Analiza, Nga PREÇ ZOGAJ, 02 Shkurt 2013
Kanë tërhequr vëmendjen qëndrimet e herepashereshme kritike të deputetit demokrat Mark Marku ndaj Partisë Demokratike dhe qevesisë së saj. Disa janë kritika të vjetra dhe rutinë, si përshembull ato për mungesën e demokracisë së brëndshme dhe rregullave të karrierës në atë parti. Këto kritika e kanë shoqëruar historinë e PD-së që nga Kongresi i saj i parë në vitin 1991 e këndej dhe kanë parë të konsumohen e madje të sakrifikohen në aulat e saj një aradhë politikanësh të prerjes intelektuale.
Ndërkaq, në pronocimet e Markut ka edhe vëzhgime e kritika të riformulara, që shinjestrojnë trumfin e konformizmit si mjeti magjik për të bërë karrierë në partinë e zotit Berisha, konsumimin e ministrave të përjetshëm që nuk prodhojnë më asgjë, e tjerë. Sidoqoftë , të vjetra apo jo, në rrafshin e efekteve kritikat janë gjithnjë të reja dhe është vërtetë një lajm i mirë që lideri acid, siç e cilëson zoti Marku zotin Berisha, pavarësisht suksesve dhe fitoreve të vazhdueshme që ka shënuar në eliminimin e rivalëve, oponentëve, kritikëve dhe zërave ndryshe në PD, nuk e ka tharë e djegur dot plotësisht truallin e mendimit kritik apo mendimit ndryshe në partinë e tij. Në fakt nuk mund të ndodhë ndryshe, pasi diversiteti është dhunti e demokracisë dhe e natyrës njerëzore njeherësh.
Po a na thonë ndonjë gjë të re kritikat e Mark Markut apo kemi të bëjmë thjesht me edicionin e radhës të një historie që përseritet në mënyrë ciklike çdo tre katër vjet?
Fillimisht duhet të shënojmë se zoti Marku tregohet i kujdeshëm të mos i bëjë asnjë peshqesh opozitës kur kritikon PD-në dhe qeverinë. Me përvojën e një profesionisti, ai ka çuar përpara qartazi tipin e kritikës nga brënda, nga pozitat e një demokrati të lirë. Asgjë tjetër. Kësisoj ka evituar akuzat apo keqkuptimet sikur po çon ujë në mullirin e opozitës. Veç kësaj, duke njohur fatin e paraardhësve apo se ashtu e ka natyrën, ai nuk mjaftohet të flasë në mbledhje të mbyllura, por është më i hapur me mediat; loja që nuk humb kurrë intelektuali është ajo që vë integritetin mbi karrierën politike meskine. Por edhe si zgjedhje, nëse ka zgjedhje politike në kriticizmin e Markut, është më mirë që të shkosh drejt momentit të rikandidimit duke folur hapur se sa duke heshtur. E llogaritur apo jo jo, kjo është në fakt dorashka e deputeti kritik për liderin aturoritar, që ka në dorë listën e kandidatëve për zgjedhjet e afërta.
Partia Demokratike dhe kryetari i saj nuk flasin për kritikat e Markut. Ka rënë në sy njëlloj indiference e tyre, e pazakontë në krahasim me të kaluarën. Heshtja në raste tilla është shumëkuptimeshe: është formë nënvleresimi, duke e parë deputetin si një vetmitar që nuk krijon dot frymë, por thjesht kërkon të shpëtojë shpirtin e tij; është formë çaktivizimi, duke shkuar me mendimin se kritikat e tij janë të vjetra, nuk kanë jehonë në kushtet e reja dhe vetë deputeti do të ndergjegjegjësohet, do të lodhet e do të ndalet; është një formë e rafinuar ëensure nga partia dhe drejtusi që ka përparësinë e kohës dhe fuqisë.
Si ta ketë ndjerë se po shkel në një terren të ri, i prekur padyshim që kritikat e tij nuk trajtohen, zoti Marku ka vazhduar t’i përgjigjet heshtjes me fjalë, sikurse nga ana tjetër kanë vazhduar t’i përgjigjen fjalës me heshtje. Në morinë e ngjarjeve që na fluturojnë para syve, mjaft prej të cilave janë të rënda e shumë të rënda pa dyshim, ia vlen të vëzhgohet edhe fati i kësaj ngjarjeje që mua me duket intriguese dhe domethënëse për atë që ka ndodhur, po ndodh e mund të ndodhë në PD.
Në vijim të hamendjeve për shkakun e heshtjes që po mban PD ndaj kritikave të Mark Makrut mund të shtojmë edhe këtë, që në këtë parti e pranojnë të gjithë tashmë faktin se autoritarizmi i Berishës ka prodhuar një konformizëm asfiksues dhe diçka duhet bërë, qoftë edhe për aparencë. Kritikat e deputetit vlejnë në këtë vështrim për ta paraqitur PD-në në një dritë të re, sikur ajo është një parti ku deputetët janë të lirë t’i thonë hapur mendimet e tyre, pa rrezikuar asgjjë. Në fakt nuk përjashtohet mundësia që, në sfondin e shkretimit që kanë prodhuar, autoritarizmi dhe konformizmi si anë të së njëjtës medalje po e mbarojnë kohën e tyre.
Pra nuk është fare pa thelb ajo që thuhet nën zë se kush ka frikë të flasë frikësohet kot, se nuk mungon më liria, por mungojnë njerëzit e lirë dhe sidomos njerëzit e ditur me ide, që dinë të artikulojnë propozime të reja alternative. Demokarcia ka dhuntinë e vetmbojtjes. Ndrydhja e lirive krijon urinë për të. Në urinë për liri, PD ma merr mendja, do të dontë të porosiste një kundërshti edhe më të gjerë e me të fortë në radhët e saj, që të përfshinte me përparësi çeshtjet e zhvilimit, në funksion të daljes nga çorrsokaku ku e ka futur vendin një model të cilit i kanë shterruar plotësisht resurset, siç është ky i qeverisë “Berisha”. Posaqë është pothuajse prej tetë vjetësh në qeverisje, do të vendosë ekonomia edhe për demokracinë në PD. Me logjikën e saj të ftohtë e të hekurt.
Por se si qëndron e vërteta në lidhje me heshtjen e PD-së ndaj kritikave të një deputeti të saj- a është kjo shenjë tolerance dhe ndryshimi apo kapje në kundërkohë për të reaguar – do ta mësojmë kur Berisha të mbyllet në vetminë e tij për listat. Ky moment i shëmtuar i jetës politike shqiptare, që pohon largësinë kozmike të kryetarit të partisë nga gjithë partia, është praseprapë rontgeni më i mirë publik për këta kryetarë. Dikur, në vitet e para të demokracisë, kritikat dhe alternativat i kushtonin karrierën në PD atij që i bëntë. Me kalimin e kohës dhe sidomos pas vitit 1997 në opozitë kjo parti është distancuar nga përjashtimet dhe linçimet ala bolshevike. Nga viti 2005 e në vazhdim, me rikthimin në pushtet, Berisha ka përdorur levën e posteve dhe listave të deputetëve për të ndëshkuar e dekurajuar kritikën, integritetin, e tjerë. Të shohim a do ta përdorë përseri këtë levë me listën e kandidatëve për zgjedhjet e 23 qershorit. Do të kuptojmë shumë për statusin e kritikës në PD-në e sotme.
(sg/Shqiptarja.com)