TemA, 16 Shtator 2013
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, e nisi detyrën që mbrëmë, kur takoi Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, duke i kërkuar një plan masash për situatën e rendit në vend.
Më pas ai bëri edhe një inspektim të beftë në ambientet e komisariatit numër 3 në Tiranë.
Ndërkohë sot Tahiri ka vendosur që të mbledhë të gjithë drejtuesit e policisë në vend.
Mësohet se në mbledhje nuk do jetë i pranishëm Erzen Breçani, zëvendësdrejtori i Policisë së Tiranës, i famshëm për qëndrimet e tij ekstreme kundër mazhorancës së re.
Nuk dihet nëse kjo vjen për faktin se Breçani nuk është thirrur, apo ngaqë ai ka dorëzuar dorëheqjen.
Më herët është raportuar se edhe Agron Kuliçaj, zyrtari më i përfolur i Policisë së Shtetit, ka dorëzuar dorëheqjen.
Në fjalën e tij, Tahiri theksoi se situata kriminale në vend është alarmante dhe një emergjencë kombëtare.
“Sot është koha për të ngritur në këmbë Policinë e Shtetit dhe për të garantuar jetën e qytetarëve” tha Tahiri
Ai ka garantuar mbështetje pa kursim për drejtuesit e përkushtuar të Policisë së Shtetit, ndërsa theksoi se nuk do të ekzistojnë më të paprekshmit. Sipas tij, një gjë e tillë nuk do të tolerohet e nuk do të funksionojë, pasi ligji është një për të gjithë.
“Mbështetje pa kushte për të gjithë ata që detyrën e justifikojnë me punë. Pres maksimumin tuaj, pa orar, pa kursim, pa kompromis. Presim që qytetarët të mos jenë të dobët e të pasiguritë. Askush prej punonjësve prej përmbushjes së detyrës nuk do të pengohet të bëjë detyrën në shërbim të ligjit. Që sot do të shembim murin e pandëshkueshmërisë, askush nuk ka imunitet nga ligji. Policia e Shtetit nuk ka asnjë imunitet tjetër përveç ligjit” tha Tahiri./ep