Tashmë koha punon kundër Berishës!

0
35

Mero Baze

Nga Mero Baze, “Faktori Plus

Kryeministri Sali Berisha duket se është vendosur para presionit ndërkombëtar për të pranuar hapjen e kutive që përmbajnë materialet zgjedhore dhe kjo ofertë po qarkullon si lëshimi përfundimtar i tij. Ambasadorët e perëndimit në Shqipëri, por edhe faktorë të tjerë të diplomacisë perëndimore, po shikojnë hapjen e pjesshme të kutive, pra vetëm kutitë e materialeve zgjedhore si mundësinë e konsensusit për të nxjerrë opozitën nga kriza.

Nga pikëpamja teknike, hapja e kutisë së materialeve zgjedhore është diçka që nuk mund të pengohet, pasi nuk është rinumërim votash dhe as verifikim vote, por thjesht konstatim i procedurës së votimit, që është kompetence e hetimit parlamentar në çdo kohë. Nuk jam i sigurt se sa opozita mund të kënaqet me këtë zgjidhje të pjesshme dhe po aq i pasigurt nëse Berisha nuk e saboton këtë ofertë gjatë rrugës siç sabotoi ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentar.

Problemi i vetëm që ai ka në këto moment është, jo lufta me opsionet që zgjidhin krizën, por lufta me krizën që djeg opsionet. Nëse ky opsion do të ishte dhenë disa muaj ose dhe javë më parë, ndoshta do të ishte i kënaqshëm për opozitën dhe çështja mund të zgjidhej pa shkuar deri këtu. Po ashtu, nëse Berisha do të ishte treguar i sinqertë me komisionin parlamentar, ai mund të funksiononte dhe çështja nuk do të shkonte deri këtu. Por qëllimi i Berishës ka qenë të fitonte kohë për të poshtëruar opozitën dhe për t’i dhënë asaj një leksion historik nënshtrimi, duke mos përfillur asgjë prej kërkesave të saj.

Tashmë që ky opsion po qarkullon dhe si leje gjysmëzyrtare e Berishës, problem nuk është cilësia e tij, por fakti që tashmë lufta ka shkuar shumë tutje dhe se dita ditës ka më pak kohë dhe luks për spekulime të tilla. Berisha ka humbur besueshmërinë ne çdo negociatë me opozitën, ka humbur besueshmërinë me faktorin ndërkombëtar dhe mbi të gjitha ka humbur shansin të ofrojë zgjidhje, që mbështeten te besimi mes palëve. Çdo propozim që nuk është i garantuar me ligj nuk mund të ndalë protestën e opozitës.

Edhe nëse opozita bie dakord për zgjidhje të tilla, edhe nëse opsioni i kontrollit të materialeve zgjedhore pranohet si opsion për zgjidhjen e krizës, gjithçka duhet të certifikohet nga protesta. Për fatin e keq të Berishës dhe fatin e mirë të demokracisë në vend, protesta politike u rikthye në piedestalin e saj si mekanizëm presioni dhe ajo duhet të qëndrojë aty deri sa të përfundojë misionin e saj. Lidershipi i opozitës ka mandatin e duhur për të negociuar, por protesta duhet të ndalet atëherë kur të jenë fituar me ligj kauza e hapjes së kutive.

Çdo përpjekje për të shuar protestën me opsione të rreme që përsërisin skenarin e mesit të prillit, kur ende pa hipur në avion Komisioneri Fule, Berisha miratoi një Komision Parlamentar pa opozitën, nuk mund të pranohet. Koha, e cila deri tani ka qenë aleate e Berishës, tanimë është armike e tij. Ai është vonë për të ofruar zgjidhje, vonë për të qenë i besueshëm dhe mbi të gjitha vonë për të poshtëruar protestën me skenarë të rremë kompromisi.