Sqarim për zonjën Topalli dhe të tjerët

0
54

Mero Baze

Nga Mero Baze

Nuk kam dashur të shkruaj rreth një historie banale të shpikur nga kryeministri Berisha rreth një sipërfaqeje toke të legalizuar nga Këshilli Bashkiak i Tiranës në mars të vitit 2005, përreth lokalit “Tajvan”. Por zonja Topalli e paska përmendur këtë fakt dje, pasi ka humbur qetësinë në emisionin “Top Story” dhe më duhet ta sqaroj.

Për herë të parë për këtë histori dëgjova bashkë me zotin Berisha, ndërsa ishim së bashku në Uashington, në janar të vitit 2005, për të nënshkruar marrëveshjen me kompaninë e lobizmit BGR. Fatmir Mediu, që mbiu aty, na e tha së pari në mbrëmje se “një shok i tij nga Fieri kishte një problem për të legalizuar rreth 1 mijë metra tokë te parku “Rinia” dhe i duhej vota e këshilltarëve të opozitës.” Berisha nuk ia dha fjalën, dhe apriori i tha se “ai mund të jetë njeri i Fatos Nanos.” Kjo ishte hera e parë që dëgjova këtë histori. Kur u kthyem në Tiranë, i dyti që ma përsëriti këtë kërkesë ishte Spartak Ngjela, i cili më tha se “i ndjeri Pashko kishte disa partnerë të tij, ku përfshiheshin pronarët e kompanisë “Alpet” dhe një biznesmen nga Mallakastra, që kishin nevojë për mbështetjen e këshilltarëve të opozitës.”

I thashë se isha në dijeni prej Mediut, por Berisha nuk ishte dakord, pasi e konsideronte njërin prej tyre njeri të Fatos Nanos. Biseda thuajse u la përgjysmë, kur pas disa javësh zoti Ngjela më njoftoi se situata është ndryshe dhe se ishte mirë të ma sqaronte vetë ky biznesmen. U takova për herë të parë me Spartak Ngjelën dhe Besnikun në një kafe tek Sky Tower. Më shpjegoi se “Tajvani” ishte shoqëri aksionare dhe se dy prej biznesmenëve janë njerëz të afërt të PD dhe se kanë ndihmuar me të holla fushatat e saj. Më tha emrat e tyre dhe i premtova se do t’ia thosha këtë gjë Sali Berishës. Një ditë para mbledhjes së Këshillit Bashkiak, së bashku me kolegun tim, Mitro Çela, shkuam në zyrën e Sali Berishës me kërkesë të tij. Të nesërmen do të votohej në Këshill Bashkiak për këtë vendim. Sapo u ulëm, i hapa Berishës problemin e qëndrimit që duhet të mbanim në Këshill Bashkiak.

– Nuk duhet të nxitohemi, – tha, – se disa nga ata djemtë janë njerëzit tanë.

– Problemi është se cili do të jetë qëndrimi i grupit? – i thashë.

– Grupi nuk do të ketë qëndrim, – tha. – Do të njoftoj unë Njaziun dhe Ferdinandin dhe grupi nuk do të ketë qëndrim. Ju votoni si të doni, unë nuk pengoj njeri për këtë çështje.

Kaq ishte e gjithë historia dhe të nesërmen grupi i këshilltarëve të Partisë Demokratike zyrtarisht është shprehur se nuk ka qëndrim të vetin për këtë çështje.

Kjo është e protokolluar. Pas kësaj rreth 6 këshilltarë të opozitës kanë votuar pro vendimit dhe të tjerët kanë abstenuar.

Paradoksi është se, pasi u votua vendimi, fjalën e mori Edi Rama, i cili kërkoi që të bëhej dhe një vendim i dytë, në të cilin çmimi i tokës të ngrihej dhe të mos lihej aq sa e kishte manuali i hipotekës. Por grupi i këshilltarëve bashkiakë të Partisë Socialiste ishte i ndarë në pro dhe kundër Ramës për shkak të “Faktorit Nano”. Luan Bregasi mbaj mend që u ngrit dhe kundërshtoi Edi Ramën duke thënë se “ne e votuam një vendim dhe nuk mund të rikthehemi te kjo çështje”. Bregasi përmendi dhe faktin që kompania kishte bërë investime publike, siç ishte rregullimi i rrugës para Shallvareve dhe sistemi i gjithë parkut “Rinia”. Kaq ishte e gjithë historia. I vetmi që ishte kundër atij çmimi, me të cilin iu shit toka shtesë pronarëve të “Tajvanit”, ishte Edi Rama. Dhe kjo minimalisht dëshmonte distancën e tij ndaj atij biznesmeni që edhe Berisha e quante njeri të Fatos Nanos, dhe jo të Edi Ramës.

Disa ditë pas miratimit, ndërsa po hyja në zyrën e Berishës, gjeta në paradhomë zonjën Topalli, e cila po shfrynte dhe po fliste për shitje të partisë.

– Çfarë ka ndodhur? – i thashë.

– A din gjë ti, – tha, – si u votua në Këshill Bashkiak për atë tokën shtesë?

– Po, – i thashë. – Doktori tha që s’do të ketë qëndrim politik për të, pasi dy prej atyre biznesmenëve janë njerëz të PD.

– Janë kurrkush, – tha. – Janë klientë të vajzës së tij, që sapo ka hapë zyrën. Me e shit pushtetin ende pa e marrë, veç këtu po shoh.

Rrinte e ulur në karrigen e sekretares së Berishës dhe ishte nxirë e gjitha nga mllefi.

M’u duk se ndjehej keq si zakonisht kur Berisha nuk e pyeste për vendimet që merrte dhe thjesht shpifte lart e poshtë për të, për gruan dhe vajzën e tij. Kështu kishte ndodhur dhe herë të tjera. M’u kujtuan skenat, kur Berisha emëroi Sollakun ose kur shkarkoi Arben Rakipin pa e pyetur këtë. Ishte po kaq histerike. Hyra brenda dhe e lashë në inatin e saj.

Disa javë më vonë PD i duheshin pará për BGR dhe fushatën elektorale. Në zyrën e Ridvan Bodes dhe në dy zyra të tjera në PD, përfshi dhe zyrën e Sali Berishës, u paguan pará edhe si mirënjohje që PD kishte ndihmuar pronarët e shoqërisë “Tajvani”.

Dje më thanë se zonja Topalli në inat e sipër e paska përmendur sërish këtë histori. Duket se inati që Berisha nuk e përfill s’i paska ikur, por thjesht paska ndryshuar “armikun” duke më zëvendësuar mua me Argitën. Punë e saj, por historia fatkeqësisht është e verifikueshme dhe zonja Topalli nuk e blen dot, edhe sikur t’ia kalojë Berishës, së paku në pasuri.