Tallje dhe dritëshkurtësi

0
81

Nga Preç Zogaj

Qeveria “Berisha” ngriti sërish sëpatën e madhe mbi buxhetin e miratuar në fund të vitit të kaluar. Ministri i Financave njoftoi në Komisionin e Ekonomisë shkurtimet e reja të fondeve, investimeve dhe vendeve të punës, shkurtime të cilat fare lehtë mund të përkthehen në tkurrje të re të ekonomisë, në letargji të mëtejshme të investimeve publike, në drama vetjake e familjare për sa e sa individë të punësuar në sektorin publik, të cilëve do t’u bjerë mallkimi të shkojnë në shtëpi.

Pritej që qeveria të kërkonte falje për një gabim dhe dështim tjetër të bujshëm në parashikimin e të ardhurave të buxhetit. Pritej ndërkaq që kryeministri, në mungesë të zakonit për të bërë autokritikë, t’i jepte, së paku, një ditë pushim euforisë së tij proverbiale. Por jo. Llogaridhënia dhe ndjesa kanë vdekur me kohë në qeverinë e vendit më të varfër të Europës.

Si në një ndarje rolesh, pikërisht ditën e ekspozimit të pashmangshëm të shkurtimeve në buxhet nga zoti Bode, shefi i Ekzekutivit, zoti Berisha, duke dashur të zhurmojë lajmin e keq, u përfshi në një aksion vetjak të zbukurimit të ekonomisë së vendit, duke i thurur ditirambe modelit të tij ekonomik. Pa menduar asnjë çast për dramën e atyre që do të humbin vendet e punës apo për ata biznesmenë që do të ngelin sërish me gisht në gojë, në kufijtë e falimentimit, pasi qeveria nuk u ka paguar e vazhdon të mos u paguajë borxhet. Fisnikëria e do që të mos i tringëllish verdhushkat kur përqark ka të vuajtur apo borxhdhënës. Por ky është një zakon që nuk njihet nga udhëheqësit dhe regjimet e stampës propagandistike. Është vërtetë shumë ironike dhe cinike njëkohësisht që në prezantimin e një dështimi, që ka ardhur veç të tjerash edhe nga euforia, t’u frysh akoma më fort tullumbaceve të euforisë.

***

Ironia tjetër në këtë histori shtrihet me thellë në kohë. Ja cila është: Në dy apo tre vitet e para të ardhjes në pushtet, qeveria “Berisha” hartonte buxhete suplementare në mes të vitit ngaqë në arkën e shtetit hynin më shumë para se sa parashikimi. Në vitet 2010-2011 buxhetet suplementare po xhirojnë mbrapsht, si në një antirevansh ndaj viteve të arta”, sepse në arkën e shtetit hyjnë më pak para se parashikimi.

Në të dyja rastet, qeveria nuk i ka rënë shenjës dhe është sfiduar nga ekonomia reale. Por nëse herën e parë “gabimi” ka qenë si derdhja e vajit në lakra, herën e dytë “gabimi” po heq nga tava edhe një pjesë të lakrave.

Ka disa pikëpyetje apo probleme që ngrihen në këtë rikthim, si pa të keq, të reduktimit të buxhetit në mes të vitit.

Problemi i parë ka të bëjë me gabimin. Pse qeveria, që menaxhon një ekonomi modeste si kjo që kemi, gabon kaq rëndë në parashikim? Qeveria, si rregull, duhet ta dijë më mirë se opozita, shtypi dhe institucionet financiare ndërkombëtare, cilat janë kapacitetet reale të saj në periudhën e dhënë, cila është pritshmëria, cila është prognoza në kontekstin e të rejave brenda dhe jashtë vendit.

Praktikisht, në vendin tonë po ndodh e kundërta. Qeveria ka treguar se është më e distancuar dhe më e huaj në raport me ekonominë reale. Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Opozita, madje edhe Shtypi kanë qenë më realist se qeveria në leximin e krizës dhe në parashikimin e trendit. Ky është një paradoks që shpjegohet me mosnjohjen e realitetit, me qasjen e vjetër propagandistike që pandeh se shifrat e të ardhurave mund të diktohen nga zyrat me frymën e shenjtë, me hendekun midis një qeverie që mbyllet përditë në kullën e saj të fildishtë dhe një ekonomie që goditet nga të gjitha anët e nuk ndihmohet nga asnjë anë. Fakti që mungesa e të ardhurave vetëm konstatohet dhe “korrigjohet” si një veprim mekanik, por ndërkohë askush nuk mban përgjegjësi për dështimin, tregon qartë se buxhetin nuk e përftojnë nga ekonomia reale specialistët, por e “urdhërojnë” krerët e qeverisë.

