Spin politics, Made in Albania

0
41

Armand Vincani, 10.12.2009

Është thënë në mënyrë të përsëritur se piramidat e klasave politike shqiptare në vitet e post-diktaturës e kanë parë ekzistencën e mbijetesën e tyre si produkt i përplasjeve të drejtuesve të tyre, të cilët janë përpjekur të krijojnë bazën suportuese nëpërmjet ndikimit emocional e apelit politik që më shumë ka përçarë elektoratin e dëmtuar rëndë kulturën demokratike të shoqërisë shqiptare në përgjithësi.

Këto përplasje, që në mënyrë figurative kanë pasur karakteristikat e rrahjes së një zemre të kapur në arrest kardiak, kanë kulmuar sa herë është bërë e prekshme rrëshqitja e pushtetit dhe ndjenja e humbjes së tij.

Për të dyja forcat më të mëdha politike lënia e pushtetit është konsideruar nga elitat e tyre si katastrofa më e madhe dhe asnjëherë nuk është parë si një dukuri krejt normale në një sistem demokratik.

Të mbështetur nga ekstremet e të dy palëve liderët partiakë kanë qenë në gjendje të zhvendosin fokusin nga problemet themelore të vendit drejt një arene, ku ka “shkëlqyer” më shumë ai që ka qenë në gjendje të shpife, mashtrojë e përçajë më tepër. Filozofia dhe strategjia sunduese në këto arena konfliktuale ka pasur të njëjtën përmbajtje, si dhe ato të sistemit të kaluar veçse me ndryshime në formë.

Dashurimi në ekstazë me pushtetin ka verbuar arsyen, logjiken dhe mendjen e atyre që për 20 vjet nuk pranojnë kategorikisht të largohen nga skena e të kuptojnë se një nga parimet kryesore të demokracisë është diskontinuiteti i pushtetit të përjetshëm – normë afirmative e sistemeve diktatoriale.

Edhe pas 20 vjetësh, si rrallë në ndonjë vend tjetër, Shqipëria vazhdon të drejtohet nga njerëz të privilegjuar të sistemit të mëparshëm komunist, të lidhur ngushtë me ish-nomenklaturën e kuqe dhe që për shumë vite shërbesat e tyre besnike garantuan vazhdimësinë nga kongresi në kongres, ndërsa ata që kundërshtonin dhe nuk gëzonin besueshmërinë shtyheshin drejt ferrit e kalvareve të vuajtjeve të panumërta.

Në luftën e ashpër e të paprincipte për të mposhtur kundërshtarin një nga mekanizmat më të efektshëm ka qenë politika e fugës që në termat bashkëkohore të doktrinave politike njihet si “spin politics”.

Duke qenë formë e propagandës ajo arrihet duke interpretuar fakte dhe evenimente me qëllim bindjen/manipulimin e opinionit publik në favor ose kundra një organizate apo figure publike. Në shumicën e rasteve, kjo lloj politike implementon taktika erozive, abuzuese dhe manipulative të një shkalle të lartë.

Kthimi së fundi edhe i parlamentit shqiptar në avenynë e asaj që quhet “spin room” për të bindur opinionin për “rrezikshmërinë” e fenomenit “Rama” do të jetë një precedent e rrjedhojë që do të ndjehet në vite e që do të pasohet nga politikanë të tjerë me të njëjtat prirje. Pas fugimit në parlament nga ana e kryeministrit, ministra, deputetë e kasnecë të zellshëm nxituan të marrin rolin e “spin doctors” për të shprehur besnikërinë ndaj punëdhënësit.

Prezantimi i fakteve në mënyrë selektive dhe akti i sjelljes në pah të rasteve që lidhen me Ramën për të konfirmuar një pozicion të caktuar, por duke injoruar porcione të rëndësishme apo të dhëna që kundërshtojnë atë pozicion ishte në thelb epopeja e kanotimit arbitrar në performancën teatrale të kryeministrit të sotëm.

Nëse vlerat dhe morali i familjes përben për Berishën një standard që i qëndron besnikërisht, si mundet atëherë që muaj më parë ai u bë promotori i idesë për dhënien e të drejtave të plota homoseksualeve kur shoqëria shqiptare është e papërgatitur për një gjë të tillë? Edhe konservator, edhe liberal në të njëjtën kohë?

Apo publiku shqiptar akoma se ka shuar etjen dhe vazhdon të konsumojë me dëshirë “limonadat” e tij?

Rruga e nisur është një rrugë pa krye. Ajo jo vetëm tensionon situatën politike, por krijon premisat për lulëzimin edhe një herë të militantizmit partiak që është gangrenë e vërtetë e demokracisë së brishtë në Shqipëri.

Militantizmi i ushqyer nga maja e deri në strukturat poshtë është në interes të pushtetit të sotëm që i gjendur përballë dekadencës morale kërkon të spostojë vëmendjen e mbijetojë mbi bazën e antagonizmave që krijohen artificialisht e përkohësisht dhe që nesër do të mohohen, ashtu siç ka ndodhur edhe në të kaluarën.

Pushteti i sotëm po dështon gjithmonë e më shumë përderisa zgjidhjen e ngërçit politik e shikon tek individi dhe jo te premisat që e gjenerojnë atë. Nëse Rama nuk do të jetë nesër, pasnesër do të ketë një “Ramë” tjetër.

