STUDENTË TË INSTRUMENTALIZUAR APO LËVIZJE E PAVARUR?

0
68

NJË VËSHTRIM I SHKURTËR MBI DISA TRAJTIME TË LEVIZJES STUDENTORE TË VITEVE 1990-1991 NË 20 VJETORIN E SAJ

Nga Shinasi Rama

NË VEND TË HYRJES

Duhet thënë se për shumë shqiptarë Lëvizja Studentore Shqiptare e viteve 1990-1991 (tash e mbrapa LSSH), është një nga levizjet e spikatura shoqërore të historisë kombëtare. Për pjesëmarrësit, ajo mbetet një faqe e ndritur e jetës së tyre personale dhe një shembull për t’u ndjekur nga më të rinjtë. Pavarësisht këndvështrimeve të kundërta (që e shohin atë si një instrument të segmenteve të parisë apo si një Lëvizje të pavarur), të gjithë palët në debat pajtohen se Lëvizja ia arriti të kontribuojë fuqimisht në ndërrimin e sistemit e në shmangjen e Luftës Civile në një moment tejet kritik për shtetin e kombin shqiptar.

Por, interpretimet ndahen kur vjen puna që të gjykohet pavarësia e saj, drejtimi i saj, qartësia e orientimi i saj ideologjik, e mbi të gjitha roli i intelektualëve dhe individëve të vecantë brenda Lëvizjes. Të gjitha këto pika ndarëse u pa qartë se ishin trajtuar në mënyrë konsistente por tërësisht të papajtueshme në tre narrativat e pranishme në shtyp e media.

Është e pritshme se me kohë nëse LSSH trajtohet me rigorozitetin e duhur shkencor shumë gjëra do të qartësohen. Megjithatë, pavarësisht interpretimeve të ardhshme, duket se, në këtë pikë, këto tre narrativa do të përcaktojnë edhe trajtimin që do ti rezervohet në histori kësaj Lëvizje. Në përgjithësi, debatet më thelbësore janë të lidhura me rolin e individëve të ndryshëm në Lëvizje e në drejtimin e saj, me rolin e intelektualëve, me vlerat ideologjike të Lëvizjes e objektivat e saj politike si dhe me kontributin e saj në një rrafsh historik e krahasues me lëvizje të ngjashme, ose me vende që kanë qënë në pika kthese të ngjashme me shtetin shqiptar. Prandaj ia vlen që të ndalemi e ti trajtojmë këto probleme me kujdesin që meritojnë.

Pikëpyetjet janë të shumta dhe, si të gjitha lëvizjet që shpërthejnë në skenën politike e që luajnë një rol kritik, edhe LSSH është e rrethuar me shumë hamendësime. Proceset evoluan shpejt e pak fakte janë të filmuara e të dokumentuara dhe mungon konteksti i tyre. Arkivat e kohës duhet të jenë të mbushura por ato janë të paarritshme për ata që janë të interesuar e kështu gjithkush mbështetet në kujtimet e në paterialet që kanë privatisht duke e paraqitur LSSH nga një këndvështrim përvoje personale që shpesh nuk e përfshin të tërën. Nuk mund të pritet që në këtë shkrim të jepet një pamje e plotë e saj, e as të ofrohet një përshkrim i detajuar.

Në këtë shkrim, mbasi paraqes disa nga këndvështrimet kryesore, do të mundohem të hedh dritë mbi disa nga elementet e këtyre interpretimeve që nuk përputhen me të vërtetën historike. Me që shkrimi, s’mund të përmbledhë e të thotë gjithcka, do të synoj që të analizoj disa nga këto aspekte thelbësore të trajtimit të LSSH. Në mos tjetër, për të shkruar pak më mirë historinë, ia vlen që të fillohet një debat i ngritur në nivel profesional lidhur me Lëvizjen, rolin e vendin e saj në historinë e vonshme shqiptare si dhe me interpretimet e ndryshme.

