Avokat Ngjela shprehet me tone të forta ndaj ndërkombëtarëve. “Ata janë shkaku i kësaj gjendjeje në Shqipëri. Ngjela thotë se opozita duhet të hyjë në zgjedhje, sepse “që të luash bojkotin, duhet të kesh shumë aftësi dhe persistencë”
Nga Skënder Minxhozi, MAPO
Avokat, opozita po futet gradualisht në hullinë zyrtare të fushatës së zgjedhjeve lokale të 8 majit. Si e shihni ju këtë proces?
Nuk e shoh me shumë optimizëm, sepse në një funksion të përgjithshëm, nuk është një hap përpara drejt demokracisë dhe ndryshimit të rrjedhës tiranike në Shqipëri. Sot shqiptarët nuk kanë asfare një qeveri të tyren, sepse ata nuk kanë mundësi ta kontrollojnë atë. Ata sot po qeverisen nga një bandë, e cila ka humbur edhe çdo sens moral, edhe çdo sens përgjegjshmërie. Prandaj, gjendja është e rëndë. Po të vijojmë kështu, do të përfundojmë shumë keq; sepse mund të konsolidohet një dinasti oligarkike e pështirë, e cila mund ta çojë gjendjen në kryengritje.
Për të gjitha këto, them se këto zgjedhje nuk mund të ndryshojnë gjendjen, sepse edhe nëse do të fitohen, dhe do të fitohen nga opozita; gjendja nuk do të ndryshojë, sepse kryeministri Sali luan me paligjësinë: ai nuk mund të rrëzohet me ligj; sepse në funksion të ligjit dhe të drejtësisë, ai duhej të ishte në burg sot, që pas shpërthimit të Gërdecit. Fakti që nuk është në burg, do të thotë se ai nuk mund të rrëzohet as me këto votime, kur dihet se këto nuk kanë të bëjnë më pushtetin qendror.
OSBE-ODIHR ka identifikuar, pas votimeve të 28 qershorit, një listë të gjatë vërejtjesh, rreth asaj që u vu re në atë proces elektoral. Ju si opozitë, kësaj liste i keni shtuar akuza të rënda për qeverinë, në lidhje me menaxhimin e procesit zgjedhor. Si e komentoni faktin, që duke parë afatet e shkurtra kohore, të rrezikohet hyrja në zgjedhje, pa e konsumuar këtë listë problemesh?
Të gjitha këto ndihmojnë për të provuar me arsye atë që unë ju thashë më lart. Opozita është marrë shumë seriozisht me çështjen e procesit zgjedhor në Shqipëri; ka luajtur që të gjitha kartat; por ajo ka pasur pengesë ndërkombëtare. Nëse ka një element që po e dëmton demokracinë në Shqipëri; këta janë ndërkombëtarët. Ne jemi në këtë gjendje, sepse asnjëherë politika ndërkombëtare nuk e ka dashur demokracinë reale në Shqipëri. Asnjëherë. Por tani ka ardhur koha që shqiptarët të kuptojnë se interesat e shqiptarëve i mbrojnë vetëm shqiptarët. Nëse nuk e kuptojmë këtë, përherë do të drejtohemi nga hajdutë që shesin interesin kombëtar, për të qëndruar në një pushtet abuziv.
Kjo është arsyeja që nuk funksionon një shtet institucional në Shqipëri. A ka sot ndonjë ndërkombëtar me pak mend në kokë që nuk e sheh që shqiptarët po drejtohen nga një i çmendur dhe nga një bandë hajdutësh? Të gjithë e dinë. Po pse e përkrahin? Sepse ky bastard shet e shet interesat kombëtare të shqiptarëve. Dhe ju më flisni për ODIHR e për OSBE. Broçkulla; ata janë autorë të kësaj gjendjeje. Ne duhet të ngremë shtetin e së drejtës vetë, të gjitha institucionet dhe pushtetin gjyqësor të pavarur. Vetë duhet t’i drejtohemi edhe opinionit publik edhe të gjithë intelektit shqiptar, që të marrë gjendjen në dorë. Këtu duhet një lëvizje masive për progres dhe demokraci, dhe nëse këto zgjedhje do të japin shkakun real e logjik të kësaj lëvizje, mund të na krijojnë variantin historik demokratik të ndryshimit cilësor, të cilin duket se e kemi humbur.
