Shekulli, 01.10.2013
Kryeministri, Edi Rama ka emëruar kryetaren e FRESH-it, Erisa Spiropali si Drejtoreshë të Përgjithshme të Doganave. Spiropali do të zëvendësojë në këtë post, Flamur Gjymishkën duke u bërë e para femër që mban këtë post në Shqipëri. Kurse, Drejtoreshë e Përgjithshme e Tatimeve është emëruar, Briseida Shehaj.
Po sot, Rama ka emëruar, Artan Lamen, drejtor të Përgjithshëm të Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale pas lirimit nga detyra të Ardian Kollozit.
Kurse Kamelja Vojka është emëruar Drejtoreshë e Shërbimeve Qeveritare duke zëvendësuar Elsa Meksin. Vojka ka punuar në Kuvendin e Shqipërisë, në nivelin e specialistes por u shkarkua disa muaj më parë nga Jozefina Topalli.
Në emërimet e tjera të reja, në krye të Postës Shqiptare është emëruar Ardit Çela duke zëvendësuar kështu Arqile Gorean.
/Shekulli Online/F.S./