“Stipe, të lutem…”

0
66


Nga Enver Robelli

Ai që nuk ulërinte me ujqit: Tomislav Jakiq, gazetar veteran i Televizionit të Zagrebit dhe këshilltar shumëvjeçar i ish-presidentit Stipe Mesiq, rrëfen jetën e tij të bujshme profesionale dhe tregon rrethanat e pranimit të pavarësisë së Kosovës nga Kroacia

1. Dynjaja e habitur
Jemi mësuar dhe vazhdojmë të neveritemi me tipin e këshilltarit të pushtetit, i cili s’di gjë tjetër veçse pulaqorthi ta lavdërojë shefin, qoftë ai kryeministër, ministër, zëvendësministër apo zyrtar i rangut më të ulët. Raste të tilla ka plot e përplot jo vetëm në Kosovë. “Shef, mirë e ke”, “shef, mirë e ke thënë këtë”, “shef, mirë ia bëre atij…”, “shef…” – ky është, pak a shumë, vokabulari i jo pak këshilltarëve në raport me eprorët e tyre.

Para pak javësh, gjatë një konference mbi pajtimin mes popujve të Ballkanit, që u mbajt në Dubrovnik, papritmas u gjenda në ashensor me kryetarin e një shteti të rajonit dhe me një këshilltar të tij. Duke menduar se s’merrja vesh nga gjuha e tyre lokale, madje ndoshta edhe duke besuar se s’kisha as ndonjë njohuri mbi politikën në Ballkan dhe se krejt rastësisht gjendesha aty, si turist nga ndonjë qytet gjerman apo austriak, kryetari i këtij vendi rajonal dhe këshilltari i tij filluan të kuvendojnë. Kryetari sapo kishte mbaruar fjalimin e tij para të pranishmëve. Një fjalim patetik, që i zhgënjeu pjesëmarrësit e konferencës.

– Hë, si ishte?, pyeti kryetari vartësin e tij.
– Tepër mirë, tepër mirë, shef, ia ktheu këshilltari.
– Vërtet e ke?
– Po, bash më pyetën edhe disa nga pjesëmarrësit, kush ishte ky që mbajti këtë fjalim kaq domethënës, të rreptë, shtoi këshilltari.

– Hëm! Mirë, mërmëriti kryetari, me gjasë i kënaqur që bota ishte habitur me fjalimin e tij.
Në këtë çast u hapën dyert e ashensorit dhe kryetari iku bashkë me këshilltarin e tij servil.
M’u kujtua ky episod në ashensor derisa po lexoja ditëve të fundit librin “Nuk kam ulëritur me ujq” të Tomislav Jakiqit, gazetar veteran i Televizionit të Zagrebit (më vonë televizionit kroat – HRT) dhe i Radios Europa e Lirë si dhe këshilltar shumëvjeçar i ish-presidentit të Kroacisë Stipe Mesiq.

Çfarë dallimi mes atij këshilltarit që fliste kot në ashensor dhe Tomislav Jakiqit, i cili kur u bë këshilltar i Mesiqit kishte një përvojë të gjatë si gazetar dhe si komentator i politikës ndërkombëtare në televizionin e Zagrebit. Jakiq është ndër këshilltarët e paktë politik në rajon që është përpjekur që me argumente të ndikojë te eprori i tij, ta udhëzojë atë në bazë të dijes dhe përvojës, bile edhe të këmbëngulë në mendimin e tij, sidomos atëherë kur kryetari Mesiq s‘pajtohej. Jakiq asnjëherë s’e ka fshehur se është majtist, socialdemokrat i tipit evropian, antifashist i përbetuar. Gjatë karrierës së tij si gazetar nuk ishte jugosllav i verbër, por as kundërshtar i ashpër i Jugosllavisë.

2. Tito dhe Paveliqi
Libri i Tomislav Jakiqit është subjektiv, fundja një libër i tillë s’mund të jetë ndryshe. Autori nga këndvështrimi personal rrëfen jetën e tij të bujshme profesionale. Libri përmban shumë anekdota, tregime ironike dhe cinike, përshkrime të përvojave të ndryshme si gazetar, komentator, këshilltar politik. Në fund të verës së vitit 1990 Jakiq, atëbotë gazetar i politikës së jashtme në Televizionin e Zagrebit, urdhërohet të shkojë në Amerikë dhe Kanada. Qëllimi i udhëtimit: Mbulimi i vizitës jozyrtare të Franjo Tuxhmanit, liderit të ri të kroatëve.

Në fakt ishte planifikuar që delegacionin ta shoqëronte një gazetar tjetër, por meqë emri i tij nuk tingëllonte aq kroatisht, ekipi i Tuxhmanit dyshonte se ai ishte serb, prandaj ishte përzgjedhur Tomislav Jakiqi. Në Washington, shkruan Jakiq, Tuxhmani ishte takuar me gjeneralin Scowcroft, këshilltar për siguri i kryetarit Bush. Tuxhmani iu kishte drejtuar Scowcroft-it me “koleg gjeneral” – duke ia përkujtuar kështu zyrtarit amerikan një pjesë të biografisë së tij si partizan, si gjenerali më i ri i Titos dhe si president i klubit të futbollit “Partizan” të Beogradit. Nëpër Amerikë Tuxhman kishte lëvizur me dy limuzina të bardha, të cilat, sipas Jakiqit, i binin në sy çdokujt, sepse zakonisht ato merreshin me qira prej zezakëve të pasur – për dasma!

