Standardet e shtrembëruara të dyfishta

0
25

Nga Aurel Dasareti, USA, ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike (dasaretiaurel@yahoo.com.au)

Jo dy standarde – duhet të kemi një parametër në lëndët që diskutojmë, jo opinione të seleksionuara.

Pronarët despotik të 99% të gazetave në linje (internet) dhe të botimit të shtypur, nuk i botojnë shkrimet e qarta të disa autorëve të mirëfilltë, që i japin peshën e duhur çështjes tonë të pazgjidhur kombëtare nëse autori nuk ndan me te të njëjtën pikëpamje në politikë, religjion etj. Ndërkaq, botojnë edhe shkarravina prej më banaleve ku “kalemxhinj” të sertë rrëfejnë me pasion se me cilin, ku dhe kurë e piu kafen, rakinë apo salepin e mëngjesit…

Në diskutimet, debatet për ekstremizmin fetar, shqiptarët janë padyshim më të zënë për ta lavdëruar dhe ngritur në qiell “heroin” e tyre për shpërthimet e tij emocionale ndaj atyre me tjetër besim fetar se sa për të folur për atë që nuk është thënë në lidhje me arsyet pse radikalizmi fetar i të gjitha ngjyrave (në rastin tonë konkret, ai islamik) mund të çojë në dhunë.

Rrallë – në fakt, kurrë – nuk kam përjetuar një debat në mediat Perëndimore (rreth një çështjeje politike, shoqërore, fetare etj), ku të gjithë pjesëmarrësit e debatit i përkasin të njëjtës anë, dhe përveç kësaj (kuptohet) mezi arrijnë të krijojnë ndonjë mosmarrëveshje.
Si është e mundur?! Si mund një institucion shqipfolës të jetë në gjendje për të vënë së bashku një panel të përbërë vetëm nga përfaqësues me të njëjtat besime fetare, dhe në masë të madhe pajtohen, të paktën që natyrisht feja e tyre nuk ka ndonjë rol në terrorin fetar, kur tema është ndikimi i radikalizmit të fesë te njerëzit përfundon me kryerjen e terrorizmit fetar?

Mediat duhet të lejojnë disa zëra kritik, ndoshta një ateist, një person me përcaktim të besimeve laike, një humanist, racionalist, një intelektual neutral me qëndrime etike atdhetare, një … ose të paktën një studiues terrorizmi që mund të konfirmojnë se po, roli i fesë në terrorizëm nuk mund të përjashtohet plotësisht.
Nëse mediumet despotike dyfytyrëshe do të vazhdojnë më tej me “Standardet e shtrembëruara të dyfishta” duke sabotuar dhe dëmtuar kështu çështjen e shenjtë kombëtare – do të denoncohen publikisht, njëra pas tjetrës, ashtu që të bojkotohen nga lexuesit, shkruesit, dëgjuesit, opinioni.

* * *

Në periudhat e rënies morale të shqiptarëve lindin gjithnjë hyjni të reja e të çuditshme që ngjajnë më tepër me djajtë; gjithçka deri atëherë e arsyeshme bëhet e pakuptimtë, ajo që ishte e çmendur bëhet pozitive, premtuese, zhduket çdo kufi, asnjë gjykim s`mund të formulohet, lind figura e shquar që s`është as e mirë as e keqe, as Zoti, as djalli, por vetëm krijues, vetëm shkatërrues, vetëm forcë e verbër e zanafillës. Ky çast i katastrofës është po ai që përcakton tek individi përmallimin, çudinë, befasinë e ndryshimit. Është çasti kur provohet paradoksi, pika e rrufeshme ku skajet e largëta takohen, kufijtë zhduken, normat shpërbëhen, Atdheu i shqipeve gremiset.

