Stopimi i frikshëm

0
88

Nga Mero Baze

Mbledhja e komitetit ndërparlamentar mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, përfundoi për herë të tretë pa një dokument të përbashkët. Ky është tanimë rekordi i vetëm që Shqipëria ka vendosur në raportet e saj me Bashkimin Evropian. Pas nesh qëndron Turqia, e cila nuk ka arritur ndonjë deklaratë të përbashkët me BE, për shkak të problemit të Qipros, por jo për shkak të mosmarrëveshjes së delegacionit turk. Për shumëkënd kjo duket se është një goditje e madhe për qeverinë e kryeministrit Sali Berisha. Në të vërtetë është një status negativ për të në Bruksel. Zyrtarët e Brukselit pas kësaj janë më të shpenguar kur thonë se Shqipëria ka ngelur për shkak të krizës politike.

Por a e dëmton Berishën në Tiranë kjo situatë?

Është e dhimbshme të thuash se ai nuk dëmtohet nga kjo situatë. Çdo kryeministër normal do të ishte dorëhequr nëse i ndodhte që për një vit e gjysëm nuk arrin dot asnjë deklaratë të përbashkët me Parlamentin Evropian dhe pastaj të pretendonte se po udhëhiqte vendin drejt BE. Por e vërteta e dhimbshme është se Berisha është i qetë pas këtij zhvillimi negativ. Ndëshkimi që Brukseli i bën Shqipërisë për shkak të tij, nuk është realisht ndëshkim për pushtetin e tij.

Për pushtetin e Berishës, i cili është ngritur mbi gërmadhat e paligjshmërisë dhe legjitimitetit të cunguar, kjo situatë është një luks. Mbajtja larg e Shqipërisë nga procesi integrues, dhe stopimi i tij brutal siç po ndodh, shpëton në radhë të parë Sali Berishën nga standardet torturuese për të. Ai ende pa marrë ftesën për t’u bërë vend anëtar për kandidat i BE dhe është nën presion të gjithanshëm të dëgjojë këshillat ndërkombëtare për zgjedhjet e vjedhura në Tiranë.

Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës ka marrë iniciativë personale për t’iu drejtuar Komisionit të Venecias me shpresën se do bindë Berishën të shmangë krizën, ndërsa Komisioneri Fyle u lexoi deputetëve shqiptarë në Bruksel pjesën nga raporti i ODIHR, që theksonte se në vitin 2007 votat e qytetarëve që kishin votuar gabim u quajtën të pavlefshme. Berisha e di mirë skemën e Perëndimit kundër tij. Strasburgu i thotë çoje në Venecia dhe Venecia do thotë ‘veproni siç keni vepruar në vitin 2007’.

Dhe kur këtë Berishës ja bëjnë duke qenë vend të cilit ende nuk i kanë bërë ftesë të bëhet vend kandidat për anëtar i BE, përfytyro ç’mund t’i bëjnë kur ta marrë këtë ftesë dhe më tej kur do t’i duhet të plotësojë matricat e integrimit. Mjafton ky presion publik për të dorëzuar mandatin e Tiranës që të bindin Berishën t’i qëndrojë sa më larg këtij procesi. 12 kushtet e paplotësuara nga Shqipëria janë dëshmi e qartë e këtij vullneti të munguar. Mungesa e këtij vullneti është real dhe konkret. Ai nuk bazohet në faktin që Berisha urren Perëndimin apo do Lindjen, por se standardet perëndimore rrëzojnë atë nga pushteti dhe ai s’mund t’i pranojë.

Një arsye tjetër përse Berisha nuk shqetësohet nga ky stopim i frikshëm drejt Perëndimit, është kultura e mangët perëndimore e qytetarëve shqiptarë. Për shumë shqiptarë çështja e integrimit në Evropë është ngulitur në mendjen e tyre për shkak të një propagande gati gebelsiane se është çështje vizash. Një miku im që merret me sondazhe më tregonte pak kohë më parë se kur kishte anketuar qytetarë shqiptarë të zonave rurale apo dhe klasa të ulëta të qyteteve, pyetjes se si e kuptoni liberalizmin e vizave, e kuptojnë si anëtarësim në Bashkimin Evropian. E dhimbshme, por e vërtetë. Retorika televizive për procesin është konfuze dhe askush nuk kupton rëndësinë e këtij stopimi të frikshëm.

Shqipëria po stopon me qetësi dhe llogari të pastër rrugën drejt Perëndimit dhe po konfuzon qytetarët e saj rreth kësaj drame të panjohur për ta. Vendi sot është në mëshirë të borxheve që po merr nga bota arabe për të mbuluar deficitin që po prodhojnë investimet publike në buxhet dhe ka filluar të pastrojë llogaritë me vendet ish komuniste duke u njohur borxhe banale nga koha e komunizmit me qëllim ripërtëritjen e raporteve me to.

Berisha është realisht i interesuar të qëndrojë mu këtu. Ç’do hap i mëtejshëm i tij drejt Perëndimit e rrëzon nga pushteti. Për të sot janë fantazma komploti Komisioni i Venecias, Sekretari i Përgjithshëm i KE, Raporti i ODHIR, etj. Ai ka interes që të mos shkohet më tej. Mu këtu është mirë. Kemi viza për Evropë. Kush mërzitet dhe nuk e duron dot, le të ikë. Kush duron, le të rrijë. Ai vetë s’ka ndërmend të ikë. Pa luftë.