Niko Doda/Qytetar, 22.05.2013
Profili psikomoral i Kryeministrit sidomos katërvjeçarin e fundit ka pësuar shumë ndryshime dhe turbullimet në personalitetin e tij janë mëse të dukshme nga të gjithë, brenda dhe jashtë vendit. Kjo për arsye të postit që mban dhe detyrës që ushtron. Tre turbullimet kryesore të personalitetit të tij që shprehen me forcë të madhe janë: narcisizmi, paranoja dhe turbullimi antisocial i personalitetit.
Manuali Diagnostik dhe Statistika e Turbullimeve Mendore (DSM) e përshkruan Narcisizmin si një turbullim të personalitetit që rrotullohet rreth një modeli madhështie, nevoje admirimi dhe të së drejtës personale. Shpesh herë, individi ndjehet eksesivisht i rëndësishëm dhe ekzagjeron arritjet e tij duke kërkuar lavdërime dhe admirim. Kryeministri ynë vuan nga Narcisizmi, pasi ai ka një dëshirë të vetme: pushtetin, madje të arritur me çdo mjet, ka një sens madhështie për rëndësinë e tij, është gënjeshtar profesionist duke qenë vetë ai i pari që beson gënjeshtrat e tij.
Ai mendon se është “i veçantë dhe unik” dhe se mund të kuptohet vetëm nga njerëz të veçantë që i përkasin bindjeve dhe sjelljeve te tij. Ka një nevojë të tepruar të jetë i admiruar nga të tjerët, kujton se çdo arritje i takon vetëm dhe vetëm atij, duke mos qenë i predispozuar të njohë kontributin e askujt tjetër dhe manifeston qëndrime dhe sjellje mendjemadhësie, fyese dhe arrogante. Ai shtrembëron faktet dhe vepron në kundërshtim të ligjit që vetë voton, duke u justifikuar se kështu duhej vepruar. Ai injoron faktet që janë në kundërshtim me botën e tij imagjinare apo me imazhin e fryrë mbi vetveten. Turbullimi paranojak i personalitetit përbën elementin e dytë negativ të profilit psikomoral.
Njëshi i Shqipërisë mendon pa asnjë arsye të mjaftueshme se të tjerët rreth tij e mashtrojnë dhe e dëmtojnë, dyshon pa asnjë ar sye për besnikërinë e njerëzve që e rrethojnë, sajon çdo lloj situate imagjinare kërcënuese ndaj jetës së tij. Dëshmi e gjallë e kësaj janë lëvizjet e Kryeministrit nëpër Shqipëri me jelekun antiplumb dhe me një eskortë sigurie, ndoshta më të madhe se ajo që shoqëron znj. Merkel, duke injoruar tullumbacet që lëshon herë pas here për demokracinë më të përparuar dhe vendin më të sigurt në botë.
Ai është inatçi, d.m.th. nuk fal po e kundërshtove, e nënvleftësove apo e përbuze politikisht. Përherë sajon sulme imagjinare ndaj vetes dhe famës së tij dhe reagon pa asnjë arsye me fyerje dhe komente banale, pa patur parasysh auditorin të cilit i drejtohet. Element i tretë është turbullimi antisocial i personalitetit, karakteristikë kryesore e të cilit është një gjendje e përgjithshme përbuzëse dhe transgresioni e të drejtave të tjetrit. Të tre këta elementë të profilit psikomoral të tij e kanë bërë Kryeministrin tonë një autarkik të tipit Luigji XIV, thënien e famshme të të cilit (L’etat c’est moi – Shteti jam unë) e aplikon më mirë se sa e aplikoi ky i fundit.
Totalitarizmi i tij në ushtrimin e pushtetit politik, kontrolli dhe zotërimi i plotë i pushtetit ligjvënës dhe atij ekzekutiv, kontrolli mbi mediat dhe censurimi i atyre që nuk i mbajnë ison, presioni dhe kërcënimi jo vetëm ndaj administratës politke, por dhe asaj publike për vendet e punës e kanë bërë atë të rrezikshëm për Shqipërinë dhe shqiptarët. Zgjedhjet po afrojnë. Edhe pse mënyra e organizimit të të gjithë procesit të tyre nga Sali Berisha dhe vetëm nga ai, i ka krijuar edhe një herë kokëçarje botës demokratike dhe organizmave ndërkombëtare, ato do të kryhen me sukses nga populli i kulturuar demokrat shqiptar që vuajti dhe po vuan jo pak për të patur një demokraci të vërtetë. Prandaj, debarrassons-nous de lui (le ta heqim qafe) më 23 qershor!