Duke sjellë edhe disa argumente e fakte që dalin nga filmimet, materialet e shkruara, e dokumentet e kohës do të mundohem që në pika të caktuara të ballafaqoj atë që shihet e dëgjohet me narrativat e caktuara. Po ashtu, duke qënë një nga ata që i dha asaj Lëvizje një frymë e rrugë të caktuar, si dhe duke pasë qënë vendimmarrës në momente kritike, e konsideroj legjitime që të sjell edhe gjykimin e kujtimet e mia për momente lidhur me të cilat nuk ka dëshmi të tjera e njerëzit që kanë qënë të pranishëm, gjithnjë për arsyet e tyre, nuk kanë folur sepse nuk ju ka interesuar ose nuk i kanë trajtuar me rëndësinë që meritojnë, thjesht sepse nuk dinë më shumë. Mirëpo efekti ka qënë gjithnjë i njëjtë. Lëvizja është interpretuar në mënyra jo të drejta dhe jo ashtu si e meriton.

Në pjesën e parë të shkrimit trajtohen tri narrativat sunduese. Në pjesën e dytë diskutohen disa nga pikat më të debatuara ndërmjet narrativave. Në pjesën e tretë e përmbyllëse ofrohet një përmbledhje e argumenteve të paraqitura.

1. TRE PARADIGMA LIDHUR ME INTERPRETIMIN E LEVIZJES STUDENTORE

Si u vu re në shtypin e mediat e Tiranës e më gjerë, gjatë këtij 20 vjetori interesimi për Lëvizjen studentore është ende i gjallë. Përtej dëshmive individuale e interpretimeve të pjesëmarrësve të përmendur më lart duhet theksuar se në përgjithësi ka tre grupime interpretimesh lidhur me Lëvizjen Studentore. Të tre këndvështrimet japin interpretime të papajtueshme e krejtësisht të kundërta lidhur me të gjitha aspektet kryesore të veprimtarisë së asaj Lëvizje. Nevoja për të paraqitur një interpretim koherent e konsistent e sa më afër të vërtetës është më se e prekshme. Kjo përbën një shtysë të fortë për të analizuar e konsideruar me qetësi, si në kohë, ashtu edhe në qëllimet politike e në vetëdijen e atyre që organizuan këto veprime.

Një përpjekje për të krijuar me objektivitet ecurinë e ngjarjes është bërë nga Fred Abrahams i cili këtë vit botoi kapitullin e parë të librit të tij mbi tranzicionin në shtetin shqiptar që përqëndrohet te kjo Lëvizje dhe në rolin e saj. Po ashtu shquhen kujtimet e analizat e disa prej studentëve që kanë qënë aktivë në Lëvizje si Mimoza Ferraj, Arben Sulo, Akli Fundo, Spiro Cura, Agim Parllaku, Latif Hoxha, Mujë Bucpapaj, Alban Tershana, Bardhyl Ukcamaj, Afrim Krasniqi, Edvin Shvarc, Muje Bucpapaj, Ardi Stefa, Blendi Fevziu, Flamur Bucpapaj, Dritan Shakohoxha, Skender Minxhozi, Arian Manahasa, Blendi Gonxhe e shume e shume të tjerë që kanë botuar ose kanë dhënë intervista në shtyp e media.

Duhet thënë se këtë vit tërhoqën vëmendjen edhe intervistat e disa politikanëve e intelektualëve që kanë qënë në role kryesore si vendimmarrës, themelues të PD, disa edhe aktivë ose afër Lëvizjes Studentore, e disa edhe të pranishëm në veprimtaritë e saj për arsye të caktuara. Në vecanti, vlen të përmenden Ramiz Alia, Aleksandër Meksi, Sali Berisha, Prec Zogaj, Mitro Cela, Skender Gjinushi, Zenel Hoxha, Arben Imami, Edmond Budina, Engjell Gishti, Omer Stringa, Eduard Selami, Arben Mecaj, dhe Besnik Mustafaj. Shumë prej tyre përqëndrohen në veprimtarinë e ditëve të para d.m.th. në Dhjetor 1990. Si pasojë, ata e shohin Lëvizjen si “Lëvizje e Dhjetorit” që zgjati jo më shumë se 5-6 ditë dhe e lidhin gjithcka ose me intelektualet ose me Partinë Demokratike, kontributi i tyre në analizimin e rolit të asaj Lëvizje meriton vëmendje të vecantë.

Duke hedhur dritë mbi procese e me ngjarje që tashmë mund të vërtetohen vetëm me dëshmitarë, kontributi i këtyre individëve në gjykimin e saj është i një rëndësie të dorës së parë dhe nuk mund të kalohet lehtë. Natyrisht, duhet thënë se gjatë këtyre 20 viteve shumë vetë kanë dhënë dëshmi që kundërshtojnë njëra-tjetrën, e natyrisht edhe dëshmitë e vetë pjesëmarrësve kanë qënë të ndryshme në kohë të ndryshme. Prapëseprapë, një tufë dëshmish të reja krijon mundësinë për debat e për të analizuar më me vëmendje disa nga momentet kritike në jetën e asaj Lëvizje Studentore.

