Të dhjerë, por krenarë

0
82

Nga Altin Ketro, 14 Gusht 2012

Ndodhia: “Në një ditë të ftohtë dimri, një trumcak kish mbetur në mes të fushës e po dridhej së ftohti. Kalon atypari një lopë e i lëshon një bajgë. Bajga ishte aq e madhe sa që e mbuloi komplet trumcakun. Ngrohtësia që ajo lëshonte bëri që trumcakut t’i vijë shpirti në vend. Pasi e mori disi veten, u bë kurioz të shihte ç’bëhej jashtë. Sa nxori kokën, fap, një skifter e kap me sqep dhe e ha”. Kuptimi: “Jo çdokush që të dhjet ta do të keqen, por… kur je i dhjerë, mos e ngri kokën lart”. Ndryshimi i trumcakut me qeveritarët tanë është se i pari e bëri nga kurioziteti i tepërt, ndërsa këta të fundit, ndonëse janë të dhjerë kokë e këmbë, ndjehen krenarë për gjithëfarë punësh të liga që kanë bërë në shpërdorim të detyrës apo përfitimit jashtë ligjor. Ata e mbajnë gjithmonë kokën lartë, sepse e dinë që skifteri i ndëshkimit ligjor s’mundet dot t’i “hajë”. Është pikërisht bajga që Berisha u ka bërë mbi kohë që i bën të paprekshëm. Po vetë Berishës, kush ia ka bërë bajgën???!!!

* * *

I mbani mend besoj sondazhet e para pak viteve ku ndër pyetjet se, “në cilin nga institucionet e shtetit keni më shumë besim?”, përgjigja që vinte në krye të klasifikimit qenë Presidenca dhe ministria e Mbrojtjes. Kjo, pasi drejtuesit e këtyre institucioneve në kohën e sondazhit, falë punës së tyre dhe të paraardhësve, e kishin ngritur lart emrin e institucionit. Ish aktori, tashmë në ministrinë jeshile, nuk është me ai djali i mirë violinçelist që thoshte se “jam një viu-viu”, porse i kalitur mbi tanket anti-Berishë, tani nuk tutet të bëjë nga skandale politike (përgjimin e opozitës), te skandalet ekonomike (nxjerrjen pa kriter në shitje të reparteve e institucioneve ushtarake), deri te skandali i fundit, ai për kontratën disavjeçare të uniformave.

Dhe ia arriti me sukses që emrin e mirë të institucionit ta zhysë në llumin e mosbesimit popullor. Edhe tjetri, rioshi i Presidencës, nuk priti gjatë që t’ia humbë besimin institucionit për ta kthyer në aneks shtesë pa leje të qeverisë. E bëri ashtu, urtë e butë, siç ka ditur t’i zbatojë të gjitha urdhërat që i janë dhënë nga ata që i ka patur mbi e nën krye. Se për veten e tij asnjëherë s’qe i zoti të merrte vendime me vullnet të lirë pa diktatin e dikujt tjetër. Të njëjtën gjë po vijon të bëjë, ndonëse me kushtetutë s’ka më epror mbi kokë veç ligjit, por sipas zakonit të vjetër vijon t’i bëjë fresk Maliqit…

* * *

Një nga pasuritë kombëtare të privatizuara pak vite më parë në mënyrë të dyshimtë, tashmë vihet nën sekuestro si një garanci pengu për një tjetër pasuri kombëtare, e fundmja e Mohikanëve e mbetur, që po pëson të njëjtin fat nëse s’ndalet në kohë. Ndërkohë Lotarinë e mori lumi dhe iu bë dhuratë ca të huajve të cilët sa për sy e faqe do e administrojnë ca kohë si puna e asaj pasurisë tjetër e pastaj po kjo do blihet nga ata që kanë kohë që merren me lloto televizive për të majmur pangopshmërinë e tyre në kurriz të mungesës së investimeve që duhet të shkonin për sportin, programeve sociale, arsimit etj. Paralelisht po rivjen oreksi për ujrat territorialë nga fqinji jugor në këmbim të miratimit të projektit të gazsjellësit transadriatik. A mbeti më gjë kombëtare pa shitur e falur?

* * *

Sa herë shkruajmë për skandalet e qeveritarëve duket sikur përsërisim të tjerët. Kush më shumë e kush më pak i ka cekur si tema. Në fakt për to duhet shkruar sa më shpesh. Janë probleme që më shumë se kujtdo u intereson qeveritarëve të lihen në harresën e kohës. Ata do ndjeheshin komodë që pas çudisë tri ditore, skandali i tyre të harrohej. Ata përpiqen me lloj- lloj mënyrash që skandalin më të fundit ta përmbysin me një tjetër skandal që të tërhiqet vëmendja nga i pari e të fokusohen tek i dyti e sa të kalojnë ato të mallkuara triditëshe, të shpresojnë që një kolegu të tyre t’i plasë skandali i tij që të harrohet ky e njerëzia të merren me të. E pastaj për t’ia kthyer borxhin të vijojë po ky me skandalin e radhës dhe loja të bëhet aq e mërzitshme sa mos t’ia ketë ngenë njëri të merret me ata. Duhet thënë se kanë mundur që një pjesë të opinionit ta bëjnë indiferente. Po për të qenë i saktë, duhet të presim 2013-ën për të parë nëse kanë ngjitur a jo në publik skandalet e përditshme qeveritare…

* * *

E gjitha kjo që përjetojmë sot e ka pikënisjen qysh nga viti ’97. Duke nisur nga ai që sot drejton ekzekutivin e të gjithë poshtë tij, nuk u hetuan e as u gjykuan ndonjëherë për gjithë ato të zeza që gatuan ndër vite. Kur ranë nga fiku morën arratinë nëpër botë, se baca Sali shumësyresh prej tyre i kish pajisur më pasaportë diplomatike. Më pastaj, me ligje tinzare, në kuadër të një pajtimi kombëtar fals, u amnistuan në kohë të ndryshme shumë krime, nga ato me karakter shtetshkatërrues, vijuar me ato ekonomik e deri në eleminime fizike. Pas një cikli të caktuar kohor, natyrshëm vjen dhe rehabilitimi me rikthimin në pushtet (Berisha & Co), e pastaj në punësimin në administratën e lartë shtetërore të të arratisurve të dikurshëm (Gazidede, Shehu, Ajazi e shumë vegla të tjera qorre). Pasojat e gjithë kësaj paqeje me fajtorë të pandëshkuar, po i pëson sot gjithë shoqëria shqiptare. I ligu mbetet i lig edhe po i dhe një dorë. Rasti i Nazmie Vishës e shumë të ngjashmeve si ajo, na lënë të kuptojmë se çdo të thotë ta lësh të pandëshkuar ligjërisht një keqbërës…