Summertime & Turizmi në Jug

0
81

Eni Vasili, 03.07.2011

Zakonin e të mbajturit të telefonit ndezur 24 orë në 24, e trashëgoj nga puna e gazetares që nga dita ime e parë. Gjithçka mund të ndodhë, një ngjarje e madhe apo e vogël, diku ku mund të ketë nevojë të jesh dëshmitare.

Së fundmi, telefonatave të emergjencës iu janë shtuar si koncept edhe e-mail-et e emergjencës, që kur teknologjia na bëri dhuratën t’i kemi në mobile. Si kurrë ndonjëherë megjithatë, që kur qershori zuri vendin në kalendar, më zgjojnë si me saktësi matematike çdo orë pesë të mëngjesit disa e-mail-e të agjencive turistike shqiptare dhe jo vetëm që promovojnë udhëtime low cost. Oferta të pafundme. Palma de Mallorca, 399 euro half bord, Kalkidiki all inclusive, 389 euro, Rodos, 459 euro, Korfuz 499 euro, Antalia all inclusive 400 euro etj., etj.

Si rrallë ndonjëherë, agjencitë ofrojnë çmime kaq të favorshme dhe me kaq insistim. Një shpjegim e ka sigurisht: kriza dyvjeçare ekonomike që ka përfshirë Eurozonën. Aq më shumë e kuptueshme është oferta, aq e ulët në kosto për pushime në plazhet greke. Problemet e mëdha që ka fqinji reflektojnë mosbesimin që turistët kudo qofshin kanë për të udhëtuar drejt shtetit më të dobët aktualisht të BE-së.

Gjithmonë kam pyetur veten se përse agjencitë turistike shqiptare në listat e tyre nuk promovojnë hotele apo resorte shqiptare. Vitet e fundit disa investime shumë serioze në turizëm janë bërë, disa prej tyre mund të jenë të krahasueshëm në standarde dhe me hotelet që gëlojnë në e-mail-in tim për shkak të të njëjtave agjenci. Sa herë mendoj kështu, e veshur me rrobat më të mira të një nacionalizmi të shëndetshëm, mendoj gjithashtu se qeveria duhet të gjejë një mekanizëm për të ndihmuar këto investime, të gjejë një kriter detyrues për agjencitë shqiptare që të promovojnë turizmin tonë. Me këto rroba veshur zhvillova një bisedë të nxehtë me disa miqtë e mi që vinin nga përtej oqeanit për të shpenzuar ditët e pushimit në Shqipëri. Pas një jave në Jug, sapo kishin prenotuar biletën e një udhëtimi jashtë Shqipërisë.

Ja rrëfimi:

“Destinacioni i parë, Vlora, na la shijen e një qyteti të lodhur dhe pushuesish edhe më të paçlodhur. I gjithë bregu i Radhimës e niste gjumin që në orën shtatë të mbrëmjes, restorantet thuajse bosh, pronarët e tyre të trishtuar thoshin që presin e shpresojnë që muaji korrik të jetë ndryshe, edhe pse qershori në Vlorë sipas tyre, nuk ka pasur kurrë kaq pak pushues.

Pronarët ankohen që nuk ka pushues, ata pak që janë, ankohen për çmime shumë të larta. Në fakt, një nga hotelet më të mira të Radhimës ku vendosëm të pyesim për çmimet, na dha një biletë vizitë të kuruar mirë, por jo një listë çmimesh. Na tha që tani në qershor, një dhomë është 70 deri 90 euro, në korrik, 100 euro, në gusht 150. Dukej një listë e bërë me hamendje e pabazuar në kosto reale. E vërteta është që hoteli ka një pamje mahnitëse. I tëri në shkëmb, një mrekulli e natyrës është gjithçka rrotull. Por po të bësh një llogari të thjeshtë, në gushtin klasik të pushimeve, vetëm dhoma e fjetjes është plot 1500 euro. Llogaritë e tjera mund t’i bëjë secili sipas mundësive dhe mendësive, por një turist me të ardhura mesatare nuk do ta kishte sigurisht të lehtë.

