Në 70-vjetorin e lindjes, ribotim i një shkrimi:
Nga: Murat Gecaj
Kanë kaluar më tepër se katër vjet, qëkur e publikova këtë shkrim. Atëherë, ishte një shqetësim i natyrshëm, jo vetëm për familjarët, por dhe për kolegë e miq të shumë të poetit të afirmuar e të njohur Xhevahir Spahiu, sëmundja e papritur dhe e rëndë e tij. Mirëpo, ndodhi mrekullia dhe ai nisi të përmirësohej, dalëngadalë, e po dilte edhe nëpër udhët e kryeqytetit. Për një lajm të tillë të gëzuar atëherë shkrova pak radhë modeste, që tani po ribotohen.
Për fat të mirë, tani Xhevon tonë e shohim jorrallë, si në ndonjë lokal a nëpër udhët e sheshet tona, duke shetitur, por e takojmë dhe në veprimtari të ndyshme, si përurime librash e ditëlindje të njerëzve, që ai i don e i respekton etj.
Ja, në ditën e parë të marsit, Xhevahiri mbushi 70 vjet dhe ne, të gjithë së bashku,i urojmë atij nga zemra: Shendet të plotë, jetëgjatësi dhe gëzime e lumturi, vetjake e familjare!
Tiranë, 1 mars 2015
* * *
“Ishte mesditë dhe po ecnim disi të shkujdesur, në Rrugën “Q.Stafa” të Tiranës, bashkë me kolegun Xhevdet Bashllari… Sakaq, shohim që, në anën tjetër të rrugës, po ecte ngadalë në trotuar miku ynë i përbashkët, poeti Xhevahir Spahiu. Të dy ramë në një mendje që ta takonim e të rrinim, diku në një lokal, bashk me të. Ai na pa dhe i bëmë shenjë të ndalonte. U takuam me të përzemërsisht dhe me buzëqeshje na përqafoi të dyve. Ecëm pak metra dhe hymë në një lokal. Meqenëse ishte kohë dreke dhe sepse Xhevoja nuk dontë gjë tjetër, të tre morëm pije freskuese.
Siç janë në dijeni shumë lexues edhe në Internet, muaj më parë Xhevahiri pati një gjendje të rënduar shëndetësore. Pas kurimit intensive, si brenda e jashtë vendit, ai u rikthye i përmirësuar pranë familjes, kolegëve dhe të njohurve e dashamirësve të tij të shumtë. Më ka takuar rasti që me të jam takuar edhe në përurime librash të rinj në kryeqytet ose kur ka qëndruar pak kohë në ndonjë lokal të Tiranës. Pra, ai është në gjendje të dalë e të shëtisë, sigurisht me një farë mase.
Në takimin e sotëm, ne patëm kënaqësinë që të vërenim me gëzim se ai, pak nga pak, po përmirësohet më tej dhe kujtesa po i rikthehet. Këtë gjë e vërejtëm edhe kur e pyeta për motrën e tij, Hanëmen, shoqe shkolle me kunatën time, Lenën. Po kështu, ai na tregoi se njërin djalë, Orgesin e ka mjek, por në punë e ka dhe djalin tjetër. Sigurisht, sidomos mjeku iu ka gjendur pranë atij në çaste të vështira të shëndetit. Por dhe tani vazhdon ta bëjë këtë gjë ndaj të jatit, me të njëjtin përkushtim.
Kur po rrinim ashtu, të tre bashkë, në një TV shqiptar po jepej një emision për jetën dhe veprimtarinë e artistes së njohur Jorgjia Truja, pasqyruar në një libër. Xhevahiri, megjithëse me pak vështirësi, e kujtoi emrin e personazhit, për të cilin ishte shkruar libri dhe të asaj, që po fliste aty, pra të Hamide Stringës.
Miku e kolegu im, Xhevdeti më tregoi se kur, shumë vite më parë, shërbente në Skavicë të Kukësit, Xhevahiri dhe poeti tjetër Fatos Arapi, gjithashtu tani jo mirë me shëndet, e kishin ndihmuar të vinte me punë në Tiranë. Më tej, për shumë vjet radhazi punoi në sektorin e botimeve të ish-Shtëpisë së Propagandës Bujqësore. Sigurisht, jo vetëm sot, por dhe më parë, ai ka shprehur kurdoherë nderim e mirënjohje për Xhevon e Fatosin, për atë çfarë kanë bërë për të.
Që mos ta lodhnim më tej mikun e kolegun tonë të mirë, Xhevahir Spahiu, dolëm shpejt nga ai lokal. Në mendje, të dyve, na rrihte si çekan mendimi e urimi ynë i zemrës, që ai të ketë shëndet sa më të mirë dhe të kthehet plotësisht i shëruar ndërmjet kolegëve, miqëve dhe dashamirëve të tij të panumërt, jo vetëm në Tiranë, por dhe në rrethe të tjerë të vendit dhe në tërë Shqipërinë.
Mendoj se informacioni i mësipërm, është një tjetër lajm i mirë për të gjithë, se dëshmon gjendjen shëndetësore në përmirësim, të mikut e kolegut tonë të përbashkët, njeriut të mirë dhe poetit të mirënjohur e shumë popullor, Xhevahir Spahiu”. (Tiranë, 20 tetor 2010).