Preç Zogaj, 04.06.2010
Me gjithë përkujdesjen e Berishës dhe Ramës për të mos folur hapur, takimi i Strasburgut nuk ka sekrete për sa i përket bisedimeve që janë zhvilluar atje për zgjidhjen e krizës politike.
Shqiptarët u informuar qysh të nesërmen nga shtypi i tyre se ishte rënë dakord të hapeshin kutitë e materialeve zgjedhore, ndërsa nuk ishte gjendur ende mirëkuptimi për kutitë e fletëve të votimit.
Organizatorët e takimit, siç e deklaroi me gojën e tij komisioneri për zgjerimin, Stefan Fyle, u kishin dhenë qeverisë dhe opozitës shqiptare dy javë afat për të kapërcyer edhe pengesën e fundit.
Gjatë kësaj kohe, duke parë se vetë shqiptarët nuk ulën më pa ndërmjetësim, sado pisk ta kenë punën, do të dërgohej në Tiranë një ekip ekspertësh nga Europa. Çdo gjë tjetër përtej këtyre njoftimeve dhe vendimeve, edhe pse nuk e dimë, ka fatin të jetë garniturë për të zbukuruar kujtime, por pa rëndësi për thelbin e takimit.
Të pranishmit, përfshirë Berishën dhe Ramën, kanë folur pozitivisht për takimin dhe ka qenë e drejtë të flitet ashtu, pasi takimi shpërndau mjegulla të tjera rreth krizës dhe i afroi palët me shumë se asnjëherë tjetër drejt një zgjidhjeje të mesme.
Me dëshirën për t’i mohuar opozitës një sukses në Strasburg, disa nga mediat proqeveritare pohuan se Berisha e kishte ofruar me kohë variantin e kutive të materialeve zgjedhore.
Edhe pse nga krahu i shtypit opozitar nuk e mbanin mend, prapëseprapë të gjithë thanë “mirë”. Problemi nuk kishte qenë e nuk ishte autorësia e zgjidhjes, por zgjidhja. E rëndësishme ishte se po shkohej drejt një hetimi në kuti dhe jo “me pash, jashtë kutive”.
Gjithçka që u tha apo u vendos në Strasburg ka ndodhur e po ndodh. Ekspertët nga Europa kanë ardhur e janë larguar nga Tirana, ekspertët e dy partive të mëdha kanë shkuar e janë kthyer nga Strasburgu, pista e dialogut në nivelin teknik vazhdon të jetë e hapur, sado që po jep shpirt nga mungesa e oksigjenit politik.
Por, këto përpjekje dhe afati dyjavor që u dha, për fat të keq, nuk kanë prodhuar atë që pritet. Madje, duket sikur po shthuret edhe ajo që ishte thurur. Në vend që të këputej nyja e fundit, ngërçi sikur po lidhet përsëri nga e para.
Strasburgu nuk po përparon, por po kthehet prapa më Tiranë. Gjatë këtyre ditëve, në gjithë komunikimin e tij publik për krizën, kryeministri është marrë me përparësi me shefin e opozitës, duke e korrigjuar apo përgënjeshtruar për të vërtetën e Strasburgut, a thua se ajo ngjarje nuk ka ndodhur para dy javësh, por kushedi kur.
Nëse në Strasburg janë thënë e janë vendosur gjëra të tjera, që e ndryshojnë radikalisht atë çfarë është bërë e ditur deri me sot, mirë është që kryeministri të gjejë mënyrën t’i thotë hapur për të orientuar qasjen perëndimore në vendin e tij për zgjidhjen e krizës.
Por ma merr mendja se, duke përjashtuar ndonjë batutë, nuk ka gjasa të jenë thënë e vendosur gjëra të tjera nga ato që janë përcjellë edhe në shtyp. “Sekreti” i vetëm mendoj ka qenë kërkesa e drejtë për të mos folur për një zgjidhje në proces si për një zgjidhje përfundimtare.
Tani, dy javë pas takimit, kryeministri po i kërkon në mënyrë të përsëritur shefit të opozitës “të pranojë ofertën e tij”, domethënë një komision hetimor parlamentar ku opozita ka shumicën dhe drejtimin. Kryeministri nuk i ka zënë në gojë dje dhe pardje kutitë e materialeve zgjedhore.
Oferta e tij e fundit është qartësisht e rrudhur në krahasim me atë që u njoftua pas takimit të Strasburgut. Më tej, ai është kujdesur t’i kujtojë zotit Rama se nuk ka asnjë detyrim ligjor të përfshihet në zgjidhje të tilla.
Nuk është e vështirë të kuptohet se kryeministri Berisha po flet me Ramën që të dëgjojë Europa dhe SHBA-ja. Apo siç thotë fjala jonë e urtë, “po i bie pragut të dëgjojë dera”. Kjo do të thotë se ai ka ndryshuar mendje në raport me takimin e Strasburgu dhe po lëshon nga Tirana deklarata të reja.
Rama e lexoi si një qëndrim me kuptimin e një ultimatum afatin dyjavor që dhanë europianët për mbylljen e marrëveshjes. Ishte një lexim i nxitur dhe i panevojshëm në kontekstin e dialogut të nisur. Në njëfarë mënyre i doli në shteg gratis zotit kryeministër, por edhe e ndihmoi që ky të fliste me Europën si sovranist.
Duke goditur “leximin” e Ramës, Berisha u tha europianëve dhe amerikanëve se nuk pranonte afate. Gjuha që përdori ishte ajo me të cilën u flitet shteteve. Të njëjtën gjë po bën edhe me “ofertën e tij” të rrudhur.
Kam përshtypjen se kthimi i tij në ofertën e vjetër, ku e vetmja e re është kompozimi i komisionit me shumicë opozitare (drejtimin e komisionit e merr gjithnjë grupi që kërkon hetimin, edhe kur është opozitë), pra kthimi te një ofertë, që është shumë më pak se ajo që i dha jetë tryezës së Strasburgut, mbylljes së grevës së urisë dhe përfshirjes së opozitës në komisionet parlamentare, është paralajmërimi i rrëzimit të Strasburgut në veçanti dhe i ndërmjetësimit ndërkombëtar në përgjithësi.
Ky do të ishte një ogur shumë i keq për Shqipërinë. Ndërmjetësimi ndërkombëtar tani është një realitet dhe është mundësia e vetme që kemi për të shkuar drejt një zgjidhjeje të negociuar. Unë kam qenë dhe jam partizan i zgjidhjeve pa ndërmjetësim, por realisht nuk shoh dritë në këtë tunel.
Palët as do t’i mbushin dot mendjen njëra tjetrës me “ofertat e tyre”, as do të sugjestionojnë njëra-tjetrën me “të pathënat”, që kur thuhen rezultojnë fjalë boshe.
Kriza nuk pushon, kur pushon politika. Kriza nuk kthehet prapa, kur hanë fjalët politikanët. Ajo vazhdon rrugën e saj dhe ndalohet vetëm me zgjidhje.
Është gabim i madh të shkohet me mendjen se Europa, meqenëse nuk po e zgjidh dot problemin, do ta injorojë problemin. Europa dhe SHBA do të merren deri në fund, gjithnjë e më qartë dhe gjithnjë e më prerë me krizën e një vendi të familjes siç është Shqipëria.