Tahiri: “Kapter Bujar Nishani, betim mbi një flamur të deformuar”. Kuvendi: “Do ndëshkohesh”

0
123

TemA Online, 22 Nëntor 2012

Gjatë seancës së sotme parlamentare, ka pasur replika dhe akuza në lidhje me flamurin kombëtar. Deputetët socialist, Saimir Tahiri dhe Taulant Balla, kanë akuzuar presidentin Nishani se është betuar mbi një flamur të deformuar.

Tahiri e ka cilësuar Nishanin kapter, duke iu referuar shkollimit të tij ushtarak, gjë që ka sjellë reagimin e zëvendëskryetarit të Kuvendit, Ardian Turku, i cili e ka cilësuar fyerje këtë etiketim dhe ka thënë se do ta çojë deputetin socialist në Byronë e Parlamentit për të marrë masa.

Sipas deputetit Balla, “Nishani është betuar në një flamur pa gjuhë dhe me kokë të deformuar. Fakti që kjo mazhorancë nuk respekton ligjin për flamurin dhe stemën, tregon se kemi një shtet që nuk zbaton ligjin. Çfarë mund të presim nga kjo mazhorancë?”, ka thënë Balla.

Deputeti socialist ka akuzuar edhe kryeministrin Berisha se mban në zyrë një flamur pa gjuhë, duke shkelur kështu ligjin me deformimin e flamurit kombëtar. Sipas tij, edhe stema e vendosur në Kuvend është e deformuar.