Pas takimit me Bob Dolin, politikanin e njohur të Partisë Republikane, ai e kishte shoqëruar Tuxhmanin deri te vetura dhe i habitur e kishte pyetur: “A është kjo limuzina juaj?” Tuxhmani me krenari ishte përgjigjur: “Yes”. Një episod tjetër nga e njëjta vizitë Jakiq e tregon nga takimi i Tuxhmanit me diasporën kroate në Vancouver të Kanadasë. Në sallën e takimit ishte vendosur portreti i madh i Ante Paveliqit, udhëheqësit të ustashëve në Luftën e Dytë Botërore. “Të nderuar miq, nëse e keni këtu Paveliqin, atëherë vendoseni edhe Titon”, kishte thënë Tuxhmani, duke shkaktuar pakënaqësi mes të pranishmëve.

Kjo ide heretike e Tuxhmanit i kishte pëlqyer Jakiqit. Edhe Jakiq ka qenë heretik, sidomos gjatë kohës kur punonte këshilltar i kryetarit Mesiq. Në Ambasadën amerikane në Zagreb Jakiq ndodhej në listën e zezë për shkak se ishte tepër kritik ndaj politikës së presidentit George W. Bush. Madje Jakiq ishte përpjekur pa sukses të minojë edhe vizitën e Bush-it në Zagreb në verë të vitit 2007.

3. Njohja e Kosovës
Në librin e tij Jakiq sjell disa hollësi mbi politikën e Kroacisë ndaj Kosovës. Ai nuk e fsheh skepticizmin e tij lidhur me bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit, të cilat u ndërmjetësuan nga ish-presidenti i Finlandës Martti Ahtisaari. Jakiq thekson se bisedimet filluan gabimisht, sepse qëllimi i tyre nuk ishte që të dy palët të gjejnë një zgjidhje. Që nga dita e parë dihej rezultati i tyre – pavarësia e Kosovës.

Jakiq kritikon edhe politikën e Serbisë, e cila ishte shumë e ngurtë dhe sillej rreth parullës së turbullt “më pak se pavarësi, më shumë se autonomi”. Në takimet me kryetarin e Serbisë Boris Tadiq homologu i tij kroat Mesiq nuk kishte lënë asnjë mëdyshje se vendi i tij do ta pranonte pavarësinë e Kosovës nëse politikanët e Prishtinës e shpallin atë. Jakiq shkruan se Tadiq ka qenë i vetëdijshëm se Serbia e kishte humbur Kosovën, madje këtë e kishte thënë edhe vetë. Para shpalljes së pavarësisë së Kosovës Mesiq kishte filluar të propagandojë idenë e një marrëveshjeje mes Beogradit dhe Prishtinës mbështetur në kontratën mes dy Gjermanive në fillim të viteve 70-të.

Me këtë marrëveshje Bonni dhe Berlini nuk e pranonin sovranitetin e ndërsjellët, por pajtoheshin me ekzistencën e dy shteteve gjermane. Njëjtë kërkohej të vepronin edhe Serbia dhe Kosova, pra jo njohje të ndërsjellët, por së paku pranim i faktit se të dy vendet ekzistojnë dhe mbi këtë bazë edhe duhet të bashkëpunojnë. Për të mbështetur këtë ide Jakiq kishte përgatitur edhe një koment të presidentit Mesiq, i cili u botua në gazetën “Novi list” të Rijekës një javë para shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Jakiq tregon se iu kishte referuar sidomos Kushtetutës së vitit 1974, e cila në një mënyrë kishte vënë themelet e pavarësisë së Kosovës.

Ajo Kushtetutë, sipas Jakiqit, saktësonte se në krahinën socialiste autonome “populli punonjës dhe qytetarët, kombet dhe kombësitë realizojnë të drejtat e tyre sovrane”. Një ditë para se Kuvendi i Kosovës të shpallë pavarësinë Mesiq zhvillon një bisedë telefonike me Boris Tadiqin. Jakiq shkruan: “Qëndroj pranë tij (Mesiqit, v.j.) në Kabinet. Kryetari aktivizoi interfonin dhe shumë qartë e dëgjoj zërin e kryetarit të Serbisë. ʽStipe, të lutem vetëm një gjë.

Mos u bëhuni ndër të parët që do ta pranoni Kosovënʹ, thotë Tadiq. Mesiq përgjigjet se Kroacia s’do të ngutet”. Zagrebi do të pres dhe do ta pranojë Kosovën tek një muaj pas shpalljes së pavarësisë. Gjatë bisedës Mesiq përpiqet ta bind Tadiqin të pranojë si modus vivendi formulën gjermane. Tadiq thotë se ndoshta kjo është zgjidhja përfundimtare.

Më vonë Tadiq do të luajë kartën e nacionalizimit, duke përsëritur se Serbia kurrë s’do ta pranojë shkëputjen e Kosovës. Kështu do t’i fitojë edhe zgjedhjet parlamentare. Raportet me Kroacinë do të ftohen. Dhe do të ngrohen vetëm muajve të fundit, pas largimit të Mesiqit. Kryetari i ri Ivo Josipoviq e ka shpallur normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë si prioritet. Ai ka vizituar shumicën e vendeve të rajonit. Vetëm Kosovën dhe Shqipërinë i ka lënë anash. Një mesazh i qartë dhe aspak i përzemërt. Një mesazh që ndoshta do duhej ta lexonin dhe interpretonin politikanët në Prishtinë dhe Tiranë.