Talibanet/ët tanë!

0
62

Nga Bledi ManePublic Enemy, 21 Shkurt 2012
www.facebook.com/bledi.mane

1/. Lajme të frikshme, lajme bajate

Ministria e Mbrojtjes e gjeneral Arben Imamit dje në drekë e shpalli të vdekur, ndërsa në orët e muzgut deklaroi se komandoja shqiptar Aleksandër Peci është i gjallë, por në koma dhe pritet transferimi i tij në një spital të specializuar në Gjermani. Sot bashkia e Xhelal Mziut në Kamëz e shpalli me urgjencë “qytetar nderi” ndërsa CNN i Ted Turner-it në Atlanta thotë që polici kandahars hapi zjarr ndaj ushtarëve të NATO-s pas një zënke të çastit.

Dje ndërsa plumbat i përçonin trupin tropojanit Peci pse shqiptarisht&fisnikërisht tregoi se mbron vlerat e lirisë dhe ngjyrat e flamurit tonë, tropojani tjetër Berishë nuk denjoi të anulonte koncertin bajat të Çiljetës që këndonte për rrëzimin e bustit të burrit të Nexhmijes.

Sot, vetëm sot kur gjithkush para apo pas kamerave të televizioneve në shenjë respekti ndaj kodit të vdekjes së të ndjerit Feti Vogli duhej të mbyllte gojën e të qëndronte në heshtje, shfaqet një nga “ndrikullat” blu të parlamentit me emrin Rajmondë(ëëëëë) e fillon atakon presidentin e Republikës me muhabete kooperativash. Sot pra rikujtonte kooperativat bolshevike shoqja e PD-së së Doktorit ndërsa qysh herët në mëngjes gazetat rifotografonin ish komunistin Berishë kapur krahut me shoqen Vito Kapo (kujdes se ia ndrydhe krahun o doktor).

Sot ndërsa njerëzia dhe mediat bënin llogaritë e shefit të shtabit të përgjithshëm Xhemal Gjunkshi, i cili vetëm 7 mijë dollarë kërkon për rekrutimin (vdekjen) e një ushtari në Irak a Afganistan, familja Peci kujtonte varfërisht se i biri i tyre Aleksandri kishte shkuar me mision për të bërë edhe paratë e dasmës.

Ndërsa komanda e forcave amerikane dhe mjekët e misionit në Kandahar po përpiqen ta mbajnë në jetë e ta dërgojnë drejt spitaleve të Gjermanisë ushtarin trim Peci, sot pra lektorët dhe doktorët e fakultetit tonë të vetëm të mjekësisë në Tiranë ziheshin me garuzhde kokës pse votat e Hysës kërkonte t’i vidhte Pip…ero.

Ndryshe nga surealizmi i tragjikomedisë Ubu të francezit Alfred Jarry, e cila skandalizoi Parisin e 1896-ës, skena të ngjashme reale shfaqen çdo orë të ditës e nuk skandalizojnë as Tiranë, Durrës, Vlorë, Shkodër…

2./ Kandaharse talibanse albanistanse!

Duket se jemi të mirë e të rehatosur edhe kur shohim të shajnë e anatemojmë komunizmin dy pleq të vjetër, komunistët Luan Malltezi e Sali Berisha.

Spiralja e heshtjes, kjo shkencë vrastare politike duket se funksionin mrekullisht në vend. Mjaft mrekullueshëm kjo spirale ka rifilluar të mos jetë më e ekspozuar vetëm në stendat e muzeut të krushkut por edhe te reprezaljet e përçarjes dhe izolimit me nesh. Nëse studiuesja gjermane e opinioneve Noelle Neuman do të merrte një kampion nga opinioni publik shqiptar e të studionte shkaqet e kontraversitetit të kësaj lloj “indiference” do të nxirrte arsye tmerruese dhe bajate pse ne, kjo racë mesdhetare ezelësh apo menekshesh nuk pipëtijmë as kur gjëma na futet edhe në krevat.

Ne rehatosemi me çdo lloj diktati sepse ia mësuam hilet diktaturës së para ’90 dhe i kamuflojmë me indiferencë mëkatet tona. Bashkëfajtorë e bashkëvuejtës është filozofia jonë permanente e kjo ka të ngjarë që kur na erdhi sulltani i parë osman në trojet tona.

Nuk përbën lajm më, sepse qysh nga 2002 kur ikëm nizam në Afganistan e Irak ishim e jemi koshientë se mund të na vrisnin, por aman gjysmat e parave ia jepnim bakshish paradhënie komandantit të na shënonte emrin në listë. Qeveritë e majta e të djathta mbyllnin njërin sy me paaftësinë tonë dhe korrupsionin jeshil sepse vdekjet tona të korruptuara kapërdihen nën amballazhin e aleancave kundër terrorizmit vetëm e vetëm se kur të vjedhin votat e radhës duan që Washingtoni t’ua shkelë pak syrin në shenjë solidariteti. Heshtjen diplomatike e blejnë pak shtrenjtë por kjo pak rëndësi ka, një votë më pak nuk e tremb Arben Ristanin.

Madje meqenëse po flasim për vota, nuk ka aspak rëndësi pse votojmë dekanë a rektorë të ndryshkur edhe për mandate të tjera të mandatosura sepse plogështia që na ka kapur si pedagogë partie apo injoranca analfabete si studentë me këpucë caterpillar është vetëm një imitim i rutinës sonë të përditshme por befas kur një ditë na bie halli në gjykata, spitale, ujësjellës, polici dhe vuajmë padrejtësitë që themelet i kanë qysh në bankat e shkollës thjesht lëngojmë e kapërdijmë vuajtjet.

Spiralja e heshtjes sa vjen dhe thellohet më tej e kështu i zgjasim jetën Zogut, Enverit, Ramizit, Berishës.

Shqetësuese mbetet trashëgimija e kësaj spiraleje te më të vegjlit të cilët shëmtuar kopjojnë ata ose ato që u shfaqen çdo natë ekraneve (jo vajzat e motit sot dhe nesër).

Ka bazë të fortë kjo “indiferencë” e jona. E gatuajmë të parët këtë çorbë e kur na e rasin lugën në gojë shtrembërojmë buzët. E patë? Nuk e luajti bukur lojën e fundit presidenca e Topit e kësisoj i dha arsye të dalë e të shajë Rajmonda Bulku nëpër ekrane. Rajmonda, Rajmonda pra kjo kandaharse talebanse albanistanse.