Andrea Stefani
Ka disa kohë që fjala “liri” po përmendet gjithnjë e më shpesh në diskursin e Kryeministrit Berisha. Edhe dy ditë më parë tha diku se Shqipëria (kuptohet nën udhëheqjen e Berishës) paska bërë hapa të mëdhenj përpara drejt lirisë. Dhe ose ky kundërshtar i vendosur i lirisë së shqiptarëve nuk e ka idenë se ç’është liria, por e lufton atë instinktivisht si të kundërtën e sundimit që lakmon, ose tenton që duke vënë në gjuhën e tij emrin e lirisë, të maskojë veten si varrmihësi i parë i saj.
* * *
Që në nisje duhet të sqarojmë se për ç’liri flasim. Nuk flasim për çlirimin kombëtar apo sikundër quhet rëndom, lirinë kombëtare. E kemi fjalën për lirinë shoqërore dhe politike, për atë që mbetet problematike edhe për shoqëri, toka e të cilave nuk ka ndier shtypjen e çizmes së pushtuesit të huaj për dekada të tëra. Shqipëria është një nga ato. Ajo i shpëtoi shtypjes së huaj në mbarim të Luftës së Dytë Botërore për të hyrë nën një diktaturë lirivrasëse 45-vjeçare, ndoshta edhe më të egër se ajo naziste. Këtë diktaturë të egër mbi shqiptarët nuk e ushtruan të huajt, por një klikë shqiptarësh që kishin ardhur në pushtet si çlirimtarë. Natyrisht me ndihmën e “popullit” ose më saktë të turmave duartrokitëse që i merrnin shpirtin armiqve të popullit dhe të Partisë, armiqve të Enver Hoxhës.
* * *
Mbi XX vjet nga rënia e Murit të Berlinit, pikërisht ata shqiptarë që u shitën si çlirimtarë të shqiptarëve nga komunizmi, po bëhen vrasësit e lirisë së Shqipërisë. Po si komunistët e dikurshëm, ata kanë liderin e tyre Berisha, kanë një klan politik që e quajnë Parti Demokratike dhe, po si komunistët, janë të prirur të shpallin armik cilindo që kundërshton partinë dhe liderin. Dhe po të mos ishte për monitorimin e ndërkombëtareve, por edhe për disa shkaqe të tjera, nuk do të ngurronin t’i çonin në plumb apo në qeli këta armiq të partisë, Berishës dhe “demokracisë”.
Mbi XX vjet pas rënies së diktaturës komuniste, praktikat dhe mendësitë e saj po rishfaqen të maskuara me fjalë dhe mjete demokratike. Liria për të pasur bindje të kundërta me partinë në pushtet nuk persekutohet me burg, por persekutimi vazhdon me forma të tjera. Janë me mijëra shqiptarët që kanë humbur punën në sektorin publik për “fajin” e vetëm sepse nuk simpatizojnë partinë në pushtet apo liderin e saj. Po kështu, prona e konfiskuar dikur nga komunizmi mund t’i kthehet vetëm atij që shpalos devocion për PD dhe Berishën, por kurrsesi atij që nuk e ka këtë devocion. Sot, në Shqipëri, kemi një deformim masiv të së drejtës, shndërrimin e saj në padrejtësi për shkaqe politike.
Berisha mund të ngjiret sa të dojë për hapat e bëra drejt lirisë, por ky dhunim i drejtësisë është në thelb dhunim i lirisë. Sepse drejtësia, sikundër thosh një nga klasikët e konservatorizmit, është emri i dytë i lirisë. Drejtësia është liria vetë, është forma juridike që merr liria. Në këtë kuptim edhe Xhon Lok thosh se aty ku nuk ka ligj, nuk ka liri. Dhe Shqipëria është një vend pa ligj. Të shkruara ka sa të duash, por të zbatuara, sikundër kritikon pa reshtur edhe Komisioni Europian fare pak.
* * *
Nuk mund të ketë liri në një shtet ku nuk ka drejtësi. Berisha mund të harxhojë frymë sa të dojë për progresin e lirisë, por kjo është një propagandë e mjerë që mund të gënjejë ca besnikë të tij, por nuk bind askënd. Dhe që në Shqipëri nuk ka drejtësi, që drejtësia si pushtet është e kapur nga politika dhe korrupsioni kjo nuk do më koment. Dhe Berisha është një nga kryepërgjegjësit e kësaj gjendjeje të mjeruar të drejtësisë dhe lirisë në Shqipëri. Sulmi i tij kundër lirisë së drejtësisë është i faktuar që me fillimet e tranzicionit. Ai vazhdon edhe sot e kësaj dite me përdorimin e tiranisë së shumicës, për të hedhur poshtë kandidaturat e Presidentit të Republikës për Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese. Pse?
Sepse Berisha lakmon t’i kapë këto gjykata për t’i përdorur kundër lirisë së shqiptarëve. Sulmi berishist kundër lirisë u përshkallëzua me akuzat e përbindshme kundër Kryeprokurores si dhe Presidentit të Republikës për “puç”. Pse? Sepse Berisha lakmon të kapë këto institucione që t’i keqpërdorë kundër lirisë së shqiptarëve. Që lirinë e opozitës për të protestuar apo demonstruar ta shndërrojë me prokurorë të kapur në lëndë të parë për të akuzuar opozitën si armike të shtetit dhe për të plasur në burg.
Sikundër tentoi edhe më 21 janar, duke akuzuar opozitën, si një naziskin i vërtetë, për vrasje me pistoleta tip “çadër” të demonstruesve që u vranë nga pushteti i tij pikërisht se protestonin për liri. Plumbat e derdhur më 21 janar, ishin plumbat e terrorit të pushtetit mbi lirinë e opozitës. Mbi XX vjet pas rënies së Murit të Berlinit Berisha, bëri atë që nuk guxuan ta bëjnë në atë kohë shumë nga diktaturat e regjura komuniste. Edhe kur regjimi komunist vrau demonstruesit më 2 prill në Shkodër, vendi kaloi në zgjedhje të parakohshme. Pse? Sepse një qeveri që vret, humbet legjitimitetin.
Shqipëria nuk kaloi në zgjedhje të parakohshme pas 21 janarit, sepse Berisha këmbëngul që ka vrarë në emër të lirisë. Një liri që vret? Tallja është groteske. Por Berisha s’ndalet. Ai lakmon që shumë shpejt, pasi të emërojë si President Republike një delfin të tij, ky i fundit të emërojë një Kryeprokuror që do “faktojë” akuzat kundër opozitës të prodhuara në laboratorin gjithë intriga të Berishës. Dhe një moment i tillë, ogurzi për lirinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve, po afron. Po afron për faj të amendimeve të Kushtetutës të bëra në prill 2008. Do të jetë Berisha që do zgjedhë Presidentin që do vetë dhe do jetë Presidenti që do emërojë Kryeprokurorin që do Berisha.
Atëherë do të jetë Berisha dhe PDSH që do të caktojnë se kush është “mik” dhe “armik i popullit”. Dhe, natyrisht, të korruptuarit do jenë nga kampi i “armiqve”. Njësoj si në kohën e PPSH. Pikërisht në momentin kur po arrin përkryerjen e planit të tij për varrosjen përfundimtare të lirisë dhe drejtësisë në Shqipëri, Berisha hedh si tymëse nga tribuna thirrjen mashtruese: Rroftë liria! Është maska e të gjithë vrasësve të lirisë.