Në fund janë një grup opinionistësh e komentatorësh ndër të cilët Artan Fuga, Fatos Lubonja, apo Mustafa Nano, të cilët e shohin si Lëvizjen ashtu edhe kontributin e saj me një dozë skepticizmi. Mendimi i tyre është se kjo Lëvizje u përdorua nga sistemi. Sipas këtyre analistëve, studentët që e shohin Lëvizjen si kontribut të mirëfilltë vec gënjejnë vetëm veten e tyre thjesht sepse ata u përdoruan keqasi nga gjahtarët e parisë.

1.1. HAGJIOGRAFIA ZYRTARE: NJË LËVIZJE E FRYMËZYAR, E ORGANIZUAR DHE E DREJTUAR NGA INTELEKTUALËT E NGA PD

Një këndëndvështrim është hagjiografia zyrtare që është e paraqitur fuqimisht në shkrimet në gazetat RD, ’55,’ e në dokumentarët e televizionit ‘KLAN,’ si dhe në disa botime të tjera. Argumenti thelbësor i këtij grupimi është se Lëvizja Studentore është e lidhur në gjithcka e pazgjidhshmërisht me personin e Azem Hajdarit, të Sali Berishës, e të Arben Imamit. Në të gjitha këto shkrime theksohet lidhja e pazgjidhshme (në kërthizë) midis Lëvizjes Studentore e Partisë Demokratike. Sipas hagjiografeve, si Fahri Balliu e Arben Mece, por edhe te individëve të tjerë që s’kanë qënë askurrkund afër Lëvizjes, si bie fjala, Neritan Ceka apo Jozefina Topalli, njëra është vazhdimi i patjetërsueshëm i tjetrës. Argumenti i tyre është se individët drejtues e aktivë në Lëvizje kaluan nga Lëvizja në PD në mënyrën më të natyrshme. Nga ky këndvështrim, Lëvizja paraqitet si një masë studentore e amullt e pa ide, të cilës iu dha drejtim nga Sali Berisha e Azem Hajdari.

Po ashtu nji opinion i fuqishëm i kësaj qasje është se në thelb lëvizja nuk arriti ndonjë gjë të madhe përtej asaj që ia këshilluan intelektualët e kryeqytetit. Pra Lëvizja reduktohet në protesta që zgjatën vec pesë ditë e në një masë studentore që u shkri natyrshëm në Partinë Demokratike që shihet si e lindur natyrshëm prej saj dhe që nuk u shkëput ndonjëherë prej saj. Në këtë mënyrë, PD paraqitet edhe si organizuesja e drejtuesja e Grevës së Urisë dhe del si struktura që ishte në thelb të cdo arritje të asaj Lëvizje. Shembujt ma interesantë në mbështetje të kesaj hagjiografie janë intervistat e Sali Berishës tek Blendi Fevziu ku flitet për ‘Tribunin Legjendar të Demokracisë,” Azem Hajdari, për parashikimet profetike të këtij të fundit se Shtatorja e Enver Hoxhës do të bjerë, për kontributin e vetë Sali Berishës e me rradhë.

Në këto përpjekje retushuese të historisë përmenden thjesht si interlokutorë e jo si urdhër-dhënës, Ramiz Alia, Xhelil Gjoni, Adil Carcani, Robert Koli, Xhevdet Pata e me rardhë por jo edhe disa persona të tjerë që, anipse në hije, kanë luajtur një rol kyc në prapaskenat e kohës. Ky interpretim është qartësisht i dukshëm në shkrimet e intervistat e Besnik Mustafajt, të Eduard Selamit e të Arben Imamit, Neritan Cekës, Arben Meces por edhe të disa intelektualëve të atyre viteve që kanë botuar shkrime apo kanë dhënë intervista lidhur me Lëvizjen Studentore.