Ndoshta pompoziteti i tyre motivohet edhe nga ideja se ekonomia ka nevojë të frymëzohet me optimizëm. Por, në fund të fundit, hesapet duhen bërë me ekonominë reale. Këtu e bëjnë diferencën profesionistët dhe të përgjegjshmit. Parashikimet në hava tregojnë se nuk ka timon. Kjo është e rrezikshme dhe me pasoja katastrofike edhe në ekonominë e tregut. Vetërregullimi nuk e përjashton “timonin”. Përndryshe, gjithçka do të ishte xhungël.

Problemi i dytë ka të bëjë me mungesën e transparencës për sa i përket shkurtimeve. Të kuptohemi. Këtu nuk mund të mbahet sekret rishikimi i buxhetit, pasi ai do të votohet në Kuvend. Por publiku, shtypi, vetë mjedisi politik, ekonomik, shkencor dhe intelektual kanë nevojë të informohen dhe të mësojnë se çfarë nuk ka funksionuar, cilat janë konkretisht të ardhurat e munguara, çfarë po ndodh në ata sektorë ku në harkun e gjashtë muajve janë krijuar gropa të tilla. A janë dukuri kalimtare këto gropa apo paraqesin një tendencë që do të vazhdojë edhe në të ardhmen? A po ndryshon fizionomia e ekonomisë për këto shkaqe? E të tjera e të tjera. Një analizë e tillë mban gjallë premisat e sjelljes së përgjegjshme në të ardhmen. Ndërkohë që mungesa e saj tregon se qeveria do të vazhdojë me “ku rafsha mos u vrafsha”.

Problemi i tretë lidhet me të panjohurat e krizës që ka pllakosur ekonominë e vendit. Nuk shohim të ketë asnjë qasje serioze dhe profesionale nga ana e qeverisë që të tregojë se sa për qind e kësaj krize vjen nga ndikimi i krizës globale dhe sa për qind vjen nga kriza e të ashtuquajturit “model” vendas i zhvillimit. Kjo çështje themelore nuk mund të driblohet me shakara propagandistike të tipit “kemi rritjen më të lartë në Europë”, “modeli ynë e përballoi me sukses cunamin e krizës botërore” e të tjerë. Shakara të tilla janë edhe tallje me shtrëngimin e vazhdueshëm të rripit, si dukuri mbarëkombëtare e kohës, që nga familja më e thjeshtë deri te shumica dërmuese e sipërmarrjeve të mesme dhe të mëdha shqiptare.

Nuk ka dyshim se kriza botërore ka pasur e ka ndikimin e vet në stopimin e ekonomisë shqiptare, megjithëse edhe për Shqipërinë vlen batuta domethënëse “Bosnjën nuk e çan asgjë, madje as kriza”, që europianët e kanë shpikur për të treguar “imunitetin” e vendeve të paintegruara ndaj krizës globale. Por kriza shqiptare, sipas mendimit tim, është para së gjithash një krizë e brendshme e modelit shumëvjeçar vendas, që e ka parë sipërmarrjen vetëm si lopë për ta mjelë, që është ushqyer me paratë “qyl” të emigrantëve, privatizimeve, financimeve të huaja dhe trafiqeve. Ky farë modeli ka inkurajuar dhe kurorëzuar lehtësinë, mediokritetin dhe arrogancën e qeverisjes; ka likuiduar dijen dhe promovuar injorancën.

Kjo ka ndodhur ngaqë është një model që vetëm i mbledh, i harxhon apo në rastin më të mirë edhe i administron paratë, por nuk i prodhon ato. Impulset e fundit të këtij modeli erdhën me “epideminë” e kredimarrjes që shpërtheu në mbarë vendin pas vitit 2006. Ishte e pritshme që lumi i kredive të shtonte të ardhurat në buxhet. Por tani, tre-katër vjet me vonë, kjo histori po tregon anën e pasme të medaljes me kreditë e këqija dhe me lakun e interesave që sipërmarrësit mezi arrijnë t’i shlyejnë apo t’i negociojnë. Ato pak lekë që u kanë mbetur apo që fitojnë me vështirësi të mëdha i kanë kryesisht për bankën. Gjithnjë e më pak për buxhetin e shtetit dhe akoma më pak për punëmarrësit. Prurjet e emigrantëve dhe privatizimeve janë gjithnjë në rënie. Sipërmarrja shqiptare, për rrjedhim edhe ekonomia shqiptare, po ha vetveten.

Kjo gjendje pasqyron fundin e paevitueshëm të modelit që përmendëm, që nuk është pasuar me politika të matshme zhvillimi dhe me zgjidhje të reja që do të garantonin dinamizmin relativ të ekonomisë edhe në kohë të vështira.

Ka zgjidhje. Ka rrugëdalje. Por qeveria nuk po i kërkon ato. Shihet se qeveria aktuale e zotit Berisha e ka ndarë fatin e vet me modelin e vjetër, të cilit vijon t’i thurë ditirambe edhe kur i duhet të ngrejë sëpatën mbi buxhetin e shtetit në mes të vitit. Çfarë dritëshkurtësie!