Si do t’i përgjigjeshit pyetjes së drejtpërdrejtë “A duhet të marrë pjesë opozita në zgjedhjet e 8 majit”?
Duhet të marrë pjesë. Si rregull, shkolla e politikës moderne për demokracinë na ka mësuar se çdo bojkot të sjell në pushtet, nëse ai vërtet ka lidhje me demokracinë e munguar në një vend. Por që ta luash atë kartë duhet të kesh shumë aftësi dhe persistencë. Duhet të jesh konsekuent, dhe njerëzit t’i kesh të ndërgjegjësuar. Nëse ne do ta kishin vijuar bojkotin parlamentar, jo më shumë se një muaj, tani Sali Berisha do të ishte në proces gjyqësor, duke u mbrojtur në gjykatë për krimet që akuzohet. Por ja që nuk e kuptuam atëherë këtë gjë, dhe çështja po zvarritët.
Pra, bojkoti është sistem; si disiplinë dhe persistencë me variant logjik që rrjedh përditë me arsyen e fjalimeve publike; dhe, pas kësaj, njerëz të shumtë që të përkrahin. A jemi ne në gjendje që ta bëjmë këtë sot? Pra, që të bojkotojmë këto zgjedhje për të gjitha arsyet që ju thashë, e pastaj, t’u drejtohemi shqiptarëve, të cilët masivisht duhet të dalin në rrugë e të bllokojnë gjendjen demokratikisht, për të sjellë një zgjidhje demokratike: garantimin për votën e lirë? Nëse jemi të aftë që ta bëjmë këtë, duhet ta bëjmë. Nëse nuk jemi të aftë, duhet të ndjekim rrjedhën, të hyjmë më zgjedhje, në mënyrë që abuzimi dhe manipulimi i madh që pritet që të bëjë Saliu, të kthehet në një uragan popullor, që të ndryshoje gjendjen demokratikisht në Shqipëri.
Ne kemi nevojë për zgjedhje të lira, sepse në të kundërt këtu do të drejtojnë bandat e hajdutëve e të mediokritetit që, duke mos ditur që të krijojnë zhvillimin shqiptar, mirëqenien dhe prosperitetin tonë, vjedhin edhe pasurohen banalisht për vete.
Gjatë protestës së fundit në Gërdec, ju keni deklaruar se krizën e zgjidhin vetëm shqiptarët. A është ky një aludim për ndërkombëtarët?
Nuk është aludim; është gjykim i drejtpërdrejtë. Dhe këtë ua kam shpjeguar shumë qartë më lart: demokracia duhet të jetë konshiencë shqiptare; në të kundërt, bandat do të na qeverisin.
Meqë jemi tek të huajt, si i konsideroni qëndrimet e ambasadorit amerikan Arvizu së fundi?
Turp. Nuk mund ta konceptoj sesi mund të jetë një amerikan i shkolluar ai individ. Më kryesorja është se ai përditë po shkel kushtetutën amerikane, doktrinën amerikane të demokracisë, e cila është një nga ingredientët kryesorë të kushtetutës amerikane. Nuk e di se ku e gjen kurajën që shkel kushtetutën e tij ky ambasador, i cili deklaron se shqiptarët janë të korruptuar.
Nuk mund ta imagjinoja këtë nga një amerikan. Por koha do të tregojë sesi po luan e çfarë po bën ky ambasador. Ajo që më duhet të them është se, nëse vijon kështu, mos u habitni kur të shihni një akuzë penale kundër tij para Gjykatës së Uashingtonit, të shoqëruar edhe me një peticion që mund t’i kalojë të 100 000 personat. Nëse nuk kthen, kjo do të jetë përgjigjja e demokracisë shqiptare, se peticioni që mund t’i drejtohet Presidentit Amerikan Obama është diçka tjetër, më e lehtë, sigurisht.