STRATIGOSI I USHTRISE SE VDEKUR

0
64

Artan Lame

SHQIPNI TAVOLINASH
Ismaili nuk ulet dot të shkruajë volumin e dytë të “Gjeneralit të Ushtrisë së Vdekur”. Nuk ulet dot, qoftë edhe për faktin e thjeshtë se do të zhvleftësonte volumin e parë të shkrojtur 40 e kusur vjet të shkuara dhe që i dha famë anekënd botës. Megjithatë, kjo nuk e pengon dot këdo prej shqiptarëve të rinj që ta bëjë këtë punë, ndaj, sa janë gjërat të freskëta, po hedh në letër ca ide që mund t’i përdorë kush të dojë për të shkruar librin e dytë që i bie ta quajë “Stratigosi i ushtrisë së vdekur”.

Në këtë libër të dytë, vëndi ku zhvillohen ngjarjet nuk do quhet më Shqipëri, por “Epiri i Veriut”. Personazhet kryesore do jenë një gjeneral që në greqishte i thonë stratigos, dhe një prift që i thonë papu. Ky Papu, në ndryshim nga prifti i Kadaresë, do të përpiqet të miqësohet jo me fëmijë të vegjël, por me djem të rinj faqepadirsur të cilët do t’i ndukë nga tulet nëpër motele, tamam siç bënte ai prifti në Korçë ca vjet më parë. Stratigosi dhe Papu do t’i zhvillojnë dialogjet dhe monologjet e tyre te hotel “Sheratoni”, pasi hotel Dajti i kohës së gjeneralit të parë, është mbyllur e shkatërruar me kohë e vakt. Të dy do bredhin gërxheve të Epirit të Veriut, të shoqëruar nga ca punëtorë që urojnë të jenë vrarë sa më shumë ushtarë në atë luftë. E bëjnë këtë pasi kanë hall të rrëmihin sa më shumë varre, se paguhen me normë dhe jo me rrogë bazë.

Në vend të eshtrave të kolonelit Zampa, kësaj radhe ata do të kërkojnë eshtrat e kolonelit Zeta, i cili është vrarë diku në një qytet në kufijtë e Epirit të Veriut, që e quajnë Lezhë. Kur u zhduk koloneli Zeta, Lezha kishte qenë një qytet i vockël dhe atje koloneli Zeta shkonte për të takuar një djalosh me ca zakone pak të çuditshme për njerëzit namusllinj të qytetit verior. Pastaj një ditë koloneli u zhduk dhe askush nuk dëgjoi më për të, ndërsa djemtë e qytetit morën frymë të lehtësuar. Me rastin e heqjes së vizave, në qytetin verior të Epirit të Veriut, u organizua një festë e madhe dhe, meqenëse Stratigosi dhe Papu u gjendën atyre anëve, shkojnë për të marrë pjesë. Gjatë festës, një plak i moçëm nuk e duroi dot pamjen ku Papu kërcente dorë për dore duke ju fërkuar ca djemve të cilët, në gëzimin e heqjes së vizave, nuk ia vinin re teprinë. Plaku i moçëm ngrihet, shkon në kullën e vet dhe kthehet me një thes kocka që ishin të Kolonelit Zeta.

Startigosi dhe Papu gjenden në vështirësi, pasi deri tani kishin blerë rreth njëzet palë kocka, për të cilat ata që ua kishin shitur, u kishin bërë be e rrufe se ishin të Kolonelit fatzi, kështu që deshën t’i hedhin ato nga ura. Por pastaj menduan se mjaftonte t’u ndërronin emrin dhe kështu sistemonin ndonjë kolonel, major a kapiten tjetër pa emër. I heq vëmendjen shkrimtarit që këtë punën e kockave duhet ta nxjerrë si histori më vete dhe si zhvillim krijues i librit të dytë në krahasim me librin e parë të Kadaresë. E reja e këtij libri, qëndron në faktin se kësaj radhe Stratigosi dhe Papu nuk është nevoja të bredhin e të hallakaten shumë maleve e skërkave për të gjetur eshtrat mbi bazën e hartave të vjetra. Jo, ata rrinë në “Sheraton” dhe përmes Google Earth në kompjuter studiojnë pëllëmbë për pëllëmbë gjithë territorin. Pastaj bënë një reklamë në televizionet më të rëndësishme pak a shumë me këtë tekst: “Doni të paguani këstet e kredisë së makinës, sillni një palë kocka dhe hallet tuaja mbaruan”. Nuk iu desh të prisnin gjatë kur vërshuan lumenj kockash e kafkash, sa iu desh të merrnin me qira ambiente të reja pranë hotelit. Hallexhinj me thasë në kurriz zinin radhën që pa gdhirë pranë magazinës dhe prisnin të duruar.

I këshilloj shkrimtarit që, për të bërë efekt, të sjellë në libër pjesë nga debatet midis njerëzve që rrinë në radhë, se si presin me dyshimin nëse do t’ua pranojnë kockat apo jo, se si dalin pastaj të gëzuar nga magazina me paratë në njërën dorë dhe me celularin në tjetrën duke i telefonuar familjes. Se si lind bursa e kockave në sheshin aty pranë, ku këmbehen kockat që nuk përputhen me njëra-tjetrën, apo ku plotësohen skeletet e paplota.