Është minimalisht gjysma e elektoratit që në çdo kohë do të jetë në gjendje të zgjedhë individët që do të bëhen zëdhënës të interesave të tyre. Nëse kjo gjysmë e elektoratit injorohet sot siç po ndodh realisht, kjo nuk mund të vazhdojë gjatë sepse është e pamundur qeverisja në rolin e mazhorancës kur ajo nuk është e tillë. Klasat politike shqiptare dhe sidomos elitat e tyre duhet të shohin të vërtetën ashtu siç është.

Elektorati shqiptar në zgjedhjet e fundit nuk krijoi raporte të qëndrueshme mazhorancë-minorancë. Ndërhyrja nëpërmjet mekanizmave të tjerë për të ndërtuar një raport të tillë fiktiv është realisht baza e krizës së sotme politike.

Përpjekjet e pozitës për t’iu shmangur kësaj krize në mënyrë të tërthortë do të çojë në mënyrë të pashmangshme në thellimin e saj dhe acarimin e klimës së mosbesimit. Deklarimet e fundit me bujë për “fillimin” e luftës së “pamëshirshme” ndaj asaj që pozita e quan “mafie” është vetëm agresion psikologjik.

Ajo është e tillë, sepse mafies i jepet ngjyre politike, kur ajo nuk është e tillë. Të përdorësh laktusin politik për të identifikuar korrupsionin në radhët e opozitës është një nismë që shkatërron çdo përpjekje serioze dhe apel të institucioneve ndërkombëtare për të luftuar këtë gangrenë të shoqërisë shqiptare.

Krimi politik dhe ekonomik është i ulur këmbëkryq në sofrën shqiptare dhe ai është më shumë i pranishëm në radhët e njerëzve që kanë shumë fije lidhjeje me pushtetin.

Të gjitha statistikat dhe studimet ndërkombëtare tregojnë katërçipërisht se format e korrupsionit janë më shumë të pranishme tek individë që përkrahen nga pushteti në shkëmbim të militantizmit të tyre.

Prandaj, për sa kohë elitat politike do të kundërshtojnë çmontimin e klientelizmit dhe militantizmit partiak ato do të dështojnë në këtë sipërmarrje tejet të vështirë. Korrupsioni nuk mund të luftohet me parime të ngjashme me ato të luftës së klasave të dikurshme.

Para më shumë se 4 vjetësh, elektorati shqiptar dha mbështetje maksimale për angazhimin e opozitës së atëhershme për të luftuar fenomenin e korrupsionit kudo që të shfaqej.

Shumë emra, duke filluar me kryeministrin e atëhershëm, u bënë publikë dhe tonet e ashpra u vlerësuan nga njerëzit e thjeshtë si një ndërmarrje serioze dhe shprese për të vendosur ligjin e pastruar Shqipërinë nga ky fenomen që po i merr frymën.

4 vjet kaluan dhe sot Shqipëria veçse është zhvendosur në kahje negative në klasifikimin e vendeve me korrupsion më të madh. Shumë nga emrat e përmendur në atë kohë sot shkruhen në “blu” dhe si të tillë gëzojnë “imunitetin” e pushtetit.

A ka naiv që mund të mendojë se korrupsionin e krijon vetëm opozita kur ai i ka rrënjët fort në pushtet dhe shfaqet si suplement i tij që bashkëqeveris? Prandaj e gjithë kjo është “spin politics” që sot konsiderohet nga sociologet si një nga fenomenet që e dëmton rëndë demokracinë e një vendi.

Prandaj, ajo nuk është asgjë më shumë se një përpjekje për t’iu shmangur problemit themelor që është transparenca e zgjedhjeve. Shqiptarëve nuk ju interesojnë problemet personale të individëve.

Atyre ju intereson më shumë se çdo gjë tjetër sjellja e individëve që abuzojnë me pushtetin dhe shohin konfliktin e përçarjen, si i vetmi mjet për të mbijetuar në kurriz të atyre që shpresojnë për më shumë prosperitet, më shumë liri, drejtësi dhe barazi para ligjit. Shqiptareve nuk ju interesojnë “zgjidhjet” për problemet e krijuara si rezultat i “zgjidhjeve” të mëparshme nga e njëjta strukturë.

Njerëzit e thjeshtë janë të ngopur me një modus operandi të tillë, ku edhe pse shihet se politika konfliktuale nuk ka dhënë “rezultat” në 20 vjet përsëri më shumë i mëshohet asaj. Shoqërisë shqiptare nuk i nevojiten ata politikanë të njohur për propensitetin e tyre për të gënjyer e mashtruar dhe që e kërkojnë vëmendjen ndaj tyre me histerizma, duke mjeshtëruar “spin politics” ndaj kundërshtarëve politike.

Një nga zërat e njohur në doktrinat politiko-ekonomike, Donald Bondreaux, vë në dukje se “Individët që arrijnë pushtetin politik duhen besuar më pak se ata që e kanë kërkuar pa sukses atë; fitimi i zgjedhjeve elektorale kërkon një dozë të tillë mashtrimi dhe imoraliteti Makiavelian që asnjë person i ndershëm nuk mund t’i afrohet”.