Nga ana e studentëve të asaj kohe, të bëjnë përshtypje dokumentari, anipse konformues, i Blendi Fevziut “Misteret e Dhjetorit ‘90’ si dhe interpretimi i lirshëm i historisë në dokumentarin e fundit “20 Shkurti” në TV Klan. Këtu bëjnë pjesë edhe shkrimet panegjirike të pjestarëve të një grupimi i quajtur “Dhjetori 90.’” Shembulli me ilustrues i të cilëve janë eulogjite e përvitshme të Mujo Bucpapajt e të Bislim Ahmetit në RD, një njeri që s’ka pasur ndonjë rol në Lëvizjen Studentore në Qytetin Studenti e natyrisht as në organizimin e Grevës së Urisë.

Cka të bën përshtypje është se shumë nga shkrimet vijnë nga ish-studentë që edhe pse kanë qënë atje me 5-13 dhjetor as mbas 20 vjetësh nuk janë në gjendje me thanë se cka kanë arritur të bëjnë politikisht, as atëherë e as mbrapa. Këta nuk dinë se cfarë kanë synuar të arrijnë e pse duhen nderuar si ata ashtu edhe ajo Lëvizje Studentore, pjestarë të së cilës kanë qënë. Shumë shkrime të lënë përshtypjen se këto individë thjesht po ndjekin linjën e hagjiografisë zyrtare e me vetëdije të plotë e lejojnë veten të përdoren pa mëshirë e për një post pune. Shkrimet, intervistat, e veprimtaritë e tyre janë të mbushura me lavde patetike për Sali Berishen, për Azem Hajdarin, për Arben Imamin e për disa individë të tjerë që nga ana e tyre iu referohen krushqve apo ish-shokëve të dhomës si dëshmitarë apo edhe oportunistëve që gjinden me kaq shumë lehtësi në Tiranën e sotme.

Përtej këtij emisionit të sotshëm të Blendi Fevziut në Opinionin e 18 Shkurtit 2011, i cili ishte i ndërtuar me shumë kujdes për të dhënë si të vërtetë hagjiografinë zyrtare (ndër të tjera duke promovuar një Komision të Grevës së Urisë që në fakt se ka pyetur njeri në vendimet që janë marrë) e natyrisht për ta nxjerrë Sali Berishën të larë nga roli negativ që ka luajtur si ai, ashtu si edhe Azem Hajdari por edhe PD, ka shumë të tjerë që nuk të lënë asnjë përshtypje të mirë.

Një nga shkrimet më të forta në drejtim të delirit politik, por edhe më tragjikomike në mbështetje të hagjiografisë zyrtare ishte shkrimi i Edmond Budinës tek MAPO në Dhjetor 2010. Në atë shkrim teatral tregohej në detaje se si, duke pirë cigare, e të mbështetur për mur të një godine, z. Budina na i paskësh kishte treguar Arben Brocit se si do të ishte e ardhmja demokratike e shtetit shqiptar. Edhe pse në atë kohë ai ishte zv.sekretar partie në Teatrin Popullor, e dinte më shumë se shumë të tjerë, duke gjykuar nga rruga që mori më vonë z. Budina, njeriu ka dyshime lidhur me sa ka ditur ai për të ardhmen ‘demokratike’ të shtetit shqiptar. Ose, nëse ai ka ditur dicka se si do të jetë kjo e ardhme, dhe ka ikur në Itali, atëherë njeriu ka dyshime lidhur me ndershmërinë e argumenteve të tij në të sotmen ‘demokratike’ sidomos kur ai flet në mbështetje të individëve të vecantë e të arritjeve të PD-së.

1.2. GJUETARËT DHE PREJA: LËVIZJA ËSHTË PËRDORUR NGA PARIA E TIRANËS

Në paradigmën (qasjen) e dytë dallohen prof. Artan Fuga si dhe opinionistët Mustafa Nano apo Fatos Lubonja. Mosbesimi i tyre tek pastërtia e tek kontributi i Lëvizjes Studentore është i thellë, ashtu sic është edhe më i thellë mosbesimi i tyre tek individët që sipas hagjiografisë zyrtare ishin themeluesit, drejtuesit e inspiruesit e asaj Lëvizje. Kur flasin për Lëvizjen, si Lubonja ashtu edhe Nano kanë në mendje individët që u promovuan intensivisht që nga ditët e para e që u bënë të njohur gjatë tranzicionit. Kam parasysh Sali Berishën, që në shkrimin e Nanos shihet si “drejtuesi i Dhjetorit” e Azem Hajdarin që shihet si tribuni i demokracisë apo më saktë i PD-së.

