REPORTAZHI: NGA TAKIMI NË NJU JORK ME NACIONAISTIN DHE VEPRIMTARIN E ORGANIZATËS NACIONALISTE MBARËSHQIPTARE BALLI KOMBËTAR NË EMIGRACION, Z. TOMË NDUE JAKAJ
FRYMA E BALLIT KOMBËTAR DUHET RUHET TË REFLEKTOJË PËRGJITHMONË NË MENDJET DHE ZEMRAT E GJITHË SHQIPTARËVE
Mikel GOJANI
Të shumtë janë veprimtarë dhe atdhetarë shqiptarë, të cilët për shkaqe politike dhe të tjera janë detyruar që ta lëshojnë atdheun/vendlindjen e tyre dhe të migrojnë anekënd globit. Mirëpo, shumë prej tyre, edhe pse fizikisht janë ndarë nga vendi i tyre, shpirtërisht dheun e atdheut të tyre e kanë bartur kudo në zemrën dhe shpirtin e tyre. Në mesin e shumë atdhetarëve tanë të cilët për shkak të bindjeve të tij, që binin ndesh me ato të regjimit të atëhershëm serbo-jugosllav është edhe nacionalisti, Tomë Ndue Jakaj, nga fshati Ranoc të komunës së Klinës.

Një jetë sfidë
Vizita ime në Nju Jork ishte një përvojë e re, që më la shumë mbresa të pashlyeshme. Midis shumë miqve dashamirësve dhe aktivistëve të dalluar të komunitetit shqiptaro-amerikanë në Kryeqytetin metropol të kulturës botërore pata rast të takojë edhe bashkatdhetarin tim nacionalist Tomë Ndue Jakajn. Ishte një takim i ngrohtë, i përzemërt dhe shumë miqësor. Për aktivitetin e tij atdhetar në dobi të çështjes kombëtare dhe të Kosovës në veçanti për Tomë Jakun, kisha lexuar shumë kohë më parë shkrime historike për historinë e familjes së Jakajve nga aktivisti, studiuesi dhe publicisti shqiptaro-amerikan Tomë Mrijaj, i cili në studimet e tij mjaft qartë ka pasqyruar figurat e të parëve të kësaj familje, si të Pjetër Jakut, axhës së tij, i cili në vitin 1945 u vra nga dora gjakatare serbe në masakrën e Istogut, të babait të tij Ndout, i cili po ashtu u persekutua nga po e njëjta dorë vrastare.
Në bashkëbisedim me këtë njeri me kujtesë të freskët, i cili në memorien e tij ruante shumë ngjarje historike, më bëri përshtypje se si ai i rikujtonte deri në detaje ngjarjet, njerëzit dhe momentet e rëndësishme të jetës së familjes së tij dhe bashkëvendësve. Kjo me sa duket vinte nga përvoja e madhe e Tomës në odat e burrave në Lugun e Drinit dhe për vetë Kullën e Jakajve, që është një nga kullat më të lashta në komunën e Klinës. Unë isha i zhytur në bisedë dhe e dëgjoja me endje, tek fliste me pasion dhe dashuri të veçantë për Kosovën, që e la për arsye të përndjekjeve të ish-kolonizatorëve serbë.

Për disa moment unë kisha harruar edhe dy shoqëruesit e mi, që më shoqëruan atë ditë në New York. Toma, na ftoi për drekë mua dhe studiuesit Tomë Mrijaj dhe Klajd Kapinoven, në restorantin luksoz irlandez, në qytetin piktoresk Yonkers në New York. Ishte vërtet një drekë e këndshme me shumë humor nga trojet e ndryshme shqiptare. I kudondodhuri dhe shumë bujari miku ynë i përbashkët Tomë Mrijaj, na shoqëroi të gjithë së bashku me makinën e tij deri para ndërtesës së madhe shumëkatëshe, pronë e biznesmenit e aktivistit të palodhur Tomë Jakaj.
