Sulmi dhe heshtja, si mbrojtja më e keqe

0
50

Preç Zogaj, 24.08.2010

Edhe kjo verë po kalon me pingpongun e përditshëm të akuzave për korrupsion midis shefit të opozitës, zotit Rama dhe shefit të shumicës, zotit Berisha. Që të mos na akuzojë kush se po e reduktojmë në mënyrë të padrejtë panoramën e gjerë të kësaj beteje gojore, duke lënë pa përmendur oratorët e tjerë që shkëmbehen çdo ditë në foltoret e pingpongiadës antikorrupsion, po e bëjmë të qartë qysh në krye se të gjithë këta deputetë dhe deputete flasin në emër dhe për llogari të shefave të tyre të lartpërmendur.

Më e pakta. Prandaj edhe ne s’kemi pse ta zgjasim se kështu tha filani dhe kështu ia ktheu filania, pastaj kolegu i filanes lëshoi bombën e radhës dhe pala kundërshtare nxori deputetin e njohur për trimëri, që u kundërpërgjigj me një bombë akoma më të madhe, e të tjera e të tjera.

Është më thjeshtë me dy emra. Posaqë kemi përmendur këta dy emra, i kemi nënkuptuar gjithë të tjerët, domethënë i kemi thënë të gjitha për këtë luftë pa mbarim. Është një luftë pa mbarim, por jo e mërzitshme për masën e gjerë. Përkundrazi: Andej-këndej vërej se njerëzit e presin me interes dhe me emocion të veçantë atë pjesë të emisioneve të lajmeve ku opozita dhe shumica shkëmbejnë akuzat e ndërsjella për vjedhje milionash e miliardash. Njerëzit janë mësuar me këto duele. Kam frikë se do të ndiheshin bosh po t’u mungonin.

Në fillim të javës së kaluar lexova padurim dhe vuajtje në fytyrat e disa miqve të mi demokratë për faktin se foltorja e Qeverisë dhe e Partisë Demokratike u la bosh pakëz ditë! Por, nevoja për të shijuar betejën me konferenca shtypi mund të jetë shndërruar në një kërkesë shpirtërore për një masë akoma me të gjerë njerëzish, të cilëve, së paku në këtë periudhë, nuk do t’u pëlqente që të mos vidhte më njeri. Po të mos kishte akuza të ndërsjella politikanësh, njerëzit do të mendonin se politikanët janë marrë vesh që të mos flasin më për vjedhjet e tyre.

Në këtë pikë është më mirë që politikanët ta teprojnë duke folur, se sa ta teprojnë duke heshtur. E folura, në të gjitha rastet, ka pasur e ka një ndikim pozitiv në frenimin e tundimeve dhe tentativave për abuzime me pushtetin.

Por, si po përdoret e folura? Si reagohet ndaj denoncimeve? Këtu fillojnë dyshimet dhe rezervat, që nuk kanë për qëllim të kufizojnë të folurën, por ta rregullojnë për ta bërë më të përgjegjshme, më efikase.

U bënë shumë vite që opozita dhe qeveria akuzohen me të njëjtën gjuhë, me ndryshimin e vetëm se shifrat e vjedhjeve dhe abuzimeve që denoncohen njohin rritje nga njëra qeveri në tjetrën, nga njëra legjislaturë në tjetrën. Kjo është rutina, por kjo është edhe poshtërsia. Shqipëria është padyshim vendi kampion i botës për sa i përket luftës verbale që politikanët e saj i kanë bërë dhe i bëjnë korrupsionit.

Ndërkaq, Shqipëria mbetet një nga vendet me të korruptuara të kontinentit. Konsumohet pra një e ashtuquajtur luftë që vetëm e rrit korrupsionin. Ka diçka të madhe këtu që nuk shkon. Në qoftë se efikasiteti i çdo përpjekjeje provohet te rezultatet që prodhon, atëherë kjo e jona nuk është luftë, por mashtrim.

Pse ndodh kjo? Ka disa arsye dhe padyshim pozita e tërhequr apo e frikësuar e prokurorisë dhe organeve të drejtësisë është ndër më kryesoret. Por në këtë shkrim do ta vëmë theksin tek një arsye politike që është qasje kryesisht propagandistike e opozitës dhe qeverisë për luftën kundër korrupsionit.

Qëllimi i tyre themelor është të denigrojnë, të ulin, të njollosin dhe të përbaltin palën kundërshtare dhe fare pak të shkojnë tek e vërteta e qëruar dhe e provuar e abuzimeve dhe shpërdorimeve.

Qasja propagandistike ndaj korrupsionit ka përcaktuar një kulturë të tërë, më saktë një antikulturë të tërë, në lidhje me mbledhjen, verifikimin dhe publikimin e fakteve në një anë dhe me sjelljen e palës së akuzuar në anën tjetër. Energjitë e mëdha shpenzohen që cila palë ta mundë palën tjetër me fjalë, kurse për të vërtetën pak kush interesohet me përkushtimin dhe ndershmërinë që ajo meriton.

Para disa ditësh, një deputet i opozitës e mbylli kumtesën e tij para mediave me premtimin që PS do tu shkonte deri fund aferave të 2 milion eurove të Dritan Priftit dhe 4 miliard eurove (!!) të Albana Vokshit.

