Tani edhe Policia e Kunatit!

1
41

Nga Mero Baze, 8 Dhjetor 2011

Kamera e Vizion Plus ka fiksuar një person që qëllon mbi deputetin Saimir Tahiri, e fyen atë me një fjalor të rëndë rrugësh dhe policë rrotull tyre që nuk ndërhyjnë. Gjithçka ndodh 20 metra larg Ministrisë së Brendshme, në një protestë paqësore të Forumit Rinor të opozitës. Tipi, një rondokop ezmer, me një çantë të hedhur në qafë, dukej i thirrur aty për sherr, por mbi të gjitha kishte një autoritet më të lartë se sa Policia Bashkiake dhe Policia e Rendit.

Fytyrat e trembura të policëve të rendit, kur ai shante dhe fyente me fjalor vulgar deputetin, flisnin qartë se ai tipi ishte më i rëndësishëm se polici. Ishte ai që urdhëroi grisjen e banderolave të demonstruesve, shtyu dhe fyeu deputetin, kërcënoi kameramanin dhe u soll pa asnjë shqetësim pas shpërndarjes së protestës.

Nuk besoj se ka ndonjë polic në detyrë aty që nuk e di kush është ai person. Ndoshta deputeti Tahiri do bëjë kallëzim penal për të dhe emri i tij do të merret vesh.

Ajo që u mor vesh nga ajo skenë dhune ndaj një deputeti, në mes të policëve bashkiak dhe atyre të rendit, ishte që ekziston dhe një polici tjetër, më e pushtetshme dhe e frikshme se policitë legale që ne paguajmë. Është policia e Kunatit.

Njeriu që ka kthyer Bashkinë në një vatër të pushtetit familjar, qysh nga zyra e kuadrit, tatimeve, lejeve urbanistike dhe bizneseve partnere me Bashkinë, tashmë duket se po demonstron dhe një forcë paramilitare që paska në dispozicion, një forcë banditësh që thirret për të shpërndarë protestën e opozitës, privatisht në sytë e Policisë së Shtetit, e cila ka dhënë leje për protestën.

Kjo polici i ngjan atyre policëve privatë të 21 Janarit, që rrahën gazetarë dhe deputetë, që hiqnin zvarrë njerëz në pjesën e Piramidës, e pse jo ndokush prej tyre dhe vrau demonstrues. Ata nuk kanë punë me pjesën formale të shtetit, nuk kanë punë me ligjet dhe të drejtën e opozitës për të protestuar. Ata janë pushteti i fshehtë i oborrit, ose më mirë të themi “garantët” e pushtetit të tyre.

Lulëzim Basha është frikacak. Ata që e njohin nga afër, por dhe ata që kanë qoftë dhe një kontakt me të, shikojnë një njeri të pasigurt në veprimet e tij një njeri, i cili ka nevojë për shumë garanci që të hyjë në një betejë. Më 21 Janar ai la pa mbrojtje Policinë e Shtetit, pa kundragaz dhe mburoja të sigurta, dhe armatosi policinë private dhe banditë rrotull kryeministrisë që bënë gjëmën mbi qytetarët. Në çdo fushatë zgjedhjesh ai ka marrë nga pas kontigjentet më kriminale në vend, që nga të burgosur për vrasje e deri tek killerë të njohur të qytetit dhe i ka përdorur pa drojë mbi kundërshtarët.

Fushata e fundit e 8 majit në Tiranë, shfaqi në krah të tij njerëz që i vinin dinamit kundërshtarit dhe thyenin tribuna deputetësh. Fuqia që Lulëzim Basha u jep këtyre njerëzve, tejkalon fuqinë e pushtetit ligjor, tejkalon fuqinë që ka Policia e Shtetit apo Bashkiake. Ata kanë leje jo vetëm të vrasin, por dhe të mbajnë nën terror strukturat e policisë, që t’i paralizojnë mos të bëjnë detyrën. Ata janë njësoj si Këmishat e Zeza të nazizmit dikur, që poshtëronin policinë dhe rendin, dhe shfaqnin pushtetin e tyre okult mbi çdo gjë që ishte kundër Fyhrerit.

Ajo që ndodhi dje në rrugën ku bën biznes Kunati i tij, ishte një ilustrim i frikshëm i një shteti paralel, që komandohet prej njerëzve të Oborrit. Hë për hë, unë po i pagëzoj si “Polici e Kunatit”, për shkak se ai ka nën kontroll çdo gjë në atë ndërtesë, por Prokuroria duhet të na japë urgjent identitetin e tij. Kjo jo vetëm për të vënë në vend shtetin ligjor, por mbi të gjitha për të mos lejuar askënd të ngjallë frikë në emër të një shteti paralel me shtetin ligjor, që vepron kundër pozitës në këtë vend.

Nuk besoj se u duhet shumë kohë ta gjejnë. Mjafton të marrin kamerat që kanë transmetuar pamjet dhe duhet t’i hedhin prangat. Kështu do të jetë më i sigurt dhe biznesi i Kunatit në një nga rrugët pedonale të Tiranës. Kështu nuk do tremben as vizitorët të shkojnë të vizitojnë kasollet prej druri që janë parashitur 3 mijë euro. Kështu s’ka nevojë të ndërhyjë as Ambasadori Wollfarth, që është këtu për të drejtat politike dhe lirinë e shtypit. Mundësojani atij të shkojë i qetë dhe tek kioska e qofteve dhe të na mburret se e mbylli sherrin e policisë së Kunatit me të rinjtë e opozitës.

1 COMMENT

  1. Nje gje nuk kuptoj : Mero Baze eshte duke shkruajtur per “Liza ne boten e çudirave” apo per gjera qe ndodhin ne realitet?
    Si eshte e mundur qe askush nuk shqetesohet per keto fakte,nese jane te verteta?
    A ka President?
    A ka Pushtet Gjyqesor?
    A ka parlament?
    A ka opozite?
    Nese ato qe shkruan Mero Baze nuk jane te verteta,perse nuk merren masa kunder ketij personi “luftenxites”?
    “Nje anije ne port eshte e sigurte.Por anijet nuk jane bere per te qendruar ne port.” J.A.Shedd.

Comments are closed.