jo zemërimi i Zotit, po ju, njerëzit e paguar nga populli për të prodhuar energjinë elektrike, në poste kyçe drejtuese, politike e teknike, jeni shkaktarët e Gërdecit të Ujit që këputi në mes mijëra familje shkodranësh, zgjeroi e thelloi gropën e zezë të buxhetit të këtij shteti të shkatërruar, u faturoi të gjithë taksapaguesve shqiptarë një tjetër çmim të pamerituar të keqqeverisjes së Sali Berishës.
Mos e bëni, është e kotë. Nuk i keni bindur dot të gjithë ata që duhet të marrin pjesë në falsifikimin e tmerrshëm, por mesa duket nuk duan që të gjithë të përfundojnë në prokurori e gjykatë, si rrogëtarët e vegjël të gërdecit me zjarr të 15 marsit 2008, ndërkohë që arkitekti i fabrikës së vdekjes është në krye të qeverisë.
Dikush iu ka dalë nga rreshti, teksa të zënë në panikun e hajdutit që i bie valixhja e grabitur nga dora e i hapet në mes të bulevardit, përgënjeshtronit paturpësisht jo vetëm opozitën, po edhe njëri-tjetrin, për faktet e shifrat rrëqethëse që janë tanimë në duart tona.
Ja ku janë, që të gjitha çfarë keni bërë me vetëdije të plotë, me sytë mbyllur, me veshët shurdh, me një gjakftohtësi karakteristike për veprimtaritë e organizuara kriminale, për ta shkaktuar Gërdecin e Ujit, duke u bërë shqiptarëve dhuratën më të zymtë teksa hynin në vitin e ri pa marrë as rrogat e vitit të vjetër.
Ja ku janë provat edhe për gjithçka nuk keni bërë për ta ndaluar fatkeqësinë e duarve tuaja, sikur thjesht të kishit respektuar Rregulloren perfekte mbi shkarkimin e plotave në hidrocentralet, dokument i shkruar njëzetedy vjet më parë nga profesorë të nderuar, që njëherë thatë nuk e njihni se keni rregullat tuaja, pastaj thatë e keni Bibël.
Por, fatkeqësisht edhe atë bibël në duart e një xherahu, që ka zënë vendin e zotit në punët e këtij shteti të mjerë, e kthyet në një letër pa vlerë.
I falënderoj publikisht, edhe pse jo dot me emër, ata njerëz që nuk u bënë pjesë e përpjekjes për fshehjen e provave përmes manipulimit të dokumenteve zyrtare dhe e nxorën të vërtetën nga rrethimi i pushtetit që jeton prej ditësh me ethet e zhdukjes së saj.
Ndryshe nga Sali Berisha që shpif duke tundur letra që shkruajnë tjetër gjë nga çfarë ai thotë, unë nuk do të tund këtu asnjë letër, por do t’i ftoj të gjithë shqiptarët të ndjekin, ditën e diel në orën 10:30, prezantimin e provave të fajësisë së plotë të qeverisë shqiptare e të KESH-it, për mbytjen me ujë të mijëra shtëpive e hektarëve toka të mbjella, duke provokuar tmerrin e mijëra familjeve e ankthin e një populli të tërë për fatin e atyre fatkeqëve.
Për të cilët një tjetër lloj tmerri do të fillojë me rikthimin në shtëpi.
Kemi dëgjuar e do të dëgjojmë shumë për Shqipërinë që ndryshon, të dielën paradite në orën 10:30, në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare Partia Socialiste do t’u tregojë shqiptarëve pse sot e gjithë ditën Shkodra noton. Jo për t’u argëtuar, po për të shpëtuar.