Taktikat e zeza…

0
41

Berlin, dimër 2015

(Një udhë e rrahur mirë)

1.
Krerë të guvernës së lëkundur të Prishtinës, sajojnë si qakaj të hallakatur kurthe e taktika, për të shmangur përballjen me atë që quhet ligj. Mirëpo, sipas një fataliteti të çuditshëm që ndjek prorë kohët e sundtarëve të Kosovës, eksperiencat janë paqëtuese. Ligjet me veglërinë e tërë ekzistojnë vetëm për të dobëtit. Dhe Balzaku qëmoti shkruante figurshëm se ato janë ca si rrjeta merimangash që shqyhen nga mizat e mëdha, e ku ngecin ato të voglat… Po, sërish, droja sikur s’mërgon nga zemrat e tyre të helmta. Sepse, së paku, dialektika që ruan balansin natyral mes të me të mirës e të keqes, e thotë një ditë fjalën e saj… Dhe ky është makthi i vërtetë i hierarkëve që janë mbyllur në kullat e epërme nga s’shohin asgjë poshtë tyre…

Ata duan ta gëzojnë kalimsinë – e jo historinë. E tashmja për vdektarët impersonalë është e gjallë, e prekshme, jetike… Horaci thoshte se nuk është nder e kënaqësi vetëm të vdesësh, por dhe të jetosh për atdhe. Mirëpo urtaku latin lexohet ose, më saktë, ndjehet instinktivisht (se leximi është mallkim) ndryshmërisht prej tyre. Meqë vdekjen s’e bëjnë dot – aherë kanë zgjedhur të jetojnë për të, por krejt në kah të kundërt nga ç’do të ketë kujtuar mendjelashti i uruar: hajnueshëm, vrasshëm, grabitshëm, rrenacakshëm, dhunshëm, trathtueshëm, e pra – poshtërisht!

2.
Çfarë do të ndodhte, që këndej, sikur Kushtetuesja e përdalë të verdiktonte refuzimin e plotë (sepse si pranimi ashtu dhe refuzimi vetëm i tillë mund të jetë), të “Entitetit serb” si shkelës të shkronjës dhe frymës së saj?
Dhe, pastaj, nëse një ekspertizë (edhe e huaj), të konstatonte dhurimin shpirtmadh të bjeshkëve e të mijëra hektarë kullotash Malit të Zi?
Apo, së fundmi, ndonëse pushtetësit e Prishtinës i tmerron demokracia direkte si çelës vullneti, një plebishit referendar ta bënte këtë gjë, njëj udhe më të thjeshtë e të bindshme?
Aherë Premieri rrëshqanor dhe ndihmësi i tij, ky pinokio i drunjtë, do thoshin ngutshëm e cinikisht: ne jemi legalistë dhe, ndaj, njohim pa hezitim vendimet e instancave të epërme! Në fakt, bishtpërdredhuri i parë, me shpresën bizare në përgjigjen e favorshme gjykatës, paratha tashmë këtë lojë…

Vetëm kaq, vallë? Po vepra e krimit? Po faji? Po ndëshkimi i tij?
Ç’përceptim shpërdorues i punës a interesit publik dhe ç’keqkuptim tragjik i shtetit të së drejtës!

3.
“Marrëzia është e rrallë tek njerëzit e veçantë, kurse tek grupet, partitë, popujt a epokat, është një rregull”! Kështu pohon Niçe (“Përtej së Mirës dhe së Keqes”), por, me gjasë, nuk rrjedhon të jetë e saktë gjithmonë. Në Kosovën e sotme ajo, madhnia e saj, Marrëzia, është gati totale: tek të veçantët dhe tek të gjithë!
Erazmo i Roterdamit (“Lavdi marrisë”) i thurte hymn asaj, sepse, si thoshte, Hyu e kishte zbritur mëshirshëm poshtë, për ta shpëtuar botën nga serioziteti i mendimtarëve…
Rezulton, pra, se, sa më e dendur mjegullina e saj – aq më e lumur do jetë njerëzia pa dritën e mërzitshme mendimore..!

Po a nuk, vërtetë, kështu?
Ku do gjesh turmë më të gëzuar se në Kosovë? Këtë e konfirmojnë dhe relatorët e huaj që bëjnë barometrat e specifikuar duke i vënë gjithnjë shqiptarët e Republikës së re në ballë të tabelës!
E pse tani duhet të ndryshojë kjo magji?
R. K.