Premisa e gjykimit është kjo: në se Lëvizja Studentore ka qënë e drejtuar dhe e organizuar nga këta individë që, sipas autorëve, gjatë tranzicionit u sprovuan të ishin me karakter tejet të dyshimtë, dhe që me sjelljet e tyre të mëpastajme, po sipas autorëve, kanë lënë një shije të hidhur në nivelin e vlerave më njerëzore e kombëtare atëherë nuk ka pse të respektohet një Lëvizje e tillë. Po ashtu, nëse Lëvizja ka qënë e përbërë nga studentë që mblidhen me grupimin “Dhjetori 90’” që edhe që sot e kësaj dite mbështet verbërisht Sali Berishën, (jo më larg se deklarata e tyre për shtyp në Gazetën 55 të 20 Shkurtit 2011 e provon këtë) ajo nuk mundet me pasë kenë e pavarur.

Nëse këta individë e tregojnë veten si individë pa pikë pavarësie e vetëdije politike, atëherë nuk ka se si me kenë e mundur që ata s’kanë pjekuri politike as sot e kësaj dite, por përdorohen me kaq lehtësi, me kenë heronj e me e meritue me u nderue si heronj. Si pasojë, ergo, Lëvizja Studentore as ka merita, as nuk mundet me pasë kontribute. Prandaj, përkujtimi i saj, si Lubonjës ashtu edhe Nanos, por edhe një mase të heshtur apo vokale anonime të pasuesve të kësaj paradigme iu shkakton dyshime e neveri.

Pika që Lubonja e Nano e cekin por nuk e zbërthejnë sa duhet është bindja e tyre se Lëvizja Studentore u përdor nga ‘gjahtarët’ e sistemit, që ende nuk duan të flasin e të thonë se cfarë bënë e si ja arritën. Mendimi i tyre por edhe i të tjerëve, është se në rastin më të mirë, ‘gjahtarët’ ua hodhën ‘luanëve’ të rremë të Levizjes Studentore e në rastin më të keq, ‘luanët’ ishin thjesht marioneta të tyre.

Duke qënë se ipso facto, në mendjen e tyre, Lëvizja ose ka qënë e përdorur, ose e drejtuar nga këta dy individë, atëherë sic shkruan Mustafa Nano tek MAPO e datës 10 Dhjetor 2010, ai habitet që pjesëmarrës të tjerë në këtë Lëvizje por edhe “… Shinasi Rama… ngrefoset e është krenar se ka qënë student në Lëvizjen Studentore.” Nënkuptimi është se ne flasim pa arsye e se nuk jemi fare të vetëdijshëm se si jemi përdorur dhe se nuk duhet të lidhim emrin me Lëvizjen që nuk ka pse të respektohet pse e drejtuar dhe e organizuar nga Sali Berisha e Azem Hajdari e pa vlera pikëpamje e program të qartë.

Nga një anë duhet thënë se individë si Mustafa Nano tregojnë mllef te pajustifikuar karshi të tjerëve por edhe mungesë dijesh në lidhje me rolin e vendin e asaj Lëvizje në historinë shqiptare. Duke ja pranuar lirshmërinë në gjykim, sepse si komentator ai ka të drejtë me thanë cka I duket e drejtë, Z. Nano duhej të mendohej dy here e të lexonte të paktën se cka thonë pjestarët e saj. Po ashtu, dyshimet e Fatos Lubonjës lidhur me kontributin e saj, por edhe me rolin e individëve, po ashtu tregojnë një keqkuptim të madh që duhet sqaruar me durim. E prandaj, ia vlen që të vihen pikat mbi ‘i’. Edhe në se nuk është e mundur që të sqarohen të gjitha gjërat (nga këndvështrimi i jonë, natyrisht) ia vlen që të ceken disa pika kyce e prej andej mund të fillojë edhe diskutimi lidhur me këtë lëvizje madhore në historinë e vonshme shqiptare.

