Të dalësh mbi Ligjin

0
26

Nga Elira Canga, 25.11.2010

Ngjarja e 14 nëntorit, kur një deputete shqiptare lëshoi një breshëri sharjesh ndaj një polici të thjeshtë në kufi rin mes Shqipërisë dhe Kosovës,vetëm sepse donte të kalonte me nxitim, pa pritur në radhë si të tjerët e pa respektuar procedurat, ishte tepër banale për t’u kujtuar gjatë.
Për moszbatim të ligjit dhe fyerje të figurës publike, deputetja Albana Vokshi u shoqërua në komisariatin e Prizrenit dhe u dënua me një gjobë prej 250 eurosh nga autoritetet gjyqësore.

Por, kur të njëjtat autoritete në fund të së njëjtës ditë e anuluan vendimin e mëparshëm, pa dhënë asnjë motiv, njësoj sikur rrëfimet e tre policëve kosovarë dhe Vokshit të mos kishin ekzistuar kurrë, gjithçka u bë e turpshme, tregues i shoqërive të vogla, që jetojnë ende nën komplekse inferioriteti e paligjshmërie dhe nën ndikim të jashtëzakonshëm nga pushteti që i drejton.

Ngjarja mori përmasa të habitshme kur kryeministri kosovar, Hashim Thaçi kërkoi ndjesë për incidentin dhe kryeministri shqiptar, Sali Berisha, me krenari e “rrëfeu” këtë në një deklaratë për gazetarët, fill pas kthimit nga samiti i NATO-s në Lisbonë. Madje, deklaroi se e gjitha ishte një akt i papërgjegjshëm nga ana e autoriteteve kosovare. Nuk di nëse ndokush mund ta kuptojë se si një kryeministër mund të kërkojë falje për një përfaqësues të policisë së shtetit vetëm se ai bën detyrën e tij, ndërsa një tjetër kryeministër sqaron publikun për ngjarje të tilla dhe jep vlerësime për vendimet e gjykatës.

Është vërtet akt i papërgjegjshëm kërkesa e një polici, për të qëndruar në radhë? Është akt i papërgjegjshëm vendimi i gjykatës për të penalizuar atë që shkel ligjin? Kjo histori mund të ishte tepër banale, për të marrë përmasa si këto, por jo më deputetë përdorin pushtetin e tyre për të zhvlerësuar vendime gjykate dhe kryeministra e miratojnë dhe e ndihmojnë këtë.

Për hir të së vërtetës, duhet sqaruar e gjithë ngjarja. Kujtdo mund t’i ketë ndodhur të udhëtojë drejt Kosovës nga veriu i Shqipërisë dhe kushdo mund të dëshmojë se policët kufitarë kosovarë nuk “shquhen” për ndonjë vrazhdësi apo rreptësi specifike, siç do të ndodhte në ndonjë kufi tjetër të vendit me fqinjët. Nëse e njëjta ngjarje do të ndodhte pikërisht aty, kryeministrit të vendit tim kjo nuk do t’i dukej aspak akt i papërgjegjshëm, por “një incident që, sidoqoftë, nuk cënon marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy popujve dhe qeverive”.

Po pikërisht sepse janë policë kosovarë dhe jo grekë, maqedonas apo edhe të UNMIK-ut si dikur, çdokush mund të pretendojë privilegje në kalimin e kufirit, trajtim të veçantë dhe sjellje të përulur. E aq më tepër një përfaqësues i Kuvendit të Shqipërisë që mendon se këto privilegje “të vockla” janë më e pakta që mund të përfitojë nga statusi i ri. Pak vite më parë, media në Holandë publikoi foto të kryeministrit Jan Peter Balkenende, i cili shkonte në punë me biçikletë dhe priste, në radhë, dritën jeshile të semaforit. Në Uashington, Daniel Fried, deri vonë ndihmëssekretar i Shtetit për Çështjet Europiane, priste autobusin për të shkuar në shtëpi, njësoj si të tjerët, sado e paimagjinueshme të të duket një gjë e tillë.

Por jo në Shqipëri a Kosovë. Këtu ministra, deputetë e zyrtarë të çdo rangu zgjedhin të shkelin të gjitha rregullat, të kalojnë pa të drejtë para të gjithë të tjerëve, të parkojnë kudo e të mos i përgjigjen askujt. A thua se me statusin e ri u kanë ardhur të gjitha privilegjet e paligjshme që duhet t’i vënë në zbatim me nxitim, para se t’u mbarojë mandati. Në Shqipëri e Kosovë ligji nuk zbatohet. Ai shkelet nga ata që e propozojnë, që e miratojnë, që janë përgjegjës për garantimin e zbatimit të tij.

Një shtet i së drejtës, si ai që duam të ndërtojmë, nuk është asgjë tjetër veçse një grumbull ligjesh e institucionesh, që duhen respektuar maksimalisht. Nuk po flas për edukimin e publikut me ndjeshmëri e kulturë perëndimore, por thjesht dhe vetëm për zbatimin e rregullave që janë miratuar. Gjithçka nis prej kësaj e nëse kjo mungon, nuk ka rëndësi se çfarë bën për t’i mbushur mendjen BE-së se ç’dëshirë të madhe ke për t’u integruar në një familje që ligjin dhe respektin për të e ka të padiskutueshëm.

Edhe më e turpshme është që, nën presion a për ndonjë ndjesi të pajustifikuar inferioriteti, një gjykatë të hedhë poshtë vendimin e saj bazuar mbi prova, për të dënuar atë që shkel ligjet, qoftë edhe ministër apo deputet. Dhe nga ana tjetër, të detyrosh një gjykatë të ndryshojë vendimin brenda ditës, kjo është një shkelje edhe më e madhe e ligjit sepse është e qëllimshme, aplikohet nga pushtete më të larta se gjyqësori dhe vë në dukje brishtësinë e vetë institucioneve të shtetit.
Një ngjarje banale si ajo e 14 nëntorit do të harrohej shpejt. Nëse një kryeministër nuk do ta kishte shfaqur kaq hapur servilizmin e tij. E nëse një tjetër nuk do ta përdorte këtë për të pastruar publikisht figurën e një deputeteje arrogante që nuk di a nuk do të zbatojë ligjin.