Studiuesja britanike: Qeveria duhet të reagojë urgjent për gjakmarrjen. Kjo është një çmenduri

0
64

Autorja britanike me fame botërore në qarqet akademike dhe studiuesja e fenomenit të gjakmarrjes në Shqipëri, Antonia Young, shprehet se gjendja e të ngujuarve ne Shqipëri është tragjike dhe e krejtësisht e çmendur.

Bisedoi: Ilva Tare, Tonight, 25 Shtator 2012

Kur keni qenë për herë të parë në Shqipëri?

Për herë të parë kam ardhur në Shqipëri në vitin 1989. Atëherë isha në qendër të Tiranës dhe mendova se mbase kisha mundësi t’i flisja dikujt. Ishte një shitës në sheshin qendror të Tiranës dhe mendova se ishte mundësia ime t’i flisja. Shkova, bleva diçka dhe ika sepse ai kishte frikë t’i fliste një të huaji, por gjërat kanë ndryshuar shumë.

Cila ishte përshtypja juaj, si ishin shqiptarët?

Përshtypja ime e parë ishte se ndodhesha në një vend shumë të bukur. Isha në dijeni për vështirësitë e mëdha që ishin këtu, të cilat ishin pjesë e arsyeve pse unë erdha këtu. Ndryshimi erdhi shumë shpejt dhe mendoj se kjo ka ndodhur më shpejt se ç’duhet, prandaj ndodh dhe kjo përballje kaotike. Demokracia nuk vendoset brenda natës, nuk ndodh as në një brez, ajo kërkon shumë shekuj dhe nuk është perfekte në asnjë vend të botës, pra të kesh demokraci në 2 vjet është e pamundur.

Kur keni dëgjuar për herë të parë për gjakmarrjen?

Kam dëgjuar që para se të vija në Shqipëri. Shumë njerëz e kanë vizituar Shqipërinë midis 2 luftërave botërore, dhe shumë të huaj, anglezë, amerikanë, gjermanë, austriakë kanë shkruar libra dhe unë i kam lexuar dhe gjakmarrja ekzistonte që në fillimet e shekullit të XX. Kur erdha për herë të parë, pyeta për këtë, por regjimi komunist ushtronte presion dhe çdokush mohonte ekzistencën. Gjakmarrja rifilloi në vitet ‘91-‘92, kur komunizmi ra dhe kaosi pushtoi. Vendi më vonë u privatizua, por askush nuk dinte se ç’të bënte dhe popullsia ishte rreth 3 herë më e madhe se ç’ishte më parë. Kështu që ishte thuajse e pamundur tu jepje pronat njerëzve që u takonin.

Kështu që ky ishte një problem i madh dhe unë e kuptoj që kjo ka qenë arsyeja më e madhe për nxitjen e gjakmarrjeve në vend. Madje edhe një aksident me makinë mund të kthehej në gjakmarrje, njerëzit gjithmonë bëheshin më gjaknxehtë. Mendoj se duhet një arsimim më i mirë, që nga shkollat fillore për të hequr këtë ndjenjën e të marrit hak për çdo gjë. Po t’i shikosh familjet e ngujuar, ata nuk e dinë se si të dalin nga gjakmarrja ndonjë ditë, dhe kjo situatë kërkon një reagim urgjent nga qeveria. Unë kam qenë në këto familje dhe gjendja është tragjike, shumë tragjike.

Ndjej keqardhje për ata fëmijë dhe është e tmerrshme. Mendoj se ka nevojë urgjente të forcohet arsimimi, për tu mësuar fëmijëve se hakmarrja nuk është mënyra më e mirë për t’i zgjidhur gjërat, se me hakmarrjen nuk arrihet asgjë. Duhet ndoshta më shumë ndihmë nga komunat për t’i arsimuar, që ata mos të vazhdojnë më gjaqet. Këto janë gjëra të çmendura.

Kur ju ktheheni në vendin tuaj dhe tregoni për gjakmarrjen si reagojnë britanikët?

Çdokush është i shokuar, absolutisht i shokuar dhe njerëzit në qeveri nuk do e besojnë, ashtu siç qeveria juaj nuk pëlqen ta pranojë, por individët e besojnë dhe janë të shokuar për këtë. Çdo disa javë ka raportime në Britani ose në një vend tjetër. Eshtë e thjeshtë të thuash që nuk është e vërtetë. Unë erdha për të zbuluar nëse është e vërtetë dhe fatkeqësisht zbulova që është e vërtetë.