Takimi me Ambasadoren Fiona Mcllwham

0
49

Arjan Th. Kallço

Po bëhen të zakonshme takimet që përfaqësuesit diplomatikë të vendeve të Europës të akredituar në Tiranë, zhvillojnë në rrethe të ndryshme të vendit. Është mëse normale që vëmendja e tyre të përqëndrohet jo vetëm në kryeqytet, por edhe në skajet e ndryshme të të gjithë Shqipërisë, pasi kështu do të njihen më nga afër me problemet dhe arritjet që ka bërë secili. Ndoshta njohja mund të jetë relative, por të paktën të shohin realitetin me sytë e tyre dhe jo të propagandës së disa mediave të cilat i zbukurojnë apo errësojnë sipas interesit të pushtetit, cilido qoftë ai.

Më tej akoma, është kënaqësi t’i takosh, pasi kështu nuk ndihesh i detyruar që të dëgjosh dhe të marrësh vesh se çfarë mendojnë diplomacitë e huaja rreth Shqipërisë, zhvillimeve më të fundit dhe cilat janë perspektivat e afrimit me Europën, pasi hyrja mendoj se është tepër larg. Biseda mori një drejtim tepër të hapur me pyetje dhe me shkëmbime mendimesh midis auditorit, Ambasadores Fiona, nuk besoj se do të jetë problem që ta quajmë me emër pa shumë fjalë të tepërta, dhe përfaqësuesve të shoqatës shqiptare EMA. Ambasadorja më shumë se një rezyme të ngarjeve të fundit që lidhen me Shqipërinë dhe sesi e analizoi Europa vitin e kaluar, e shtroi problemin shumë thjesht me disa pyetje rreth të cilave mblidhej e gjithë filozofia e rrugës sonë drejt Europës.

Disa nga këto pyetje si, A keni besim tek reformat? A keni besim tek drejtësia? A duhet të sundojë ligji? etj. janë pasqyrim edhe i vizitës më të fundit të kryeprokurorit anglez në Tiranë. Ndoshta gjuha shkon ku dhemb dhëmbi dhe problemi i drejtësisë, mendoj se i ka dhembur jo pak zonjës në fjalë, meqë viti që kaloi duhet konsideruar si një nga vitet më të errëta të pas ’97. Por i ka dhembur edhe për faktin që përfaqësuesit më të lartë të shtetit, sigurisht kur nuk e meritojnë kritikën, u etiketuan si kriminelë, puçistë, fjalë që sikur e kishim harruar nga e kaluara, apo me një fjalor tepër banal, duke lënë një shije të hidhur edhe tek shqiptarët që nuk ndajnë asnjë gjë të përbashkët me këtë lloj politike, dhune verbale, fjalori etj.

Nëse ishin të tillë, atëherë përse u vendosën në krye të institucioneve më të larta të shtetit? A u analizua gjerë e gjatë integriteti i tyre i gjithanshëm, fjalë që Ambasadorja u detyrua ta përdorte shumë herë, moral dhe shoqëror? Nëse nuk është bërë një gjë e tillë, atëhere duhet të mendojmë se edhe përgjedhja e tyre u anashkalua, pasi përfaqësonte interesat e një klani të caktuar, deri në momentin që ishin pro përzgjedhësve. Por nuk besoj se do të ketë qënë kështu, pasi detyrat më të larta e shtetit, u përzgjodhën me konsultime dhe ndoshta sugjerime edhe nga faktori ndërkombëtar.

Pra, mbetet që integriteti nuk ishte themeli i atyre që i përzgjodhën, pasi nuk ka sesi të mos revoltohesh kur fjalori i kalon përmasat e cipës dhe ndërgjegjes kolektive. Mesa duket këtë lloj fjalori dhe këtë lloj dhune e kanë patur në qendër të vëmendjes që para marrjes së pushtetit, pasi me të njëjtën gjuhë dhe mendje flasin edhe pushtetarët mediokër të rretheve. Më e bukur akoma kur marrin poza të njerëzve që i dinë të gjitha, janë ekspertë për të gjitha dhe dëgjoni, o njerëz, dëgjoni, të bëjnë edhe leksione sesi duhet të sillesh në shoqëri dhe sesi duhet të veprosh në zanatin tënd.

Ja, pra, kjo është fytyra e vërtetë e një shteti absurd që kur i emëron në detyra janë engjëj dhe më pas kur nuk u shkojnë pas avazeve, papritur shndërrohen në djaj. E nuk ka sesi diplomatët e huaj të mos shqetësohen me këtë lloj demokracie alla shqiptarçe, sesi të mos tallen me Shqipërinë dhe shqiptarët. Mëse e drejtë, pasi edhe gati 90 vjet më parë, shpresoj që shpejt ta bëj gati artikullin, e njëjta skenë dhe e njëjta lojë luhej me shqiptarët kur përpiqeshin që t’u gjenin një mbret që ta qeveriste, pasi vetë shqiptarët nuk qenë të zotët. Dhe historia na flet se kur ndeshen dy deshë do fitojë njëri dhe tjetri ose ka marrë rrugët e syrgjynit në dhe të largët, ose i humb nami dhe nishani. Mjafton ta shohim më të detajuar historinë tonë dhe do të shohim se në përpjekjet për pushtet, i munduri e braktisur vendin në shumicën e rasteve.

Por po i kthehem takimit me zonjën Fiona, pasi në pyetjen time kërkoja pak spirale drite lidhur me statusin e kandidatit, satus që tek ne po na serviret tshmë i marrë. Pyetjes sime se a i ka standartet Shqipëria në sytë e Bashkimit Europian, zonja Fiona iu përgjigj se i takon Europës dhe institucioneve të saja që të gjykojë për standartet. Nuk ka dyshim se theksi vihet tek bashkëpunimi politik i forcave në Shqipëri, bashkëpunim që vazhdon të mungojë. Edhe reformat në drejtësi dhe zbatimi i ligjit po tregojnë se standartet janë larg dhe sfida më e madhe për Shqipërinë është zbatimi i ligjeve.

Këshilli i Europës ka vënë para Shqipërisë 12 prioritete dhe 6 prej tyre janë ende larg kërkesave të vetë institucioneve europiane. Një problem tjetër është korrupsioni që e ka kapur fort shtetin shqiptar dhe që nuk e lejon që të dalë nga bataku i tij. Në sondazhet e kryera nga B.E-ja mesa duket faktet e korrupsionit janë tepër kokëforta, prandaj edhe u rrëzua kërkesa e parë. Kriteret janë për të gjitha vendet që duan të anëtarësohen dhe këto që në fazën e parë, e mbylli përgjigjen e vet Ambasadorja.

Nga këto mendime dhe ide, mund të arsyetojmë dhe reflektojmë gjatë dhe përsëri dopio gjashta mbetet në dorën e shqiptarëve. E thënë më shkurt se nëse nuk do të plotësohen të gjitha kriteret e vëna nga Europa, statusi i kandidatit do të jetë ende një ëndërr e ndaluar për ne. Le të presim edhe afatin e skadimit të realizimit të kritereve dhe do të shohim nëse do të jemi kandidatë për të hyrë në Europë apo do të ngelemi përsëri në klasë (do të ngelen politikanët dhe jo qytetarët, gjë që do të dëshmojë dështimin e radhës për ta).