Studim mbi marrëdhëniet diplomatike Zvicër-Shqipëri

0
55

Zef Ahmeti, 20.12.2012

Me rastin e festës së 28 nëntorit Zef Ahmeti nga Instituti Shqiptar i St.Gallenit (Albanisches Institut, St. Gallen) i dhuroi një studim ambasadorit të Shqipërisë ne Zvicër, Mehmet Elezit. Bëhet fjalë për studimin e Z. Ahmetit mbi procesin e ngritjes së marrëdhënieve diplomatike Zvicër-Shqipëri.

Autori në këtë studim paraqet rrugën e gjatë deri në ngritjen e marrëdhënieve diplomatike mes këtyre dy vendeve. Ky punim është i veçantë sepse është më i kompletuari deri më tani në këtë temë. Aty paraqitet në mënyrë kronologjike, me referime kryesisht të korrespodencave dhe akteve diplomatike zvicerane, procesi i gjatë deri në emërimin e ambasadorit të parë zviceran për Shqipëri në fillim të viteve të 1970-a.

Punimi fillon me periodizimin e politikës së jashtme shqiptare në periudha dhe faza. Kjo ndarje e përcjell shkrimin gjatë gjithëm kohës. Studimi është shkruar në gjuhën gjermane dhe mban titullin “DER LANGE WEG ZUR ERRICHTUNG DIPLOMATISCHER BEZIEHUNGEN SCHWEIZ – ALBANIEN”.

Siç vihet re në punim, kërkesa e parë nga Shqipëria për njohje nga Zvicra vjen nga W. von Wied (1914).

Mirëpo, Shqipëria u njoh nga Zvicra si shtet i pavarur vetëm 10 vite mbas shpalljes së saj, pra në vitin 1922. Mirëpo kjo njohje nuk u kurorëzua menjëherë edhe me ngritjen e marrëdhënieve diplomatike. Autori i paraqet aty edhe arsyet. Po ashtu Zvicra kishte njohur edhe Ahmet Zogun si mbret të Shqipërisë, sikur që do t`i njohë mëtutjet edhe ndryshimet tjera, psh. unionin Itali-Shqipëri.

Me shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore do të kemi një qasje shumë më të rezervuar të diplomacisë zvicerane përballë Shqipërisë, përkatësisht regjimit komunist. Pas disa kërkesave të njëpasnjëshme, departamenti politik zviceran do të vendoste, 48 vite nga koha kur kishte njohur Shqipërinë, të ngrinte edhe marrëdhënie diplomatike.

Në studim paraqiten edhe shume aspekte të ndryshme që kanë luajtur rol në këtë rrugëtim të gjatë që pati kjo ngritje e marrëdhënieve diplomatike. Në fund të punimit jepen disa faksimile nga aktet origjinale.

Autori thotë se në këtë shkrim është marrë parasysh vetëm aspekti i ngritjes së marrëdhënieve diplomatike, meqenëse, ai thotë se është duke u punuar edhe në aspektin e aktivieteteve të diasporës shqiptare para Luftës së Dytë Botërore, përkatësisht për historinë e kontakteve të para zvicerano-shqiptare që datojnë që nga mesjeta. Ajo që bie në sy, thotë autori, është fakti se në Zvicer kishte një diasporë shqiptare mjaft aktive qysh para luftës, mirëpo me ardhjen e komunistëve në pushtet ata pushojnë me aktivitetet e tyre. Pastaj në vitet e 60-a do të fillojë ardhja e shqiptarëve nga viset e ish-Jugosllavisë.