Në ambientet e zyrës së tij më bëri shumëçka përshtypje: Në zyrën e tij binte në sy flamuri kombëtar shqiptar i Gjergj Kastriotit dhe ai amerikan. Në ballinën e bibliotekës me libra në gjuhën shqip dhe anglisht shquhej portreti i heroit kombëtar Gjergj Kastriotit dhe i Të Lumturës Nënës Terezë. Në anën tjetër të murit, gjendeshin dy patriot të shquar më kostume tradicionale popullore. Fotot tregonin dy burra të hijshëm, dy vëllezër gjaku dhe të idealëve të shenjta atdhetarie, me trup si lisat e bjeshkëve tona. Fotografia e babait të tij Ndue Jaku (1896-1948), tregonte malësorin tonë fisnik, që kishte pasur një histori të dhimbshme, por shumë të lavdishme, i cili vdiq si pasojë e torturave çnjerëzore nga UDB-ja Jugosllave.
Përbri tij qëndronte stoik fotoja e axhës Pjetër Jaku (1898-1945), që u pushkatua nga pushteti sllavo-komunist, në vendin e quajtur Kulla e Popit në Burim (Istog) në Janarin e ftohtë të vitit 1945, me shumë burra të zgjedhur të Kosovës martire… Në një kënd special të zyrës qëndronin përkrah njeri – tjetrit fotot e figurave të shquara të kombit tonë, si: Mit’hat Frashëri, kryetar i Ballit Kombëtar, komandantit kundërkomunist nacionalistit të flaktë Ndue Përlleshi, dhe ato të Ipeshkvit të Kosovës, Imzot Mark Sopit dhe meshtarit patriot për “Fe, Atdhe dhe Përparim”, Të Përndershmit Don Anton Kçirës. Duke treguar me shenjë foton e Don Anton Kçirës me Bill Clinton-in ai u shpreh: “Don Anton Kçira është patrioti më i madh i ditëve tona.”
Mbas takimit që zgjati shumë orë, Tomë Jaku, më dhuroi një numër të madh librash me shumë vlerë dhe sërish si një shqiptar fisnik e bujar, më ripërsëriti ftesën, që të shkonim në shtëpinë e tij, ku jeton me familje në një lagje të bukur në Westchester New York. Me buzëqeshje iu përgjigja mikut bashkatdhetar, se nëse me premton koha do të vi të shoh librarinë e madhe, shtëpinë dhe familjen tuaj. Tek shtrëngonim duart sipas zakonit shqiptar, Toma më dhuroi një foto të shtëpisë së tij të madhe, të cilën po e botoi në faqen e këtij libri, si një kullë e dytë e Jakajve në Westchester të New York-ut.

Tomë Mrijaj, njeri i afërm i nacionalistit Tomë Jakajt, flet me fakte dhe argumente historike për Jakajt e Ranocit dhe vetë atdhetarin shqiptaro-amerikan Tomë Jakun…Tek shfleton sot mbas shumë dekadave kujtesën e freskët të popullit shqiptar, të bie në sy menjëherë historia e burrave të kombit, që sot janë krenaria dhe nderi ynë, duke na bërë krenarë, që jemi pasardhës të kësaj historie të lavdishme, të shkruar me grykën e pushkës nga trima të pamposhtur, që nxori Lugu i Drinit.
Tek dëgjon sot nga më të moshuarit ose pjesëtarë të Derës së Kullës së Jakajve ngjarje dhe episode historike, e posaçërisht nga djali i Ndue Jakut, aktivisti i palodhur i komunitetit shqiptaro-amerikanë z. Tomë Jaku (që jeton prej disa dekadash në New York), menjëherë pushtohesh nga emocionet e kohëve të shkuara, që nuk i kam jetuar, por me shumë endje kam qenë i prirë t’i mësojë, sepse aty është vetë historia dhe krenaria e trevave tona. Kudo do të shohim se Ndue Jaku, është personazhi kryesor i ngjarjeve të rëndësishme historike, duke qenë një patriot i përkushtuar i çështjes kombëtare dhe Kosovës në veçanti.
Aty ku ishin prijësit dhe komandantët e 55 çetave nacionaliste të Kosovës, ishte edhe pushka e ngrehur për liri dhe pavarësi e luftëtarit Ndue Jaku, që ishte krahu i djathtë i Luanit të Kosovës, komandantit kundërkominist e kundërsllav Ndue Përlleshi, Prof. Ymer Berishës, Marie Shllakut, Zef Gjidoda, Uk e Shaban Sadik Ramë Gjurgjevikut, Qazim Bajraktarit, Ndrec Nikollës, Pjetër Jakut (vëllai i Ndue Jakut), Zef Sokoli me të birin Markun, Shaban Demës dhe shumë e shumë burra të tjerë martirë, të flijuar dhe të gjallë nga Lugu i Drinit., që vepruan në Kosovë e Shqipëri. Dyert e Kullës së Jakajve, ishin gjithnjë të hapura për mikpritje, bujari, diskutime, plane ushtarake çlirimtare, për të mirën e Atdheut.
