
Nga Korresp. 24-ore.com
Policët krijuan një “korridor” rreth 15-20 metra të gjatë të vendosur në dy rreshta paralelë dhe na futnin në mes duke na qëlluar dhe pështyrë secili prej tyre me rradhë, nga i pari tek i fundit..”.
Vazhdojnë të vijnë dëshmi të terrorit të ushtruar nga policia e shtetit ndaj qytetarëve të protestës antiqeveritare të 21 janarit. Dëshmia e mësipërme është dhënë nga një prej të ndaluarve me grupin e 113 të arrestuarve të parë, të cilët janë liruar më pas nga Gjykata për mungesë provash, Olsi Peshtanaku.
Rreth 50 prej tyre kanë dorëzuar paditë ndaj policisë ndërkohë që përgjegjësit e kësaj dhune që të kujton sjelljen e paramilitarëve të Arkanit ndaj kosovarëve, nuk do kalojnë në heshtje, pas qetësimit të situatës. Olsi ka dëshmuar se i janë grabitur nga policët edhe rreth 10 mijë lekë të reja që ka patur me vete.
Ai nuk është i vetmi. Dhjetëra të ndaluar të tjerë kanë dëshmuar se janë rrahur egërsisht, janë fyer në mënyrë brutale nga policët e shtetit që paguhen me taksat e shqiptarëve, u janë vjedhur më pas sende personale përfshi syze dhe celularë. Kur kanë shkuar ti kërkojnë, policët u kanë thënë “shkoni kërkojini në protestë”.
Prindërit e Markelian Saliko nga Përmeti i kanë thënë dje Shekullit se kërkonin prej katër ditësh djalin e tyre të marrë nga policia në protestë dhe e kanë gjetur vetëm dje të flakur “në një burg te Mine Peza” ndërkohë që zyrtarët e policisë i kanë përcjellë dhe gënjyer duke i “shëtitur” nga komisariati në komisariat, siç kanë bërë me shumë të afërm të të ndaluarve të tjerë.
Avokati i Popullit, në raportin kritikues ndaj Ministrisë së Brendshme dhe institucioneve në vartësi të saj policisë, ka theksuar më në fund hapur se veprimet e policisë ditën e demonstratës ndaj protestuesve kanë qenë të paligjshme.
Përveç kësaj, sipas raportit të avokatit të Popullit që tashmë është administruar në dosjen hetimore nga prokuroria, komisionarët i kanë cilësuar veprimet e policisë duke qëlluar me gurë ndaj demonstruesve si veprime primitive dhe jo ligjore.
“Në asnjë shtet të botës dhe në asnjë rregullore, apo ligj në fuqi në Shqipëri, nuk është e lejuar që policia t’i kundër përgjigjet demonstruesve me gurë siç bënë forcat e ndërhyrjes së shpejt ditën e demonstratës. Ata duhet të përdornin në rastet e vetëmbrojtjes, siç përdoren shkopinjtë e gomës, gazin lotsjellës apo edhe sende të tjera të parashikuar në ligj dhe rregullore, por, asnjëherë me gur”,-thuhet nga burimet e prokurorisë, duke iu referuar raportit të Avokatit të Popullit.