Fillimisht Stratigosi dhe Papu kërkonin dëshmi për kockat, por më pas hoqën dorë nga ky formalitet i tepërt burokratik. Këtë ua bëri më të lehtë fakti që përfaqësuesi i Qeverisë Shqiptare kishte një vëlla refugjat në Kretë pa dokumente të rregullta. Brenda dy ditësh letrat e vëllait të përfaqësuesit shqiptar u puthitën dhe, që nga ai moment, përfaqësuesi shqiptar s’linte vënd pa thënë se ç’xhanan burra ishin këta të huajt që i kishin zgjidhur hallin që qeveria e tij s’ia zgjidhte dot prej 15 vjetësh.

Pas ca kohësh, Stratigosi dhe Papu ndërmarrin një udhëtim në jug të Epirit të Veriut, deri në Gjirokastër. Gjatë këtij turneu, ata vizitojnë shumë fshatra ku mblodhën edhe një sasi të madhe eshtrash. Një ditë, atyre u del përpara një fshatar me “dum-dum” ku kish ngarkuar një arkivol. Ai u shpjegoi se ato qenë eshtrat e një ushtari që ai e kishte mbajtur në shtëpi gjatë luftës, derisa e kishin vrarë ushtarët e Batalionit të Kaltër. Batalioni i Kaltër ishte një repart special, i cili përpiqej t’u sillte mëndjen në vend atyre që nuk e dinin se ishin banorë të Epirit të Veriut, ose që e vinin në dyshim një fakt të tillë. Ata këndonin një këngë ku thuhej se “do t’i rripnin shqiptarët dhe me lëkurat e tyre do bënin rroba”. Banorët e Epirit të Veriut, që e shihnin se ata ushtarë ishin të veshur e të mbathur për bukuri, nuk e kuptonin pse paskëshin vendosur të visheshin me lëkurët e tyre si të egjrit e shpellave qëmoti. Është e vërtetë që ata, si banorë të maleve e njerëz të vojtur, e kishin lëkurën të trashë e plot qime, por jo aq sa të bënte për rroba. Ata fshatarë të paqëm, mes tyre bënin edhe hoka: “ore Hasan, me lëkurën tënde del goxha jelek. Rri ore Zenel, se ti ke aq qime sa vetëm për gunë të vlen lëkura po ta rropën”. Për fat të mirë, pas zhdukjes së komandantit, kolonelit Zeta, Batalioni i Kaltër u shpërnda dhe vërtet që me lëkurë shqiposh nuk u veshën dot, por kënga u mbeti ama dhe këndohet edhe sot e gjithë ditën në Eladhë.

Në skenat e fundit të librit të dytë, i këshilloj shkrimtarit që të merret ca me diskutimin filozofik nëse është mëkat apo jo, të varrosësh kokallat e pleqve, grave e kalamajve të vdekur në punë të tyre, për eshtra ushtarësh të vrarë për Eladhën. Stratigosi, që ka bërë edhe një shkollë në NATO, ka disa skrupuj për këtë punë, ndërsa Papu, që shkollën e ka bërë në manastir, duhet të shfaqet më i qartë. Ne jemi vegla të Perëndisë, do thotë ai duke surbuar konjak në klubin e Sheratonit dhe, nëse e bëjmë këtë punë është Perëndia që na ka vënë ta bëjmë. Nëse këta gjynahqarë s’janë ushtarë, por civilë të vdekur nga murtaja, pleqëria a TBC-ja, ky s’është faji ynë, por i tyri. Fajin vetë e kanë se, sikur këta pleq kokëfortë ta kishin pranuar në të gjallë që nuk qenë shqipo, por banorë të Vorio Epirit, ne sot nuk do i nxirrnim nga varret. Pastaj, në eshtëritë po u nxjerrim e po i këmbejmë, se shpirtrat nuk ua shkëmbejmë dot atje ku janë.

Kjo skenë filozofie mund të mbyllet me një zë të çjerrë plake që ulërin nga malet. “O greekër! Po edhe priftin e kini futur në valle, sa e kini bërë të bëjë be të rreme e të thotë që kokallat e pleqve dhe kockat e çiliminjve, janë eshtra ushtarësh që ranë për Eladhën. Po je prift, or të rëntë një pikë dhe, edhe po s’të pa robi kur mbledh kocka të rreme, të sheh Zoti dhe, kur të shkosh një ditë në atë dynja si gjithë vdekatarët. Ai do të hapë qitapin e madh (se Zoti i shkruan të gjitha) e do të të thotë: “Tiii, papa Jani, a papa shejtani, a si ta thonë emrin, i ke hyrë në hak fukarasë në tokë, e mua në qiell dhe harram e paç rrobën e shenjtë të priftërisë, e sikterr u djegsh në katran të xhehenemit”. Se aq e shpifur do t’i duket Perëndisë ajo që po bëni, sa nuk do dojë t’u mbajë as në skëterrën e kaurrëve, po do t’u degdisë në xhehenemin e turqve.