1.3. NJË LËVIZJE PATROTIKE E DEMOKRATIKE E PAVARUR NGA PARIA E TIRANES

Paradigma e tretë është e përfaqësuar nga një grup tjetër në të cilin bëjnë pjesë disa nga organizatorët, drejtuesit, e pjesëmarrësit në atë Lëvizje. Në shkrimet e tyre ndihet zëri i një masë kritike dhe të heshtur të pjesëmarrësve që nuk gjen pasqyrimin e duhur në përkujtimet e zhurmshme për Lëvizjen në Tiranë. Ish-studentë si autori i këtij shkrimi, por edhe intelektualë të asaj kohe e kanë trajtuar Lëvizjen në shkrimet e tyre me një nivel objektiviteti që deri deri tash e në përgjithësi ka munguar. Mirëpo varfëria dokumentare dhe pamundësia për të rrokur tablonë e madhe, si dhe zhurma mbytëse e aparatit mediatik, por edhe shkrimet që dalin në shtypin e përditshëm nuk e ka nxjerrë si duhet të vërtetën e saj.

Një përpjekje interesante por edhe tejet kontradiktore (sepse tregoi mungesën e njohurive lidhur me atë Lëvizje) për të rivlerësuar me objektivitet Levizjen studentore po ashtu u bë nga ana e Presidentit Bamir Topi. Në motivacionin e dekorimit të Lëvizjes Studentore me titullin “Nderi i Kombit,” Bamir Topi theksoi disa aspekte të kontributit themelor të Levizjes qua Levizje, të cilat nuk kanë qënë as të përmendura në parë e lëre më kaq të theksuara si në fjalimin e tij. Pjesa e parë e fjalimit të tij vinte në dukje më një qartësi të jashtëzakonshme disa nga kontributet themelore të asaj Lëvizje dhe për këtë meriton vëmendje të vecantë.

Nga ana tjetër, në paragrafin e fundit, ai edhe potencoi fuqishëm interpretimin e Lëvizjes nga këndvështrimi i hagjiografisë zyrtare duke folur për Azem Hajdarin si figura qëndrore e Lëvizjes Studentore në periudhën Dhjetor 1990-Shkurt 1991. Problemi është se njëri këndvështrim përjashton tjetrin. Azem Hajdari nuk ka kenë ndonjëherë lideri i LSSH sepse ai as nuk ka kenë, as nuk ka mundë me kenë lideri im, as i shumë shokëve të mi as edhe për një moment. Ma e shumta ka kenë një bashkëudhëtar.

Ai ka pasur mbështetje në fillim në një grup të caktuar e si do ta shpjegoj më poshtë, erdhi një ditë, jo më vonë se në Janar të vitit 1991 që vetë ata studentë që e mbështetën në fillim, e përbuzën dhe e tallën në Sheshin e Qytetit Studenti. Edhe pse duhet mbajtur në mend se politikani i vërtetë është ai që mundet me mbajtë dy ide të kundërta në mendje si të vërteta, kjo sjellje është e papranueshme në analizën historike e vecse nxjerr në pah idiosinkracinë e të menduarit lidhur me Lëvizjen.

Por, duke u kthyer tek roli i Lëvizjes, të gjithë ne, që e kemi studjuar apo analizuar, në mënyrat tona, me qetësi jemi përpjekur me vue në dukje disa nga arritjet e asaj lëvizje madhore në historinë e vonshme shqiptare. Argumentet e këtij grupi studjuesish janë se Lëvizja Studentore ishte një lëvizje në vazhdimësinë e Lëvizjeve studentore që kanë qënë aq të gjalla e të fuqishme në periudhat më kritike të historisë shqiptare.

Ajo është faktori më i fuqishëm në fillimet e tranzicionit, sepse studentët e thyen partinë-shtet, ishte më masivja sepse në të u përfshinë studentë nga të gjitha anët e shtetit, ishte më vendimtarja se ju kundërvue aparatit të dhunës e terrorit tamam kur ishte koha më kritike dhe paritë zvarriteshin përdhe, ishte më e papërlyera se ato studentë nuk kërkuan asgjë veç të mirën e popullit dhe nuk morën asgjë si shpërblim. Mbi të gjitha, ajo lëvizje ishte më e panjolla, sepse askush nuk mundet me dalë e me thanë se studentët në atë lëvizje kërkuan gjakderdhje e vëllavrasje. Më në fund, askush nuk mundet me dalë e me thanë se atë Lëvizje e përdorën si vegël të tyre individë e grupe të caktuara të parisë së Tiranës. Kur jemi përdorur, e kemi lanë veten të përdoremi se e kemi ditur dhe se e kemi ndjerë se ku ishte e mira e të gjithë shqiptarëve. Rrugët tona janë kryqëzuar por ne kemi qënë në rrugën e tyre sa kohë që ato kanë qënë në rrugën tone.