Të besosh në shpirt, fantazma a në forcë magjike është njëlloj si të pranosh se realiteti përqark nesh nuk mund të përvetësohet. Ky qëndrim i shkon për shtati një shoqërie të pandryshueshme diktatoriale. Meqenëse shqiptarët janë të pafuqishëm për të ndryshuar botën ku jetojnë, detyra e tyre është t`i nënshtrohen fatit tragjik. Duke ulur kokën e duke pranuar pushtetin e shpirtrave që sundojnë botën, shqiptarët mund t`i zbusin e t`i pajtojnë ato shpirtra, sepse nga hetimi i të fshehtave të gjithësisë nuk vjen asgjë e mirë. Edhe sikur shqiptarët të zbulonin shkaqet e disa dukurive, njohja nuk do të sillte asnjë epërsi praktike po të mos besonin se mund të ndryshojnë kushtet mizore të ekzistencës së tyre, gjë që është e papërfytyrueshme. Të thuhet se ndjenjat e shqiptarëve të shtypur janë ndrydhur nuk është e saktë; ndoshta, në të vërtetë, thjeshtë janë rrëgjuar dhe, nëse ekzistojnë ende, nuk janë lëvruar dhe mbesin përkatësisht të palatuara, duke marrë formën e pasioneve, si pasioni për të fituar.

E vetmja shtysë për të hetuar e mësuar diçka është kureshtja për të ditur kush janë kriminelët, legenët që luajnë me fatin e tyre dhe vendosmëria, pasioni për të shfaqur epërsi ndaj tyre. Të mbash nën kontroll plotësisht një varfanjak, një qenie tjetër të gjallë do të thotë ta gjymtosh, ta zhgënjesh, t`i zësh frymën, ta robërosh, ta zhdukësh atë. Është kjo tradhti kombëtare, krim. Nevoja për nxitje dhe ngacmueshmëri nga ana ime është ekzistenciale, mund të çojë në një interes frytdhënës për Kombin tim. Përpiqem të kontribuoj që shqiptari i shtypur të njeh vetveten. Njohja e vetvetes është një proces i mendjes por edhe një njohje jo vetëm nëpërmjet trurit por edhe nëpërmjet zemrës. Ky proces shkakton një shtim të energjisë, që çlirohet prej përgjegjësisë për të mbështetur kapërcimet; kështu pra, sa më tepër që shqiptari është në ndërlidhje me realitetin e tij të brendshëm, aq më tepër është i dritësuar dhe i lirë…
“Nëse unë vdes, nuk do të vdes duke qëndruar në gjunjë. Unë do të vdes duke qëndruar në këmbë, drejtë dhe krenar”, – është kjo motoja që udhëheqë jetën dhe veprimtarinë time.

* * *

“Ti nuk ke dhënë asnjë kontribut praktik për çështjen kombëtare,”- më kritikoi një akademik.
“Diplomacia është plotë fshehtësi. Njerëzit kurrë nuk mund të dinë mjaft për të tjerët për të gjykuar në mënyrë të drejtë. Gjykimi i njeriut nuk mund të jetë më i mirë se informacioni në të cilin ai e bazon atë. Tipike për sharlatanët: të ndërton imazhe të rreme nga formulimet e pa dokumentuara dhe cinike, dhe i sulmon ato. Edhe unë jap kontributin tim modest në zgjimin nga gjumi të shqisave të shoqërisë shqiptare ashtu që të ngjallë te ata ndjenjat e dashurisë ndaj kombit dhe atdheut, patriotizmit dhe nacionalizmit në kuptimin pozitiv. Të motivoj dhe të nxis përpjekjet e shqiptarit për t`i dhënë një kuptim jetës dhe për të vënë në provë shkallën më të lartë të fuqisë dhe të forcës që ai mund të arrijë në rrethana të caktuara… Ajo që ndalon apo ngadalëson hapat e mi praktike në aspiratat tona, ajo që duket si ngurrim apo pavendosmëri, ndoshta tek unë është dobësi, por jo diçka sipërfaqësore, sepse vjen nga një ndjenjë e fortë përgjegjësie që ka njeriu për hapat që bën.” – i them unë.
Atë që ai tha për mua është më pak e rëndësishme. Edhe unë një herë (nga mosnjohja e fakteve) kam thënë për atë gjëra që nuk përkojnë me realitetin. Ndoshta e meritoj cinizmin e tij. Kur një person e drejton një fokusim kritik ndaj dikujt, duhet gjithashtu të përballojë ekspozimin e fjalëve të ashpra.

