Nga Arben Manaj, 20 Shtator 2012
Kjo puna e provimit dhe statusit të vendit kandidat të Shqipërisë me kujton atë dialogun e famshëm të dy lebërve kur njëri e pyet shokun e vet. “A e mori motra provimin mo? E mori e mori…, ja ashtu me brekë nëpër këmbë.”
Dukshëm siç dekodohet nga mesazhi i opozitës pas takimeve në Bruksel, Shqipëria do marr statusin e vendit kandidat, pasi “e meritojnë shqiptarët e jo qeveria”. Në një shkrim të para disa muajsh në gazetën “SHQIP” kam shkruar se Brukseli do ia japë statusin Shqipërisë se ka sebep dhe ende i besoj dhe i qëndroj kësaj teze.
Nderi i pamerituar që padyshim do t’i bëhet Shqipërisë nuk duhet të gëzojë shumë njerëzit me logjikë të ftohte dhe realiste. Madje, ata të përgjegjshmit do të duhet t’i vërë në siklet të madh.
Ky status nuk është se do ndryshojë gjë në një të ardhme të afërt, por edhe të largët në përditshmërinë e njerëzve të thjeshtë, ndryshe nga qarkullimi pa viza me efekte më të prekshme. Më shumë është një prag që duhet kaluar, për të të dhënë detyra akoma më të vështira për të plotësuar.
Por ky pranim sakaq të kujton atë nxënësin e shkollës së mesme që ka mungesa të mëdha në formim akademik dhe kur shkon tek lëndët e vështira në universitet ka boshllëkun e rahatllëkut të së mesmes dhe fut mikun dhe zarfet me lekë në lojë.
Shqipëria demokratikisht është shumë larg kritereve dhe pritshmërive normale që një eurokrat në Bruksel apo Strasburg, do të kishte për një vend vërtet kandidat me meritë.
Dhe janë pikërisht tërë ato mangësi dhe defekte institucionale, politike dhe qeverisëse të identifikuar që vetë Bashkimi Evropian ia ka vënë në dukje Shqipërisë dhe ia ka caktuar si detyrë klase me urgjencë, por jo me shumë kërkesë llogarie, fatkeqësisht.
Symbyllja dhe veshmbyllja e Evropës ndaj “llukashizmave” të bjellorusit të Tiranës është shumë e dyshimtë, që vjen edhe për shkak të konfigurimeve politike me prevalencë të djathtë dhe ndikuese në shumicën e institucioneve kryesore vendimmarrëse ekzekutive dhe parlamentare evropiane, ku përfaqësuesve të qendrës së djathtë evropiane u ha kërraba nga aleati i tyre formalisht ideologjik në Tiranë, i cili ia ka marrë dorën dorovitjes së këtyre qarqeve dhe bizneseve të asociuara me to.
Këtu nuk duhet harruar edhe një faktor tjetër që ka të bëjë me sëmundjen terminale të funksionimit të dështuar të projektit të BE-së, që për vite me radhë ka toleruar politika ekonomike, monetare e fiskale në vendet anëtare, saqë sot si konsekuencë është shndërruar në entitetin politik më të tallur, më pak konkurrues dhe më pak të vlerësuar, krahasuar me rajonet e tjera të botës së zhvilluar apo në zhvillim marramendës.
Në këtë kontekst gjeopolitik, që do të quhej luks i tepërt për integrime dhe zgjerime të mëtejshme, noton Shqipëria e vockël, tërësisht e paintegruar në sistemet ekonomike dhe ndërvartësitë bankare apo financiare me kontinentin dhe më gjerë, që i lejon vetës çmendurinë e të pretenduarit se nuk preket nga kriza globale.
Normal si mund të prekesh kur nuk je pjesë integrale e sistemit global apo më saktë je thjesht apendiks jofunksionues për tërë organizimin që tashmë ka mbajtur frymën tek shpresa e funksionimit të kimioterapisë.
Por në rastin e Shqipërisë, ai grup i vogël poli-teknokratesh që e kanë në “job description” e tyre të merren me zgjerimin evropian dhe Ballkanin, bëjnë sikur merren efektivisht me Shqipërinë, e cila është për ta si puna e atij gurit në skeçin e famshëm që i duhej punëtorit të Rruga-Urës që ta shtynte muajin pa e thyer dot.
Brukseli po i bën nder Shqipërisë siç po i bën nder indirekt edhe opozita Berishës dhe qeverisë së tij, në emër të popullit, duke bërë kamardaren e integrimit të pamerituar evropian të këtij vendi në BE.
Opozita thotë se ka shumë probleme Shqipëria me demokracinë dhe funksionimin e saj dhe ka shumë të drejtë, ndërkohë edhe e kompleksuar, por edhe nën trysninë e sulmit të pushtetit dështak dhe përgjegjës që e anatemon se pengon integrimin, bën modernen në sytë e Brukselit dhe kërkon integrimin qoftë edhe për poema elektorale.
“Nuk e meriton qeveria, por e meritojnë shqiptarët” !!! Shpresoj që ky popull shqiptar që e meriton të jetoj pikërisht në Shqipërinë ku vuan i lumtur dhe që e qeverisë kjo qeveri që s’meriton statusin!!!
Opozita madje në një farë mënyre shërben si kamardare edhe për sikletin e Evropës që është pafalshmërisht e relaksuar dhe mbyll një sy dhe një vesh në mënyrë konsistente për Shqipërinë, me gjithë duzinën e pikave që i ka vënë si kusht. Ndaj edhe me merr fjalë të mira në Bruksel.
Kamardarja diplomatike e opozitës për Brukselin, i shpëton asaj fytyrën nga pafytyrësia e dhënies së një statusi kur një vend qartazi nuk e meriton, por që ka fatin e madh që ka një përvjetor koincidues pavarësie.
Si qeveria në radhë të parë ashtu dhe opozita e dyta në radhë, kane pasur mjaftueshëm kohë në dispozicion për të plotësuar kushtet e vendosura, nëse do kishin vullnetin e nevojshëm politik dhe insistimin për të avancuar.
Lëvizjet e minutës së fundit, edhe pse inadekuate dhe të debatueshme, kanë mundur të shmangin tragji-komizmin shqiptar të radhës, si të mosmarrjes për herë të tretë të statusit kandidat ashtu dhe komedinë e referendumit të Berishës.
Padyshim, ky status, pavarësisht nga euforia butaforike dhe iluzionuese që do shkaktojë dhe shkaktohet nga propaganda zyrtare, normalisht që vetëm nominalisht do jetë e tillë, pasi kushtet do të duhet të zbatohen një ditë që ende është shume vite larg.
Në mënyrë ironike do të jetë një status sërish kushtëzues për kushtet e paplotësuara, që pas 29 Nëntorit do rikthehet si problematikë pikërisht aty ku është sot, për një Zot e di se kur do mund të plotësohen.
Ajo që po jepet është koha borxh dhe një notë 5, meqë ke ditëlindjen. Asgjë më shumë, asgjë me pak. Dhe fiks ndodh si ajo pyetja dhe përgjigja në dialogun e lebërve në fillim të shkrimit për provimin e motrës.