Ishte ajo Lëvizje që synoi ta transformonte dhe ta drejtonte urrejtjen e popullit karshi një sistemi tiranik në një revolucion të vërtetë popullor që synoi dhe ja arriti të merrej me strukturat e jo me njerëzit e veçantë. Për një periudhë shumë kritike, sytë dhe mendja e popullit ishte përqëndruar tek Lëvizja Studentore dhe, ishte ajo Lëvizje Studentore që e drejtoi në rrugën e së drejtës, të mirëkuptimit e të pajtimit kombëtar duke e përdorur respektin e prestigjin e fituar për të ndihmuar të gjithë shqiptarët. Lëvizja studentore mori përsipër me ndërgjegje të plotë dhe pa u përdoruar atë detyrë historike të nxjerrjes prej sundimit të partisë shtet dhe të futjes së vendit në binarët e një sistemi demokratik e modern.

Për mbi të gjitha, lëvizja Studentore nuk bëri asnjëherë thirrje për gjakderdhje por vetëm për vetësakrifikim e vetëflijim. Ajo ishte një Lëvizje e qytetëruar dhe e kulturuar që kërkoi e punoi që të gjithë shqiptarët të kishin mundësi që të fillonin një jetë të re pa e urryer njëri-tjetrin dhe pa e lënë Luftën e Klasave që të shndrrohej në Luftë të hapur Civile. Lëvizja veproi e shkëputur e paralel partive politike që lindën apo u transformuan gjatë periudhës së parë të tranzicionit.

Lëvizja zgjidhi problemin e eliminimit të rolit e të mitit të Enver Hoxhës duke i hapur rrugën demokracisë së ideve e të vlerave. Organizimi i Grevës së Urisë është ndër shembujt më të pastër e patriotikë të shërbimit publik që mund të ketë dhënë ndonjë grup në historinë shqiptare. Nga fillimi i Janarit 1990, një grup studentësh u organizua në Shoqatën Studentore Fan S. Noli, shoqata që ideoi, e përgatiti, e organizoi dhe e drejtoi Grevën e Urisë që shembi mitin e diktatorit Enver Hoxha.

Kjo Grevë urie është menduar, organizuar dhe drejtuar me një vetëdijshmëri të lartë për pasojat që mund të kishim, por edhe për nevojën e jashtëzakonshme të kryerjes së këtij detyrimi karshi të ardhmes të të gjithëve shqiptarëve. Enver Hoxha ishte shpirti, jeta, dhe mendja e diktaturës dhe e strukturave që e mbanin atë gjallë. Emri dhe vepra e tij i mbante bashkë të lidhur fort të gjithë strukturat e sistemit të partisë-shtet. Nuk mund të kishte demokraci me fytyrën e një krimineli si Enver Hoxha të varur në çdo klasë shkolle e në çdo shesh të qyteteve e të fshatrave të shtetit shqiptar.

Ka qënë bindja e jonë e patundur se duke e hequr dhe duke e shembur mitin e tij, do të liroheshin jo vetëm ato kishin qënë të shtypur, të dhunuar e të persekutuar por edhe vetë pjestarët e strukturave të partisë, të shtetit dhe të sigurisë që jetonin me frikë se e tillë ishte natyra e despotizmit, e sulltanizmit dhe e tiranisë enveriste. Duke e shembur mitin dhe statujën e Enver Hoxhës, ne kishim besimin e thellë se do të hiqej ‘molla e sherrit’ dhe vendi do të merrte frymë lirisht, se do të kishte probleme por se nuk do të kishte Luftë Civile, se do të kishte përplasje por nuk do të kishte vëllavrasje.

Ne këmbëngulim në vlerat historike të saj, në kontributin e jashtëzakonshëm të të gjithë atyre mijra studentëve e studenteve që morën pjesë në atë Lëvizje që zgjati nga Dhjetori 1990 deri në fund të Marsit a në fillim të Prillit 1991, kjo varet se si konsiderohen ngjarjet e 2 Prillit 1991. Para se me dhanë gjykime për Levizjen Studentore, ata që flasin për atë Lëvizje duhet me konsiderue edhe pikëpamjen e këtij grupi me peshë, thjesht sepse shumë nga kontributet e saj më të rëndësishme lidhen direkt e pazgjidhshmërisht me këtë grup pjesëmarrësish e drejtuesish të Lëvizjes Studentore.