Radhët e çetës së komandantit Ndue Përlleshit shtoheshin përditë, me elementë të rinjsh kundërkomunist e kundërsllav. Nga ana a tjetër Ndue Jaku, takohej me miqtë e tij dhe u thoshte që të ndihmojnë sa më shumë lëvizjen çlirimtare në Kosovë dhe t’i mbajnë përherë të hapura me bujari dyert e kullave të tyre për nacionalistët shqiptarë.
Përkujtimi si rikujtesë e historisë
Unë si bir i Kosovës dhe krahinës së Lugut të Drinit, jam krenar, tek shkruaj dhe rikujtoi me këtë qiri drite birin e trojeve tona dardane, për të cilën (Kosovën) Ndue Jaku dha gjithçka deri sa mbylli sytë. Ai u largua nga jeta më 6 shkurt të vitit 1948, në katundin e tij të lindjes në Ranoc (Lugu i Drinit), në moshën 52-vjeçare, duke lënë pas një familje të madhe. Gruaja e tij fisnike, i qëndroi gjithnjë pranë, në gëzime dhe hidhërime, duke qenë shpesh krahu i djathtë i tij, për mbledhjen e ndihmave, të cilat më vonë dërgoheshin në malet e Kosovës, ku vepronin çetat nacionaliste.
Ndue Jaku, la mbrapa katër djemtë: Tunën, Gjergjin, Martinin dhe Tomën, që u munduan të ecin gjithnjë nën shembullin pozitiv të babait të tyre. Nga ana e tjetër edhe katër vajzat: Marqja, Mrica dhe Maria, u rritën pa babanë e tyre, por gjithnjë ishin krenare, se ishin bijat e tij, të cilin e nderuan përgjithmonë. Veprimtaria atdhetare Ndue Jakun, e bën të pavdekshëm dhe jeton përherë në kujtesën e popullit tonë të shumë vuajtur ndër shekuj, për liri dhe pavarësi, dhe do të shërbej si shembull për brezat e ardhshëm, se si punohet dhe sakrifikohet me devocion për çështjen sublime sikurse është Atdheu.

Historia e shkurtër e vuajtjeve dhe kaluarit
Për familjen e Jakajve, historia e kalvarit të vuajtjeve dhe mundimeve, nuk përfundon me vdekjen e parakohshme të nacionalistit Ndue Jaku. Por kalvari i gjatë e ka zanafillën e vet tek punët e detyrueshme dhe plot mundime, pa pagesë, që u detyruan me dhunë të bëjnë pjesëtarët e kësaj familje. Në kushte shumë të këqija, në ambientet e punëve të rënda, në mes pyjeve të dendura të Bjeshkëve të Burimit në Rakosh (për prodhimin e lëndëve drusore), humbi jetën në mënyrë tragjike djali i dytë i Ndue Jakut, Gjergji, kur nuk kishte mbushur më shumë se 17 vjeç. Vdekja në moshë të re e Gjergj Jakut (1932-1949) e shtoi edhe më shumë dhimbjen në familjen Jakaj.
Gjatë periudhës së sundimit të rrëgjimit sllavo-komunist në ish-Jugosllavi, shumë meshkuj të familjes së madhe patriarkale të Kullës së Jakajve, u detyruan, që për të siguruar mbijetesën e familjes së tyre, të punojnë me orare të zgjatura dhe pagesa të vogla në shumë vende të ish- Jugosllavisë. Një nga pjesëtarët më aktiv dhe njëherësh i dhënë shumë mbas historisë së familjes së vet, me dokumente dhe fotografi origjinale, djali i vogël i Ndue Jakut, nacionalisti dhe anëtar ende sot i Organizatës Nacionaliste Mbarëshqiptare “Balli Kombëtar” në emigracion Tomë Jaku, ndër të tjera kujton: “Shteti i ri i sapokrijuar mbas vitit 1944, me emrin artificial Jugosllavi, më mori përdhunë njerëzit më të dashur të familjes, që më munguan shumë në jetën time. Të paharruar mbetën për mua babai dhe vëllai Gjergji.
