Suedezët pastrojnë Lushnjen; lushnjarët ndjekin ‘shfaqjen pa biletë’

0
62

ResPublica.al, 6 prill 2012

Një kronikë e televizionit Top-channel të linte të topitur, pa fjalë e me një lloj sikleti për faktin që jemi pjesë të një komuniteti apatik e të përgjumur. Bëhej fjalë për dhjetra të rinj suedezë, të cilët kanë ardhur tok me një prift në Lushnjë, e nën shtysa fetare kanë ndërmarrë një aksion pastrimi të qytetit myzeqar. “Lushnja është shumë e pistë dhe ne duam ta përmirësojme këtë gjendje, në të cilën ndodhet aktualisht. Ne mund të bëjmë diçka së bashku”, thotë njëri syresh.

Kamerat kanë kapur banorët e qytetit, të cilëve nuk u është ngacmuar asnjë nerv civik prej këtij aksioni. Të gjithë kanë bërë sehir. Edhe kur grupi i vullnetarëve suedezë mbërrinte te pragu i ndonjë shtëpie private, të zotët e shtëpisë dilnin te porta e bëheshin spektatorë të “shfaqjes”. Nuk u bë i gjallë askush për të mobilizuar lushnjarët në mbështetje të këtij aksioni e pwr t’i nxjerrë në rrugë krah për krah suedezëve; nuk u bë i gjallë as prefekti, as kryetari i bashkisë, as kryetarët e PD-së, PS-së, LSI-së, as forumet rinore të këtyre partive që në rrethana elektorale mbushin sallat plot, as ndonjë shoqatë, as drejtori i ndonjë shkolle, as kishat apo xhamitë e atyshme, as dega e Aleancës Kuqezi që e ka ngritur kuazën e vet mbi vlerat e mëdha putative humane e kulturore që gjenden në këtë zgëq të pistë të globit, e që për devizë ka sloganin ‘O sa mirë me qenë shqiptar!”

Nëse është mirë me qenë shqiptar, atëherë duhet të jetë turp me qenë suedez. Apo jo?

M.N.