Nga Edi Rama*, 10 Mars 2013
Arbis Vjerdha, 37 vjeçar, i martuar me dy fëmije. Kampion i shumëfishtë kombëtar, si dhe fitues i shumë turneve ndërkombëtare në karate. Kampion botëror dhe europian në Kick Boxing. Shkodran. Pranon ftesën e Fidel Yllit për të kontribuar për draftin e programit tonë të Rilindjes së Sportit. Vjen edhe në Konferencën Kombëtare të Programit për një Rilindje Shqiptare ku flet për sportin duke ngritur peshë sallën me fjalë të thjeshta e humor tipik shkodran. Paguan menjëherë pasojën e bashkëpunimit me opozitën e shpallur armike nga pushteti. I heqin vjehrrin dhe vëllain nga puna.
Vjehrri anëtar i PD dhe drejtor i bujqësisë për qarkun Shkodër, por me dhëndrin bashkëpunëtor të armikut! Historia e këtij kampioni që ngre flamurin shqiptar nëpër botë dhe në atdheun e tij trajtohet armiqësisht me libër shtëpie, është fatkeqësisht historia e përditshme e Shqipërisë së marrë peng në lirinë e saj. Është historia e përditshme e shkeljes brutale të lirive e të drejtave të njerëzve të këtij vendi për shkak të bindjeve a mosbindjeve të tyre. Po edhe më keq, është historia e një hakmarrjeje primitive që prek familjen e të afërmit për të kallur frikën përreth.
Kjo histori do marrë fund pas 23 qershorit. Liria, konkurrenca dhe merita do jenë vlerat me të cilat do marrë formë Shqipëria e rilindur. Ku njerëzit e suksesshëm në punë, sipërmarrje, shkencë, art apo sport do vlerësohen lart për suksesin e tyre dhe nuk do cenohen kurrë për mendimet, bindjet, përkatësitë e tyre politike. Kjo është rilindja që duam!
*edirama.al