Eglantina Nasi, 2 dhjetor 2009
Shteti shqiptar vazhdon të penalizohet nga Gjykata e Të drejtave të Njeriut në Strasburg, ku vetëm gjatë këtij viti janë dhënë 11 vendime prej saj. Një fakt i tillë është cituar në raportin më të fundit të këtij institucioni, publikuar me rastin e 60-vjetorit të këtij institucioni. Ai citon se si nga vendet e Ballkanit, vendi i dënuar më shumë nga Gjykata Evropiane e Të drejtave të Njeriut në Strasburg ka qenë Bullgaria, me 231 raste, gjatë 12 viteve të fundit. Duke vijuar me shifra të tjera të larta, si 481 raste të marra në gjykim për Greqinë, 480 për Rumaninë, 643 për Rusinë apo 1 939 për Turqinë dhe 1 953 për Italinë.
Gjykimi më i fundit nga kjo gjykatë është bërë më 26 nëntor 2009, i cili ka pasur të bëjë me një bullgar, për një rast të shkeljes së lirisë së lëvizjes. Më shumë se gjysma e gjykimeve të dhëna nga gjykata u përkasin 4 shteteve evropiane, si Italia me 1 953 aktgjykime, Turqia 1 939 aktgjykime, Franca 740 aktgjykime dhe Rusia me 643 aktgjykime. Dhe, nga numri i përgjithshëm i vendimeve të dhëna deri tani, në mbi 81% të rasteve gjykata ka gjetur, të paktën një shkelje të Konventës nga shteti i anketuar.
Ndërsa thuhet se rreth 64% e shkeljeve të konstatuara nga Gjykata e Të drejtave të Njeriut në Strasburg kanë pasur të bënin me shkeljen e procedurave nga ana e shteteve përkatës, kryesisht për atë të një gjykimi të drejtë dhe të drejtës së pronësisë, ndërsa rreth 8% e shkeljeve të gjetura nga Gjykata kanë pasur për bazë shqetësimin e drejtë për jetën ose ndalimin e torturës dhe trajtimit çnjerëzor ose degradues të ushtruar nga autoritetet në vende të ndryshme.