Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri replikoi me ish-kryeministrin Sali Berisha në parlament, pas akuzave të këtij të fundit për lidhje me banda kriminale.
Tahiri iu përgjigj Berishës duke theksuar se i përkasin dy racave të ndryshme.
Ministri tha se “i përket atij grupi njerëzish që kanë lindur dhe janë edukuar me tjetër mentalitet dhe se modën e të hedhurit baltë siç bën deputeti Berisha, e refuzon”.
“Më vjen keq që prej 25 vitesh i je bërë si mizë kali këtij vendi e populli”.
“Unë mbaj përgjegjësi për ta bërë vendin më të mirë. Lëre rehat këtë vend dhe këtë popull njëherë e mirë. Le të vijë të bëjë gjyshin, por jo të bëjë mistrecin. Unë nuk jam as pjesë e ndonjë klani kriminal, as nuk kam njohje dhe as lidhje. Dhe këtë me punët e mia faktet flasin më shumë, me gjithçka kemi bërë me këtë qeveri.
Unë nuk jam ish-kryeministri që i vdes baxhanaku në biznesin e demontimit të armëve dhe bën sikur nuk e dinte. Unë nuk jam që Shqipëria bënte hapa para për anëtarësimin në BE dhe ai çmontonte institucione të pavarura dhe ju të gjithë bashkë hidhnit baltë mbi opozitën dhe bënit gjithçka për ta çuar këtë vend mbas”, tha Tahiri.