Largimi nga ai vend, ku përjetova vetëm kujtime të ithtë, për mua ishte një rilindje e re. Me ardhjen time në SHBA, në vitin 1969, menjëherë u radhita në radhët e Ballit Kombëtar, ku në mënyrë aktive, përmes demonstratave dhe ndihmave financiare e luftova si munda dhe dita atë regjim gjakatar. Regjimi sllavo-komunist, na privoi nga gjërat më të shtrenjta në jetë, që për mua janë: Prindërit e Atdheu. Lirimi i Kosovës, për mua dhe gjithë shqiptarët atdhedashës, është ëndrra e jonë shekullore, që e paguam shumë shtrenjtë me gjakun tonë. Atje kemi familjet dhe varrezat e të dashurve tanë. Jam shumë i lumtur, që erdhi kjo ditë, ta shohim Kosovën tonë të lirë. Ata që ranë për lirinë e Kosovës pushofshin të qetë, në atë tokë shumë të dëshiruar për çdo shqiptar.”

Rivarrimi i nacionalistit
Rivarrimi i eshtrave të nacionalistit të paepur Ndue Jaku u bë më 18 tetor 1987 në Ranoc. Djali i tij i vogël Tomë Jaku, së bashku me familjarët e tjerë dhe një numër të madh miq e dashamirë të familjes Jakaj, të kryesuar nga meshtari Don Mark Sopi (më vonë Ipeshkvi i Kosovës), që asokohe shërbente në Kishën e Zllakuqanit si famullitar. Don Marku e përfundoi fjalimin e tij të gjatë, prekës dhe shumë domethënës, me fjalët: “Ndue Jaku, ruhet në kujtesën e bashkëvendësve lugdrinas si familjar i mirë dhe atdhetar i përkushtuar”.
Fryma e Ballit Kombëtar të ruhet dhe të kultivohet anekënd trojeve tona etnike
Tomë Jaku, sot, edhe pse i shtyrë në moshë përkrah dhe vepron organizatën nacionaliste në emigracion Ballin Kombëtar.
Këtë frymë, siç shprehet ai, e përkrah se kjo është Balli Kombëtar, si organizatë nacionaliste në platformën e vet ruan konceptin politik dhe filozofik më të shëndoshin, gjithherë me pretendime për bashkimin e trojeve tona etnike të ndara padrejtësisht gjatë historisë së këtij populli. “Kjo organizatë, pohon nacionalisti Jaku, e krijuar më 1939 nga korifeu i kombit shqiptar dhe ideatorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878), gjithherë përpjekjet dhe luftën e ka zhvilluar për pavarësimin e trojeve shqiptare që ndodheshin në atë kohë të shpërndarë në katër vilajete të perandorisë otomane, dhe më pas bashkimin e tyre në një njësi të vetme politike. Vetë Mit’hat Frashëri, pohon nacionalisti Jaku, ka bërë një punë kolosale për kombin shqiptar.
Ai ka qenë kryetar i Kongresit të Manastirit (1908) që përcaktoi alfabetin e gjuhës shqipe, ministër i qeverisë së Vlorës përkrah Ismail Qemalit më 1912, ambasador i Shqipërisë dhe i çështjes shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris më 1920. Në vitet ’40 Balli Kombëtar ishte një organizatë politiko-ushtarake me një spektër mjaft të gjerë. Programi i tij qëndron në idenë e Shqipërisë Etnike, ose e thënë ndryshe, bashkimi i të gjitha trojeve shqiptare nê një shtet të vetëm shqiptar. Kontributi i kësaj organizate kombëtare është i madh gjatë gjithë rrugës historike që nga koha prej kur funksionon dhe deri në ditët tona. Prandaj, është obligim i shqiptarëve që frymën e Ballit Kombëtar të ruajnë dhe ta kultivojnë anekënd trojeve tona etnike, sepse kjo është fryma më e shëndoshë për ruajtjen e shumë vlerave kombëtare, po ashtu edhe realizimin e përpjekjeve për bashkimin kombëtar, ëndërr shekullore e brezave të shumtë tanë”, shprehet nacionalisti tomë Jaku.