Një tjetër zhgënjim ishte Himara. Asnjë investim serioz, asgjë e re në shërbime nga një vit më parë. Shumë pak pushues, në orët e paradites mund t’i numërosh me gishtat e dy duarve. Në restorante, në mbrëmje, i njëjti realitet si në Radhimë. Thuajse askush. Paguam një faturë abuzive prej një restoranti m’u në piacë të Himarës, për një ushqim të pashije. Karkalecat notonin në qumësht, një risi gastronomike e padëgjuar më parë dhe barbuni shërbehej me vaj ulliri, si një sallatë jeshile. U ndjemë të pa servirur mirë dhe pa vëmendjen e duhur.

Një çudi e këtij udhëtimi jugor ishte tentativa për të populluar plazhin e Bunecit, gjithçka aty fliste për një natyrë krejtësisht të pacenuar. Por si në Bunec, ashtu edhe në Dhërmi, vetëm fakti qe mund të konsumosh ushqime të rralla që nuk i gjen as në bregdetin përballë, nuk të bën të ndihesh më mirë. Plazhi krejtësisht i papastruar dhe papërpunuar, niveli i investimeve është thuajse fillestar, furnizimi me ujë dhe energji është krejtësisht i pamjaftueshëm. Frekuentimi minimal. Përveç fundjavave ku Dhërmiu mbetet një destinacion i rinisë ekstravagante të Tiranës, ky fshati vogël me një det të jashtëzakonshëm që fle ngjitur me Drimadhën, një tjetër perlë të Jonit, pret me dhomat bosh…”.

Sipas miqve të përtej oqeanit, të gjithë pronarët e hoteleve dhe restoranteve me të cilët biseduan kishin të njëjtën ide. Fushata ka lënë punët e bashkisë pas dore dhe mungesa e pushuesve e bën të pamundur uljen e çmimeve. Deri këtu, ndoshta do të ishte e kuptueshme. Por mua çdo mëngjes në orën pesë të mëngjesit vazhdojnë të më vijnë të njëjtat e-mail-e me të njëjtat oferta ndjellëse nga agjencitë turistike. Dhe si mua shumë të tjerëve. Do të jetë e vështirë që përballë panoramës së trishtuar që ofron turizmi ynë në këtë fillim sezoni, të mos zgjedhësh një destinacion që ka brenda eksplorimin e një vendi të ri, komoditet dhe kosto më racionale për çdokënd.

Ndoshta të gjithë ata investitorë të plazheve të Jugut duhet të bëjnë një përballje të sinqertë me realitetin ku operojnë dhe konkurrencën me të cilën përballen. Konteksti ekonomik global, besoj detyron të reformojnë qasjen ndaj këtij lloj biznesi delikat, që ka të bëjë me shijen. Nëse turizmi ynë do të vazhdojë të ofrojë një shërbim joprofesional, një raport të zhdrejtë kërkesë-ofertë, investime pa fizibilitet, mungesë standardesh dhe strategjish, mungesë politikash dhe vizionesh, atëherë sado t’i pëlqejmë teshat patriotike, e-mail-et e agjencive druaj do “grabisin” shumë pushues, ashtu siç bënë me miqtë e mi të përtej oqeanit. Ata, edhe pse janë lexues të rregullt të “New York Times” nuk gjetën asnjë cep ku mund të shpenzonin vetëm 500 euro në javë, por ranë krejtësisht dakord me bukuritë e Jalës, Dhërmiut dhe peizazheve të tjera që përshkruante gazetari Seth Kugel.

Për shumëkënd, turizmi është sekreti i zhvillimit të këtij vendi. Por cilat janë arsyet se përse panorama mbetet e trishtë dhe e pa perspektivë vit pas viti?

Next: Summertime & Saranda Airport