Mund të ketë qenë një lapsus kjo shifra e katër miliard eurove! Një lapsus i lidhur me zakonin e vjetër shqiptar se nga ekzagjerimi, ligësia dhe idiotizmat e lidhura me të nuk vjen ndonjë e keqe, prandaj bjeri ti biem! Mirëpo deputeti i nderuar duhet të jetë i saktë me shifrat dhe bindës në argumentimin e veprës korruptive. Saktësia në këto çështje përcakton shkallën e ndershmërisë dhe efikasitetit të luftës.

Në të kundërtën, lufta në fjalë do të ishte një përsëritje e denoncimeve që u bënte Berisha kur ishte në opozitë disa politikanëve, që tani i mban në qeverinë e tij dhe rreth qeverisë së tij.

Në PS-në e sotme mund të ketë mendime se kjo lloj lufte zhurmëmadhe, me shifra që nuk verifikohen kurrë, por që krijojnë indinjatë në publik, ishte karta kryesore që e solli Berishën në pushtet në vitin 2005. Duhet ta dinë se kjo është një legjendë. Programi, bashkimi, faktori Meta dhe pastaj edhe antikorrupsioni – ja katërkëndëshi i fitores së PD-së në atë kohë.

Pavarësisht kërkesave për saktësi dhe etikë, që vetëm e forcojnë rolin e saj, opozita është gjithnjë në misionin e saj të patjetërsueshëm për të ngritur zërin, denoncuar e kërkuar shpjegime për çdo dyshim, që lidhet me shpërdorimin e pushtetit për interesa personale apo klanore. Antikorrupsioni shqiptar merr një deformim të pashoq në mënyrën si reagon rëndom qeveria dhe qeveritarët ndaj dyshimeve dhe akuzave.

Duke ndjekur parimin se mbrojtja më e mirë është sulmi, zakonisht ministrat dhe zyrtarët e qeverisë thonë dy fjalë sa për të kaluar radhën për akuzat që u janë bërë dhe hidhen në sulm me kundërakzua që nuk janë pothuajse asnjëherë as proporcionale dhe as të argumentuara në raport me akuzat që u janë bërë. Kjo është metoda e stërnjohur e përbaltjes së përgjithshme për të fshehur të vërtetën dhe për të mos e marrë vesh njeri se kush vjedh shumë, kush vjedh pak dhe kush nuk vjedh fare.

Mënyrat dhe mjetet e mbrojtjes në politikë, sikurse në jetë, janë te larmishme dhe ndryshojnë sipas rrethanave. Kohët e fundit shihet se kryeministrit i ka dhënë hapësirë jo vetëm mbrojtjes nëpërmjet sulmit, por edhe mbrojtjes nëpërmjet heshtjes.

Ai po hesht për rastet e Priftit dhe Vokshit, megjithëse opozita e fton në vijimësi të prononcohet. Heshtja në politikë nganjëherë është e palexueshme, por ka një veti që nuk mund të zgjasë pa fund.

Vjen momenti kur lexohet.
Sulmi dhe heshtja si mënyra mbrojtjeje nuk kanë në politikë kuptimin që kanë në fushat e tjera. Në politikë, dhe fjala është për politikën që bëhet në një vend pluralist dhe demokratik, mbrojtja më e mirë ndaj akuzave për korrupsion është transparenca.

Transparenca është alfa e komunikimit me palën tjetër; transparenca është detyrim. Një ministër apo një zyrtar që akuzohet, qoftë edhe pa të drejtë apo në mënyrë të ekzagjeruar nga opozita e tij, ka detyrimin të shpjegohet me qetës dhe me fakte për akuzat.

Ky nuk është një shpjegim para një deputeti apo para opozitës, por mbi të gjitha para publikut, sepse opozita është një institucion kontrolli i publikut. Kur opozita e tepron apo gabon, paguan koston.

Kjo nuk e çliron zyrtarin e qeverisë nga detyrimi i shpjegimeve dhe i zbardhjes së akuzave deri në gjykatë. Vetëm pas kësaj, duke u ruajtur që të mos duket hakmarrës i rëndomtë dhe duke i peshuar mirë faktet, zyrtari mund të vendosë të kundërsulmojë.

Me mungesën e rezultateve, Antikorrupsioni si arenë llafesh e ka varfëruar tepër skenën politike. Dija, kultura, vizionet, programet, zgjidhjet nuk vlejnë. Njerëzit me këto dhunti po dalin tepër dhe po mbesin pa rol në ketë lloj politike.

Në modë është një lloj paturpësie që dikush e quan guxim. Diçka duhet bërë për të ndryshuar situatën. Pikësëpari duhet ta bëjmë rregull të shenjtë të kulturës së qeverisjes në Shqipëri: Përgjigja dhe shpjegimi para gjithë të tjerave. Sot këtë e ka në dorë Berisha si kryetar qeverie.

Së dyti, duhet të jemi sa më të saktë kur akuzojmë dhe mundësisht njëqind për qind të sigurt kur përfshijmë të afërmit apo fëmijët e të akuzuarve. Sot këtë e ka në dorë kryesisht Rama si shef i opozitës. Së treti… Por po ndalemi këtu kësaj here për të vijuar radhën tjetër.