* * *

Nuk e njoh personalisht, me një ton të ashpër (nëpërmjet telefonit) më pyetën çfarë “mendoj rreth Kuranit dhe Muhamedit”.
“Mitet e librave fetare, si çdo mit tjetër i njerëzimit, janë të pavlera deri kur nuk u japim vetë një interpretim për ne dhe kohës tonë, psikologjisë, kulturës, traditave tona evropiane…Unë di shumë për Islamin. Për mua nuk do të ishte e papritur nëse unë në fakt di më shumë se ti dhe bashkëmendimtarët tuaj, por unë nuk do ta bëjë këtë subjekt të ndonjë konkurrimi. Unë kam lexuar diçka prej Kuranit. Ai përbëhet (si edhe librat tjerë fetarë) nga një dozë poezie të bukur, një dozë nga mësimet e jetës, një dozë mizorie dhe një dozë çmendurie vertikale. Asnjë libër religjioz nuk është pjesë e ligjëratave të mia të preferuara përkundër faktit se kam respekt të konsideruar për besimet e njerëzve”, – i përgjigjem.
Më kërcënohet. Unë nuk frikohem aspak nga kërcënimet, veçanërisht të kolonës së pestë, fantazmave ortodokse fillo-greke apo fantazmave islamike – ata kanë takuar njeriun e gabuar. Mund ta provojnë. Megjithatë, testi i madh i “heroit” nuk është se si fillon diçka, por si mbaron. Shpeshherë kafshët luftojnë një betejë të përgjakshme deri sa ajo tufë e di se kush është mbreti.
Unë mendoj se kërcënimet dhe frazeologjitë e tyre janë pothuajse jodemokratike, qesharake dhe pak të leverdishme. Perceptimi i tyre i realitetit është aq absurd sa që unë pyes veten: ndoshta ata kanë nevojë për një qëndrim të gjatë në një institucion psikiatrik.

* * *

Radikalizmi islamik është një lëvizje fetare terroriste që nuk bën dallim në mes fesë dhe politikës.
Terroristët e ISIS-it, problem edhe i shqiptarëve. Domosdoshmërish bashkëpunim i ngushtë ndërmjet Shërbimit Informativ Ushtarak dhe Shërbimit të Sigurimit Policor, që të shkatërrojnë njëherë e përgjithmonë errësirën e shkrepave aziatike që i kanoset Shqipërisë etnike. Kriminelët nuk do të dënohen, ata “vetëm do të përgjigjen” për pasojat e veprimeve të tyre.
Agjentë shqipfolës, hoxhallarë me mustaqe të rruara dhe mjekra të gjata, të paguar nga armiqtë tradicional të Shqipërisë, në bashkëpunim edhe me “Organizata bamirëse” islamike aziatike-afrikane që 15 vitet e fundit operojnë lirshëm në Kosovë dhe në trojet tjera arbërore, synojnë manipulimin dhe rekrutimin e rinisë shqiptare për interesat e tyre nacionale.

* * *

Të gjithë prindërit shqiptarë e dinë se si duhet edukuar fëmijën e fqinjit. Tani është shansi i fundit të marrin përgjegjësinë në edukimin dhe mbrojtjen e fëmijëve të vet nga mjedisi i fëlliqtë.
Ka dy dhurata të qëndrueshme që ne mund t`u japim fëmijëve tanë. Njëra është rrënjët dhe tjetra është krahët.